
Gjykata Komerciale e ka aprovuar në tërësi padinë e “Grupi Koha” ndaj Komunës së Prishtinë, duke anuluar vendimin e kësaj të fundit, me të cilin ishin mbyllur për qarkullim të mjeteve motorike rrugët “Rexhep Luci” dhe “Qamil Hoxha”, si dhe rrugët/rrugicat të cilat kalojnë në parkun e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Bibliotekës Kombëtare.
Fillimisht, “Grupi Koha” më 28 mars 2023 në Gjykatën Komerciale, kishte dorëzuar padi ndaj Komunës së Prishtinës për shkak të anulimit të vendimit të datës 18 mars 2023, me propozim që padia të aprovohet dhe të anulohet vendimi, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Komuna e Prishtinës përmes vendimit të datës 18 mars 2023 kishte vendosur për mbyllje të rrugëve të lartcekura, por që “Grupi Koha” pretendon se vendimi është marrë në kundërshtim me procedurën administrative se vendimi nuk ka këshillë juridike dhe nuk përmban arsyetim.
Ndërsa, përmes vendimit të 22 prillit 2024, Komuna e Prishtinës kishte shfuqizuar vendimin e 18 gushtit 2023 për mbylljen e qarkullimit të mjeteve motorike në rrugët “Rexhep Luci” dhe “Qamil Hoxha”, si dhe rrugët/rrugicat të cilat kalojnë në parkun e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Bibliotekës Kombëtare.
Sipas paditësit, rrugët që janë vendosur të mbyllen janë rrugë që përdoren nga gazetarët dhe kameramanët dhe se nuk kanë zgjidhje tjetër për në objektin se ku punojnë të njëjtit.
Ndërkaq, në vendimin e Gjykatës Komerciale të marrë me 18 shtator 2024, thuhet se pretendimet e “Grupi Koha” të paraqitura si në padi janë të bazuara dhe se mbrojtja e të drejtës së pronës është e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe se ndërhyrje në to mund të bëhen vetëm në bazë të interesit publik.
Tutje, Gjykata ka gjetur se nga vendimi i marrë nga Komunës së Prishtinës për mbylljen këtyre rrugëve ka vlerësuar se në këto vendime nuk janë respektuar standardet e përcaktuara në legjislacionin e zbatueshëm për faktin se vendimi nuk ka dalë në konsultim publik.
Gjithashtu, gjykata ka gjetur se Komuna e Prishtinë ka realizuar konsultime vetëm më një rreth të ngushtë të palëve të interesit, duke i trajtuar në mënyrë të pabarabartë dhe diskriminuese, në këtë rast vet palën paditës “Grupi Koha”.
Po ashtu, gjykata ka gjetur se vendimi i marrë nga Komuna e Prishtinës nuk përmban arsyetim për faktet vendimtare që kanë ndikuar në nxjerrjen e tij.
Gjykata gjithashtu ka sqaruar se edhe pse Komuna e Prishtinës vendimin e datës 18 mars 2023 e ka ndryshuar me vendimin e datës 22 prill 2023, “Grupi Koha” ka qëndruar prapa padisë me arsyetimin se vendimi i dytë i Komunës është veçse fiktiv dhe se nuk gjen zbatim në gjendje reale faktik.
Ndryshe, Grupi “Koha” më 28 gusht 2023 ka ushtruar padi ndaj vendimit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama të marrë më 18 gusht 2023, lidhur me mbylljen e qarkullimit të mjeteve motorike të rrugëve të kryeqytetit të cilat kalojnë/dërgojnë në parkun e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Bibliotekës Kombëtare, duke kufizuar edhe të drejtën e Grupit “Koha” për të qarkulluar brenda parkingut të vet.