Gjykata lëshon urdhëresë për sjellje me detyrim ndaj Ish-deputetit Ismajl Kurteshi - Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi

    Gjykata lëshon urdhëresë për sjellje me detyrim ndaj Ish-deputetit Ismajl Kurteshi

    Insajderi
    15 November 2021 - 14:56
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Për shkak se ish-deputeti Ismajl Kurteshi nuk e ka arsyetuar mungesën në seancën e paraparë për të hënën, ndaj tij Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim.

    Kurteshi së bashku me ish-deputetin Haxhi Shala po akuzohen për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Gjykatësi Eroll Gashi bëri të ditur se i akuzuari Kurteshi ka qenë i ftuar përmes procesverbalit të kaluar për seancën e sotme, por i njëjti nuk e ka arsyetuar mungesën.

    Avokati Rrahim Ajeti, i cili zëvendëson me autorizim mbrojtësen e Kurteshit, avokaten Teuta Zhinipotoku, ka thënë se i mbrojturi i tij nuk mund të paraqitet në këtë seancë, por se nuk i din saktë arsyet.

    Në këto rrethana, gjykatësi Gashi tha se ndaj të akuzuarit Ismajl Kurteshi lëshohet urdhëresë për sjellje me detyrim.

    Seanca e radhës u caktua për 26 nëntor.

    Fillon seanca ndaj ish-deputetëve të akuzuar për gazin lotsjellës

    Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka filluar seanca gjyqësore në rastin ndaj ish-deputetëve Haxhi Shala dhe Ismajl Kurteshi, të akuzuar për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.Të ngjajshme

    Ndryshe, ky rast ka qenë duke u gjykuar në Departamentin e Krimeve të Rënda, por tani lënda ka kaluar për gjykim në Departamentin e Përgjithshëm, tek gjykatësi Eroll Gashi.

    Sipas aktakuzës së ushtruar më 8 janar 2016, Ismajl Kurteshi dhe Haxhi Shala po akuzohen se më 30 nëntor 2015, rreth orës 11:00, në sallën e Seancave Plenare në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë, me qëllim të ndërprerjes së punimeve të seancës, kanë hedhur gazin lotsjellës, të cilën e posedonin pa autorizim.

    Sipas aktakuzës, derisa Kryetari i Parlamentit ishte duke i njoftuar deputetët me rendin e ditës, të akuzuarit Kurteshi dhe Shala e kishin aktivizuar gazin lotsjellës.

    Për këto veprime, Ismajl Kurteshi dhe Haxhi Shala po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshme” nga neni 375 par.1 të Kodit Penal.

    Kurteshi dhe Shala po akuzohen edhe se kishin penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, përkatësisht pjesëtarët e Policisë dhe deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

    Një gjë të tillë, Haxhi Shala akuzohet se e ka bërë në cilësinë e deputetit nga radhët e Nismës për Kosovën, ashtu që me disa deputetë të tjerë janë munduar që ta pamundësojnë shoqërimin në Polici të deputetit Albin Kurti nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës si dhe kishte hedhur gaz lotsjellës duke pamundësuar mbajtjen e seancës plenare.

    Kurse, Kurteshi akuzohet se në seancën e 30 nëntorit 2015, kishte hedhur gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit duke pamundësuar mbajtjen e seancës.

    Për këto veprime, Kurteshi dhe Shala akuzohen edhe për veprën penale “Pengimi i personit zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 409 par.1 lidhur me nenin 81 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark