
Gjykata e Tenderëve, përmes Panelit të OSHP-së, ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për diskualifikimin e operatorit ekonomik “Med Plus SH.P.K.” nga pjesëmarrja në prokurimet publike. Diskualifikimi i kompanisë vjen si pasojë e mashtrimit dhe falsifikimit në tenderin për furnizim me material shpenzues medicinal nga LE.
Kompania farmaceutike “Med Plus”, është diskualifikuar për 6 muaj, rrjedhimisht i është ndaluar pjesëmarrja në prokurimet publike.
Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë, ky operator ekonomik, në bashkëpunim me “Radix Pharm”, kishte dorëzuar një certifikatë ISO për prodhuesin Forlong Medical Co, Ltd China, e cila ishte paraqitur me një validitet deri më 18 tetor të këtij viti.
Pas verifikimeve të bëra nga autoritetet përkatëse, u zbulua se certifikata në fjalë kishte një validitet tjetër, duke ngritur dyshime për falsifikim.
“Med Plus SH.P.K.” kishte kërkuar që OSHP-ja të refuzonte kërkesën e Ministrisë për marrjen e masave ndëshkuese, duke argumentuar se certifikata ISO nuk ishte modifikuar nga ana e tyre dhe se ishte dorëzuar ashtu siç ishte marrë nga prodhuesi.
Megjithatë, Paneli i OSHP-së nuk pranoi këto argumente, duke vendosur diskualifikimin e kompanisë për 6 muaj, bazuar në paragrafin 2 të nenit 99 të Ligjit për Prokurimin Publik (LPP).
Kjo masë përjashtuese për “Med Plus SH.P.K.” vjen si një sinjal i qartë për të gjithë operatorët ekonomikë që marrin pjesë në tenderë publikë, se integriteti dhe transparenca janë thelbësore për pjesëmarrjen në prokurimet shtetërore.
/Insajderi