Gjykata Themelore Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur masën e paraburgimit ndaj Harbin Vitija, i dyshuar se ka kryer veprën penale Vrasja në tentativë
Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit H.V dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji.
“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri H.V me datë 13.06.2024, rreth orës 21:20 minuta, në rrugën “Xheladin Hana” në Prishtinë, për shkak të mosmarrëveshjeve të ndodhura më parë me persona ende të panjohur dhe me qëllim të hakmarrjes tenton të privojë nga jeta personat të cilët banonin me qera në një banesë në rrugën “Xheladin Hana” dhe me atë rast me dashje e kishte vënë në rrezik jetën e një ose më shumë personave të tjerë, duke shkuar prapa banesës në fjalë dhe nga aty kishte shkrepë rafalë me armë zjarri disa herë në drejtim të kësaj banese, ku gjatë të shtënave plumbat kishin goditur edhe një banesë tjetër dhe pastaj i pandehuri H.V kishte ikë nga vendi i ngjarjes duke qëndruar në arrati, derisa Policia ka arritur të arreston të njëjtin“, thuhet në njoftim.
Kush është “Plaki i Bregut” që i terrorizoi banorët e Bregut të Diellit?
Kjo nuk është hera e parë që Vitija kryen vepër penale. 23 vjeçar, por nga viti 2016-të është përfshirë në disa raste, përkatësisht botën e krimit.
Se është recidivist e kishte konfirmuar edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
“Vrasje në tentativë”, “Lëndim i rëndë trupor”, “Posedim i paautorizuar i narkotikëve”,”mbajtje pa leje e armës”, “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm janë disa prej veprave penale për të cilat dyshohej e dyshohet Harbin Vitija. Në një rast atij edhe i ishte shqiptuar dënim me burgim e gjobë.
Natën e 13 qershorit, Harbin Vitija i njohur me nofkën “Plaki i Bregut” dyshohet se gjuajti me kallashnikov AK 47 në drejtim të një grupi, me të cilët një ditë më parë ishte fjalosur. Palët e përfshira në rast janë duke u kërkuar nga Policia. Në natën kritike policia bastisi edhe një lokal.
Në vendin e ngjarjes u sekuestruan 19 gëzhoja ndërkohë gjatë bastisjes janë gjetur disa fishekë, jelekë ushtarak dhe substance narkotike.
Prokuroria konfirmoi për Insajderin të premten se janë duke kryer hetime intensive për rastin. Ndërkohë që është hapur rast nën dyshimin se janë kryer disa vepra penale si “Vrasja e rëndë në tentativë”, “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm.
Por kjo nuk është hera e parë që “Plaki i Bregut” bie ndesh me ligjin.
Që nga viti 2016-të, pra që 9 vite ai është përfshirë në disa raste. Madje edhe ishte dënuar, kishte mbajtur burg.
Ishte korriku i 2016-ës kur Harbin Vitija gjuajti me armë zjarri në festivalin e njohur si “Beer Fest” që po mbahej në sheshin “Nëna Tereza”.
Me ç‘rast qytetarët e tubuar kishin filluar të ikin dhe gjatë ikjes një numër i madh i tyre kishin marrë lëndime trupore të natyrave të ndryshme, me ç’rast ekzistonte dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe veprën penale mbajtje në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve.
Disa ditë pas, 16 gusht Vitija, Policia e Kosovës kishte arritur ta arrestonte Harbin Vitijën atëkohë 15 vjeçar. Ndaj të njëjtit ishte caktuar masa e paraburgimit prej 1 muaj.
Edhe në vitin 2020, ai u përfshi në një rast kriminal. Ndaj tij ishte ngritur aktakuzë për veprën penale: “vrasje në tentativë” dhe “posedim i paautorizuar i armës”.
Sipas aktakuzës së ngritur më 25 nëntor 2020, Harbin Vitja akuzohej se me 11 qershor 2020, rreth orës 21:30, në lokalin “Amarito”, në rrugën “Rrahim Beqiri’” në Prishtinë, pas një mosmarrëveshje verbale e cila kishte ndodhur dy muaj më parë me të dëmtuarin F.Z në natën kritike takohet rastësisht me të dëmtuarin në lokal.
Në aktakuzë thuhet se në momentin që dalin jashtë, i akuzuari e sulmon me armë të ftohtë (thikë) të dëmtuarin Zogjani, ku pastaj largohet, me ç’rast atij i shkakton dëmtime të rënda trupore në regjionin e fytyrës, ku si pasojë e këtyre lëndimeve i dëmtuari i është nënshtruar intervenimit kirurgjik.
Më 10 dhjetor 2020, i akuzuari Vitija ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me 5 vite burgim për veprën penale të vrasjes në tentativë, kurse me 2 mijë euro gjobë për veprën penale të armëmbajtjes pa lej
Rasti ishte kthyer në rigjykim. Me 7 qershor 2021-ës, Vitija para trupit gjykues deklaroi “Jo nuk e pranoj fajësinë”.
Në nëntor të 2022-ës, Policia e Kosovës me urdhëresë të gjykatës kishte arritur të arrestojë Harbin Vitijën lidhur me rastin për të cilin ishte dënuar me burgim.
Ai ishte arrestuar dhe dërguar në vuajtje të dënimit për rastin e “lëndimit të rëndë trupor” ndaj F.Z.
Rreth profilit të tij kriminal, Gazeta Insajderi ka kërkuar detaje shtesë nga gjykata e prokuroria.
Por, i vetmi rast që është konfirmuar është ai 13 qershorit të 2024-ës i gjuajtjes me armë zjarri në Bregun e Diellit, nën arsyetimin se nuk mund të japin detaje shtesë për shkak të hetimeve.
Zëdhënësja e prokurorisë, Laureta Ulaj konfirmoi se ndaj Harbin Vitijës dhe një person tjetër është hapur rast.
“Ju njoftojmë se në këtë fazë nuk mund të japim shumë detaje për shkak të hetimit intensiv që po bëhet, si dhe verifikimit të informatave dhe provave ndaj këtij rasti, andaj aktualisht, mund t’iu njoftojmë se Prokuroria Themelore e Prishtinës ka iniciuar rast ndaj dy (2) personave, për shkak të dyshimit të kryerjes së veprave penale “Vrasja e rëndë në tentativë”, “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, sipas KPRK-së”, ishte shprehur Ulaj për Insajderin.