
Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj dy personave pasi dyshohen për përfshirje në veprën penale vrasje në tentativë, kryer në bashkëkryerje, shkruan Insajderi.
Sipas të dhënave të hetimit, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur më 26 gusht 2024, rreth orës 23:12, në një rrugë të një fshati në komunën e Ferizajt.
“Të dyshuarit fillimisht kanë tentuar ta fusin me forcë në veturën e tyre të dëmtuarin me inicialet B.B., por për shkak të rezistencës së tij nuk kanë arritur ta realizojnë këtë qëllim. Në përpjekje për ta privuar nga jeta, ata kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të tij. Pavarësisht se i dëmtuari ka arritur të largohet duke kaluar oborrin e shtëpisë së tij, ai është qëlluar me plumb në regjionin e barkut dhe në këmbën e djathtë”,thuhet në komunikatë.
“Palët janë njoftuar se mund të paraqesin ankesë ndaj këtij vendimi, por një gjë e tillë nuk e shtyn ekzekutimin e aktvendimit”,thuhet në njoftim.