Ahmet Yalçin më 6 qershor të këtij viti është kapur në territorin e Kosovës. Ai po kërkohej nga INTERPOL-i pasi që ishte arratisur nga burgjet e Turqisë. Ai është i dënuar me 20 vite, 40 muaj e 40 ditë burgim nga gjykatat turke. Në rastin e tij janë përfshirë edhe institucionet turke, të cilat kanë kërkuar me urgjencë ekstradimin e Yalçin. Gazeta Insajderi ka siguruar një email të dërguar nga ambasada e Turqisë në Kosovë në dretim të institucioneve të vendit. Insajderi kishte raportuar më herët se Yalçin synon që të kërkojë azil politik në Kosovë, nën pretendimin se është keqtrajtuar në burgjet turke për shkak të nacionalitetit të tij.
Gazeta Insajderi ju sjell ekskluzivisht një email që dëshmon përfshirjen e autoriteteve turke në rastin e Yalçin. Më saktësisht, një këshilltar në ministrinë e Punëve të Evropës në Turqi i drejtohet Departamenti për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës me kërkesë të Ministrisë së Drejtësisë së Turqisë për ekstradimin e kurdit në tokën turke.
“Kam nderin të bashkëngjis komunikimin e Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Turqisë, që transmeton kërkesën për ekstradimin e Ahmet Yalçin, të lëshuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda Ankara Batı 1, për akuzën e “vrasjes”, së bashku me dokumentet përkatëse dhe përkthimet e tyre në shqip në mbështetje të kërkesës në fjalë”, thuhet ndër të tjera në emailin e ambasadës turke drejtuar Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës. Më saktësisht në drejtim të Gazmend Çitakut, drejtor në Departamentin për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar.
Pos tjerash, ambasada turke në email kërkon nga autoritetet kosovare bashkëpunim në arrestimin e një personi të quajtur Mustafa Aksoy dhe ekstradimin e tij në Turqi, pa u specifikuar vepra penale e tij. Aty vetëm përmendet “Marrëveshja mes Qeverisë së Republikës së Turqisë dhe Republikës së Kosovës për Ekstradim”.
Insajderi ka siguruar një tjetër dokument që dëshmon se Çitaku më pas iu është drejtuar prokurorit të çështjes së Yalçin, Arben Hotit, për ta trajtuar si “kërkesë urgjente” çështjen e ekstradimit të tij.
“I nderuar z. Hoti, ju lutem gjeni të bashkangjitur një shkresë nga Ambasada e Republikës së Turqisë në Prishtinë, datë 11 korrik 2024, e cila transmeton kërkesën nga Prokuroria e Republikës Perëndimore në Ankara, që kërkon ekstradimin e z. Ahmet Yalçin. Andaj lidhur me këtë, ju lusim që të ndërmerrni veprimet përkatëse në pajtim më ligjin e aplikueshëm në Republikën e Kosovës”, thuhet në komunikimin e tij në drejtim të prokurorit Hoti.
Kjo kërkesë prokurorit Hoti i kishte ardhur vetëm pesë ditë para se të mbahej seanca për kurdin e arratisur nga burgjet e Turqisë. Ndaj Yalçin është caktuar masa e paraburgimit për një periudhë të pacaktuar, teksa rasti i tij ka kaluar në proces sekret me vendim të gjykatës.
Cilat janë pretendimet e Prokurorisë për ekstradimin e Yalçin?
Në një nga arsyetimet e Prokurorisë Themelore të Prishtinës për kërkesën për ekstradim, përmendet se shteti turk ka ofruar garanci se kurdi i kërkuar Ahmet Yalçin nuk do të gjykohet për krime të tjera jashtë atyre për çka është dënuar.
Pos tjerash, siç mëson Insajderi, Prokuroria e arsyeton kërkesën për paraburgim përmes asaj që iu janë drejtuar autoriteteve greke për t’i pyetur nëse Yalçin ka azil politik, por që s’ka marrë përgjigje.
Prokuroria, në arsyetimin e tyre tutje thotë po ashtu se edhe Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migracion ia ka konfirmuar para pesë ditësh se s’ka parashtruar kërkesa për azil.
Yalçin është i dënuar për veprat penale “vrasje me paramendim”, “sjellja e sendeve të ndaluara në burg ose qendër paraburgimi” dhe “arratisja” sipas Kodit Penal të Turqisë.
Ndaj tij në të kaluarën janë marrë tetë vendime që ia rrumbullakësojnë vuajtjen e burgimit në kohëzgjatje prej 20 viteve, 40 muajsh dhe 40 ditësh.
Yalçin fillimisht është i dënuar më 2017-ën nga Gjykata për Krime të Rënda Penale në Ankara për vrasje me paramendim për 15 vite në Ankara nën akuzat se më 27 nëntor të 2012-ës kishte vrarë Serkan Kocabay (i cili ia kishte vrarë babain më herët). Pra, vrasja ka ndodhur në formë hakmarrjeje.
Më pas, në 2022-ësn Gjykata e Shkallës së Parë për Krime e Ankaras e kishte dënuar Yalçin me dy vite e gjashtë muaj burgim nën akuzat se gjatë kohës sa po qëndronte në burg, kishte poseduar substancë narkotike. Sipas aktakuzës së Prokurorisë, atë ia kishe sjellë babai i tij, Hakki Yalçin.
Në të njëjtin vit, Gjykata e Shkallës së Parë për Krime e Ankaras pas arratisjes e dënoi me tetë muaj.
Ai më 6 qershor të këtij viti është kapur përbrenda territorit të Republikës së Kosovës nga njësiti FAST, pasi që Turqia ka lëshuar urdhër arrest ndërkombëtar ndaj kurdit Yalçin që nga 2019-a.
Çështjen e ekstradimit dhe masat e tjera i ka kundërshtuar avokatja e shtetasit kurd, Arbenita Aliu, e cila ka thënë se nuk duhet të lejohet në asnjë formë. Aliu ka thënë se arsyeja e arratisjes së Yalçin nga burgjet e Turqisë është maltretimi që iu është bërë si shkak i nacionalitetit të tij. Ajo ka prezantuar kërkesën e klientit të saj, për azil politik në Kosovë.
Gazeta Insajderi merr vesh që pas arratisjes nga burgu, Ahmet Yalçin për një kohë kishte jetuar në vendet e rajonit, por vendosi që të lëvizte për të jetuar në Kosovë.
Në Kosovë ai qëndroi një kohë në një hotel, por duke u informuar për të kaluarën, ku edhe dilerë droge në kërkim nga INTERPOL kishin arritur që të merrnin identitet të rremë në Kosovë, ai kishte rënë në kontakt me persona që dyshohet se i premtuan që do të ia bënin këtë të mundur.
Krejt identifikimi i tij, se ai gjendej në Kosovë derisa në Turqi ka një dënim, erdhi kur ai nisi procedurat për të marrë identitet në Kosovë.
Me futjen e të dhënave të para në sistem, siç merr vesh Insajderi, ishte alarmuar që ndaj tij rëndojnë vendime gjyqi e një fletë-arrest pas arratisjes nga Turqia.
Më pas Policia kishte identifikuar vendndodhjen e tij dhe ai u arrestua.
Pesë vite më parë Gazeta Insajderi pati publikuar hulumtimin disa mujor për përfshirjen e zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme në një aferë të madhe ku rezultoi se me pasaporta kosovare, identitet të falsifikuar, qenë pajisur edhe dilerë druge nga Turqia.
Hulumtimi kishte zbuluar se persona të rëndësishëm të botës së krimit nga Turqia, përmes lidhjeve me zyrtarë brenda MPB-së patën arritur që pos marrjes së shtetësisë, të kenë pasaporta, letërnjoftime e patentë shoferë të Republikës së Kosovës, ani se ishin në kërkim ndërkombëtar për vrasje, e trafikim ndërkombëtar të kokainës, heroinës e drogave tjera.
U zbulua se dy trafikantë droge, Nejdet Cesuroglu, dhe Iskander Sale kishin arritur që të kenë madje nga dy identitete në Kosovë: Turku i gjetur i vdekur në Prishtinë, Nejdet Cesuroglu ka pasur identitetin e Lavdim Nimanit që jeton në Suedi dhe Ljuljzim Shalja, që jeton në Britani të Madhe, ndërsa Iskender Sale ka pasur identitetin e Xhemaj Shalës dhe Skender Sheremetit.
Një rast i vonë i janarit të këtij viti kishte nxjerr në publik edhe një herë brishtësinë e sistemit qendror të dokumenteve (ARC) dhe kjo u kuptua kur ish-punonjësi i shtetit, Drilon Berbati ra në pranga të policisë së Serbisë i dyshuar për 32 pako me marihuanë apo gati 18 kilogramë.
Ai doli që të kishte pasur aktakuzë në Kosovë po për falsifikim dokumentesh.
Me 19 korrik 2023, Policia e Kosovës kishte arrestuar Drilon Berbatin nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe falsifikim të dokumentit zyrtar në periudhën sa ishte në pozitën e ‘zyrtarit të Agjencisë për Regjistrim Civil në Ministrinë e Punëve të Brendshme’.
Ish-zyrtari i MPB dyshohet se kishte pajisur me dokumente personale, letërnjoftim dhe pasaportë të Republikës së Kosovës një person nga Shqipëria i cili ishte në kërkim nga INTERPOL-i.
Problemi i Kosovës me ekstradimin e gjashtë gylenistëve në Turqi në të kaluarën
Përkatësia e tyre politike kundër Erdoganit bëri që Kosova ta thyente ligjin dhe t’i ekstradonte tek pushteti i tij gjashtë glyenistë.
Kosova pati marrë kritika të ashpra nga ndërkombëtarët për ekstradimin e gjashtë gylenistëve nga Kosova për në Turqi. Madje, përflitej që ekstradimi i jashtëligjshëm i gylenistëve do ta rrezikonte Kosovën për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
28 deputetë i kishin dërguar letër atëkohë ish-kryeministrit Ramush Haradinaj dhe ish-presidentit Hashim Thaçi, duke u shprehurt ish-drejtuesve të Kosovës shqetësimin për fatin e gjashtë shtetasve turq, të arrestuar në Kosovë e të dëbuar në Turqi pa kaluar faza gjyqësore.
“Si pjesëtarë të Parlamentit Europian, ju bëjmë thirrje të respektoni procedurat ligjore sipas standardeve europiane. Të gjitha masat e marra nga autoritetet kosovare duhet të respektojnë rendin ligjor dhe të promovojnë respektin universal për liritë dhe të drejtat e njeriut. Procedura arbitrare për arrestimin dhe dëbimin e tyre janë shkelje e këtyre parimeve”, thonin ndër të tjera eurodeputetët në letrën e dërguar presidentit Thaçi dhe kryeministrit Haradinaj.
Për ta ndriçuar këtë rast Kuvendi i Kosovës pati formuar një komision hetimor parlamentar, i cili kishte mandat katër muaj, me ç’rast për këtë periudhë arriti t’i evidentojë rreth 31 shkelje ligjore.
Gjykata Themelore në Prishtinë vitin që shkoi e dënoi me katër vjet e tetë muaj burgim Driton Gashin, ish-shef i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), për rastin e gylenistëve.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 24 shkurt 2021, Gashi në periudhën 23 mars 2019 – 29 mars 2018, akuzohej se si person zyrtar kishte dëbuar gjashtë shtetas të Turqisë që kishin leje qëndrimi dhe të drejtën e punës në Kosovë.
Sipas aktakuzës, Gashi ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke mos i përmbushur detyrat sipas kompetencës duke rekomanduar revokimin e lejeve të qëndrimit dhe mosdhënien e lejes për njërin prej viktimave, “për arsye se kinse ata paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare, fakt që nuk është provuar fare në procedurë të zbatuar në bazë të ligjit”.
Prokuroria ka pretenduar se Gashi për këtë procedurë s’e ka njoftuar atëkohë as presidentin e as kryeministrin, siç kërkohet me Ligjin për AKI-në dhe as kryeprokurorin e Shtetit, duke tejkaluar kompetencat.
Gjashtë shtetasit turq janë dënuar si pjesë e lëvizjes politike të Fethuhllah Gulenit dhe aktualisht që të gjithë janë në burgje të Turqisë. Cihan Ozkan, Kahraman Demirez e Osman Karakaya janë dënuar me nga 7 vjet e gjysmë.
Me 8 vjet e gjashtë muaj është dënuar Hasan Huseyin Gunakan i cili u dëbua gabimisht. Me 10 vjet Yusuf Karabina. Ndërsa dënimin më të madh e mban Mustafa Erdem, 15 vjet burg.
Kosova dhe Turqia përgjatë Qeverisë Kurti kanë thelluar bashkëpunimin në fushën e sigurisë. Kujtojmë se Kosova bleu drone ‘Bayraktar TB-2’ nga Turqia hiç më larg se vitin që shkoi.
Kryeministri Kurti në fund të majit shkoi në vizitë për në Turqi, ku takoi atje edhe presidentin turk, Rexhep Taip Erdogan. Shefi i qeverisë kosovare u prit me nderimet më të larta shtetërore në pallatin presidencial në Ankara. Brenda mandatit të tij, ai është takuar dy herë me Erdoganin. /Insajderi.org/