
Gjykata Themelore në Prizren e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për paraburgimin e asamblesitit të LVV-së, Adem Shabanaj dhe dy të dyshuarve tjerë Kreshnik Krasniqi dhe Krenar Krasniqin. Ata dyshoheshin për veprën penale “Pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”.
Këtë për Insajderin e ka konfirmuar zëdhënësi i Gjykatës Themelore në Prizren, Marcel Lekaj, i cili shtoi se ndaj të dyshuarve është caktuar masa e arrestit shtëpiak
“Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, Gjyqtari i procedurës paraprake, Lulzim Hoxha, me datë 03.02.2024, ka marrë AKTVENDIM, është refuzuar kërkesa e Prokurorisë Themelore në Prizren, për caktimin e paraburgimit ndaj tre (3) të pandehurve, K.K., K.K. (2), për shkak të dyshimit zë bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare nga neni 401, par. 5 lidhur me par. 4. Dhe nenin 31 të KP-së, dhe A.Sh., për shkak të dyshimit zë bazuar se ka kryer veprën penale, pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, nga neni 401 par. 5 lidhur me par. 1 të KP-së“.
“Ndaj të pandehurve i’u është caktuar masa e ARRESTIT SHTËPIAK, e cila mund të zgjasë deri më datë 02.03.2024. Nëse të pandehurit e shkelin masën e arrestit shtëpiak, ndaj të njëjtëve do të caktohet masa e paraburgimit”, konfirmoi ai.
Marcelaj shtoi se këtë masë do ta mbikëqyrë Stacioni Policor në Prizren, të cilët edhe pa kërkesën e Gjykatës në çdo kohë mund të verifikojnë zbatimin e kësaj mase, dhe pa vonesë të njoftojnë Gjykatën për cenimin e mundshëm të kësaj mase.
Të njëjtit u arrestuan nga Policia të premten, nën dyshimin se u kapën me zyrtarë policor gjatë një intervenimi të tyre për ta ndaluar një person që dyshohej për drogë.
/Insajderi