Gjykata Themelore në Prishtinë do të kërkojë nga Policia e Kosovës që dëshmitaret Adelina, Zanfina dhe Ema Ismaili, të sjellen me shoqërim në seancën e radhës në rastin ku Enver Sekiraqa po akuzohet për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës.
Një vendim i tillë, është marrë të mërkurën nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Agim Kuçi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Paraprakisht, prokurori special Dren Paca ka deklaruar se mbetet pranë propozimit të dhënë në shqyrtimin gjyqësor më 19 janar 2022, që edhe në rigjykim të dëgjohen dëshmitaret Ismaili apo të lexohen deklaratat e tyre dhëna në polici, prokurori dhe në gjykatë.
Propozimin për leximin e deklaratave të dëshmitareve Ismaili e kundërshtoi i akuzuari Sekiraqa, ndërsa nuk e kundërshtoi që të njëjtat të dëgjohen sërish në gjykatë.
Po ashtu, në këtë seancë prokurori Paca e ka njoftuar gjykatën që lidhur me dëshmitarin D2, i cili po ashtu është propozuar që të dëgjohet, por prokuroria ende nuk ka arritur që ta sigurojë kontaktin me të njëjtit dhe sipas tij posa të sigurohet ky kontakt do ta njoftojë gjykatën.
Ndryshe, në këtë seancë ka munguar mbrojtësja e të akuzuarit Sekiraqa, avokatja Kosovare Kelmendi, për të cilën gjykatësi Kuçi ka njoftuar se më 27 qershor 2022, të njëjtës gjykata i ka dërguar ftesën, mirëpo deri më 12 korrik 2022 nuk është njoftuar për këtë seancë pasi që fletë-dorëzuesi i ftesave ka qenë në pushim vjetor.
“E njëjta e ka lajmëruar sot gjykatën dhe mungesën e ka arsyetuar me arsyetimin se sot ka të caktuar një shqyrtim tjetër në Ferizaj”, shtoi tutje gjykatësi Kuçi.
Seanca e radhës për këtë rast u caktua më 15 shtator 2022.
Për seancën e radhës gjykatësi Kuçi deklaroi se për dëshmitaret Ismaili nga Policia e Kosovës do të kërkohet sjellja e tyre me shoqërim, ndërsa për mosrealizimin e urdhëresave të hershme ai tha do të njoftohet komandanti i stacionit policor Jugu në Prishtinë.
Gjykata Themelore në Prishtinë, për herë të dytë më 16 shtator 2019, e kishte shpallur fajtor Enver Sekiraqën për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza dhe i kishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 30 vitesh.
Mirëpo, Gjykata e Apelit me 6 mars 2020, kishte vendosur të aprovojë ankesën e mbrojtjes së Sekiraqës duke e kthyer rastin për të dytën herë në rigjykim, pasi sipas Apelit aktgjykimi i shkallës së parë ishte marrë me shkelje të dispozitave të procedurës penale.