Gjykata e dënon avokatin që refuzoi mbrojtjen e Shaban Gogajt - Insajderi
×
  • Lajme
  • Aktuale

    Gjykata e dënon avokatin që refuzoi mbrojtjen e Shaban Gogajt

    Insajderi
    12 January 2022 - 11:18
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova ka shqiptuar 250 euro gjobë ndaj avokatit të të akuzuarit Shaban Gogaj, Gëzim Kollqaku, i caktuar sipas detyrë zyrtare, për shkak të zvarritjes të procesit gjyqësor.

    Një vendim të tillë, Gjykata Themelore në Pejë e ka marrë më 30 dhjetor 2021, pasi avokati Kollqaku kishte munguar në seancën e fundit, edhe pse ishte i ftuar në mënyrë të rregullt, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Avokati Kollqaku ishte caktuar nga Gjykata e Pejës për të mbrojtur të akuzuarin Gogaj, pas përjashtimit të avokatit Besnik Berisha për shkak të prishjes së rendit në gjykatore.

    Kollqaku këtë mungesë e kishte arsyetuar se familjarët e të pandehurit Gogaj nuk kanë dëshiruar që ai të ishte mbrojtës i të akuzuarit Gogaj dhe se sipas vendimit të Odës së Avokatëve, avokati mund të caktohet vetëm nga OAK.

    Mirëpo, ky arsyetim i avokatit Kollqaku për mospjesëmarrje në seancë, është konsideruar i pabazuar për të refuzuar mbrojtjen ndaj të pandehurit Gogaj.

    “Arsyetimi i mbrojtësit është në kundërshtim me vendimit nr.16/50 të datës 23 dhjetor 2021 të Qeverisë, e cila ka ndaluar ekzekutimit e vendimit nr.827-1/2021 të datës 12 korrik 2021 të Këshillit të OAK, deri në vendimin përfundimtar të gjykatës kompetente”m thuhet në vendimin e gjykatëses.

    Tutje, thuhet se arsyet e avokatit Kollqaku se duhet të respektohet e drejta në mbrojtje, sipas gjykatëses ishin të pabazuara, pasi sipas gjykatëses, i akuzuari Gogaj ishte njoftuar për të drejtën për të angazuar mbrojtës.

    Seanca e 29 nëntorit e caktuar lidhur me këtë rast, ishte shtyrë për shkak se avokati Kollqaku kishte refuzuar ftesën e gjykatës.

    Ndryshe, në seancën e mbajtur më 25 nëntor, ku i akuzuari Gogaj ka refuzuar që të caktojë avokat tjetër, përveç avokatit Besnik Berisha.

    Ndërsa më 1 dhjetor, avokati Besnik Berisha njoftoi se përmes tij, i akuzuari Shaban Gogaj ka parashtruar padi kundër trupit gjykues të Gjykatës Themelore në Pejë, të kryesuar nga kryetarja e këtij trupi gjykues, Violeta Husaj Rugova dhe anëtarëve Florije Zatriqi dhe Sami Sharraxhiu, për kompensimin e dëmit jomaterial në shumë prej 100 mijë euro.

    Gjithashtu, kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK), Behar Ejupi, në një konferencë për media të mbajtur më 10 dhjetor, lidhur me përjashtimin e avokatit Besnik Berisha në rastin e të akuzuarit Shaban Gogaj, ka thënë se këtij të fundit po i mohohet e drejta për zgjedhjen e avokatit. po ashtu, Ejupi në atë konferencë ka thënë se çdo avokat që nuk respekton vendimet e tyre bën shkelje disiplinore.

    Më 25 dhjetor, Ministria e Drejtësisë (MD) ka miratuar propozimin për ndalimin e ekzekutimit të vendimit të OAK-së për moscaktim të avokatit në rastin Gogaj.

    Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, më 12 qershor 2019, Shaban Gogaj akuzohet se më 23 shtator 2018, rreth orës 11:04, në Deçan, në rrugën “Luan Haradinaj”, përkatësisht në kompaninë “Gogaj AG”, me dashje e privon nga jeta Agonis Tetaj dhe me këtë ka vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarve Agzon Hadërgjonaj dhe Faruk Zukaj.

    Sipas aktakuzës, pasi i pandehuri merr një telefonatë nga e cila bisedë shihet se është dukshëm i acaruar dhe posa e përfundon këtë bisedë, i pandehuri nga karrigia e anës së majtë të banakut kalon në një tjetër që gjendej në mes të banakut, lakohet dhe nxjerr nga sirtari i fundit në anën e djathtë të tij revolen e tipi “Beretta”, vendos karikatorin dhe e repeton të njëjtën, e merr në shenjë tani të ndjerin Tetaj.

    Në aktakuzë thuhet se tani ndjeri në ato momente ishte në mes të dy dëmtuarve tjerë dhe i pandehuri qëllon një herë në drejtim të tij dhe e kthen armën ku e kishte marr, më pas menjëherë çohet nga karrigia, me ç’rast për pasojë i dëmtuari merr plagë në kokë, ku si rrjedhojë pëson vdekje të menjëhershme.

    Në këtë rast, për armëmbajtje pa leje akuzohet edhe Isuf Cacaj, ku sipas aktakuzës, më 23 shtator 2019, rreth orës 14:50 në Deçan, në shitoren “Gogaj AG”, ka mbajt në pronësi armë dhe atë pistoletën e tipit “Bloë TR 92”, e kalibrit 9mm, e gjetur nga policia në sirtarët nën banakun e arkës.

    Kurse, sipas aktakuzës që ishte ricilësuar më 16 mars 2021, nga prokurori Agon Uka, Shaban Gogaj akuzohej se më 23 shtator 2018, rreth orës 11:05:31, në Deçan, në rrugën “Luan Haradinaj”, në kompaninë “Gogaj Ag”, nga pakujdesia i pandehuri Gogaj, e privon të ndjerin nga jeta, Agonis Tetaj.

    Sipas ricilësimit, gjersa i pandehuri ishte duke komunikuar në telefon me Natyra Melaj, vajzën e hallës rreth shkuarjes së tij në bjeshkë, duke e porosit që të merrte gjësende ushqimore, posa e përfundon këtë bisedë, e lëshon telefonin në tavolinë, nga karrika në skajin e majtë të banakut ku ishte ulur, kalon në karriken tjetër që gjendet në mes të banakut, lakohet duke shikuar në anën e djathtë kah dritaret në drejtim të rrugës dhe nxjerr nga sirtari i tretë i anës së djathtë, revolen e llojit “Beretta”, Model 92 FS, e vendos karikatorin në armë, e reperton të njëjtën dhe shkrep një herë në drejtim të, Asgan Hadërgjonaj, Agonis Tetaj e Faruk Zukaj, të cilët kanë qenë në distancë rreth 70 cm në mes vete, ndërsa në raport me të pandehurin distance ka qenë 4-5 metra,

    Nga kjo shkrepje, sipas prokurorit Uka, goditet tani i ndjeri Agonis Tetaj në mollëzën e djathtë të fytyrës, e pas këtij veprimi i akuzuari kthen armën ku e ka marrë duke e kap kokën me dy duart, duke menduar se ka shkrep me armën me gaz, për të cilën paraprakisht e ka njoftuar xhaxhi i tij, Isuf Cacaj, se arma me gaz ndodhet aty.

    Sipas aktakuzës që ishte ricilësuar nga prokurori Uka, i akuzuari këtë veprim nuk e ka dëshiruar as pasojën e shkaktuar, përkatësisht pasoja shkaktohet kundër vullnetit të tij, si rezultat i moskujdesit apo indiferencës apo jo seriozitetit të tij, ashtu që përkundër përpjekjeve për ofrimin e ndihmës, tani të ndjerit Agonis, i njëjti nuk ka mundur t’i mbijetojë plagës.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark