×
  • Lajme
  • Lajme

    Gjykata e Beogradit ia refuzon kërkesën Nezir Mehmetajt, e lë në paraburgim

    Insajderi
    27 May 2021 - 09:07
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gjykata e Lartë në Beograd ka refuzuar ndryshimin e masës së paraburgimit për shtetasin e Kosovës, Nezir Mehmetajn, i cili akuzohet për krime lufte në Kosovë.

    Gjyqtari refuzoi kërkesën e avokatit mbrojtës për të zëvëndësuar masën e paraburgimit me qëndrim në shtëpi nën përcjellje elektronike.

    Në seancën dëgjimore më 26 maj, kryetari i trupit gjykues deklaroi se rrethanat nuk kishin ndryshuar me kohën kur u zgjat paraburgimi, si dhe se procedura e apelimit për zgjatjen e paraburgimit ishte në proces.

    Më 4 janar 2020, Nezir Mehmetaj u arrestua nga policia serbe në vendkalimin Merdare, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me një urdhër të lëshuar nga institucionet e drejtësisë serbe.

    Që atëherë ai është mbajtur në paraburgim në Beograd.

    Mehmetaj akuzohet për pjesëmarrje në vrasjen e shtatë njerëzve dhe djegien dhe plaçkitjen e shtëpive në fshatin Rudicë në komunën e Klinës, si anëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

    Ai tha në gjykatë se familja e tij u largua nga Rudica në maj të vitit 1999 dhe se ai e kaloi tërë jetën në Zvicër.

    Ai më pas tha se kishte vizituar familjen e tij në Rudicë një herë në vit, por që ai nuk erdhi gjatë luftës së vitit 1999. Sipas tij për herë të parë në Kosovë erdhi në shtator të atij viti përmes Shqipërisë, ku familja e tij jetonte, dhe se ai shkoi në Rudicë bashkë me ata.

    Në seancën gjyqësore më 26 maj, para Dhomës së Krimeve të Luftës të Gjykatës së Lartë në Beograd, u dëgjuan tre dëshmitarë, anëtarët e familjes së të cilëve vdiqën në 1999 në fshatin Rudicë.

    Ata deklaruan se kishin informacion indirekt se Nezir Mehmetaj ishte pjesë e një grupi anëtarësh të UÇK-së që vranë anëtarët e familjeve të tyre.

    Por, ata nuk i zbuluan emrat e atyre që iu kanë ofruar atë informacion, duke deklaruar se kishin frikë për sigurinë e tyre.

    Në seancë nuk mori pjesë një dëshmitar i mbrojtur me pseudonimin Atar.

    Njësia për Mbrojtjen e Dëshmitarëve e Ministrisë së Brendshme (MUP) të Serbisë informoi gjykatën se nuk kishin informacion në lidhje me vendbanimin ose qëndrimin e këtij personi. Kjo njësi i tha gjykatës së ka informacione që ndaj këtij personi ishte ushtruar presion.

    Seanca tjetër është caktuar për datën 9 korrik.

    Autoritetet kosovare disa herë i kanë bërë thirrje Bashkimit Evropian të ndikojnë për lirimin e Nezir Mehmetajt.

    Mehmetaj ka qenë duke udhëtuar nga Zvicra për në Kosovë kur është ndaluar nga Policia e Serbisë.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark