
Gjykata Kushtetuese ka shpallur të papranueshme ankesën e kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, lidhur me ndryshimet dhe plotësimet e Rregullores për Menaxhimin e Mbeturinave, të miratuara nga Kuvendi Komunal më 5 dhjetor 2024.
Në arsyetimin e saj, Kushtetuesja ka theksuar se kjo rregullore nuk përbën ligj të Kuvendit të Kosovës, as akt të Qeverisë, por vetëm një akt nënligjor të miratuar nga Kuvendi Komunal i Prishtinës.
Për këtë arsye, kërkesa e Ramës nuk ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë dhe Gjykata nuk ka hyrë në vlerësimin e pretendimeve të tij për shkelje të kompetencave komunale ose humbje të të hyrave.
Rama kishte dërguar ankesën më 3 shkurt, duke e konsideruar të paligjshme rregulloren, e cila i jep kompanisë rajonale për menaxhimin e mbeturinave “Pastrimi” të drejtën për inkasimin e faturave dhe grumbullimin e mbeturinave në territorin e Prishtinës.
Ndërkohë, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka vlerësuar se rregullorja është e ligjshme, ndërsa Gjykata Supreme ka obliguar Komunën e Prishtinës që t’i kthejë kompanisë “Pastrimi” paratë e inkasuara për një periudhë gjashtëmujore nga faturimi i mbeturinave.