Grupi i dyshuar kriminal i cili u arrestua të hënën nga Policia e Kosovës sot është paraqitur para gjykatës.
Katër të dyshuarëve gjykata iu ka caktuar një muaj paraburgim.
Këtë e ka konfirmuar edhe njëri nga avokatët mbrojtës të akuzuarëve.
“Gjykata ka marrë vendim që t’i lë në paraburgim katër të dyshuarit”, ka thënë Shqipron Zymeri avokat i Hysni Hoxhës.
Të hënën Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë, ka arrestuar katër persona që dyshohet të jenë përfshirë në veprimtari kriminale.
Aksioni i policisë është kryer në rajonin e Prishtinës.
Për shkak të rrezikshmërisë së lartë, arrestimi i personave të dyshuar është bërë në mbështetje të Njësisë Speciale Intervistuese dhe Njësisë së Reagimit të Shpejtë.
Driton Sylejmani, Xhevet Mehanja, Hysni Hoxha dhe Tefik Shalaku, janë të dyshuar për tentim vrasje, rrahje, detyrim, zjarrvënie e vepra të tjera kriminale.
Sipas prokurorisë, dyshohet se ky grup ka operuar me pagesë për të rrahur persona të caktuar.
Të njëjtit dyshohet se kanë kryer veprimtari tjera kriminale me porosi, duke caktuar çmimin varësisht prej intensitetit të aktit.
Katër personat e arrestuar që dyshohen se janë përfshirë në aktivitete të kundërligjshme janë shoqëruar në stacion policor.
Të dyshuarit janë intervistuar dhe më pas me vendim të Prokurorit të Shtetit janë dërguar në mbajtje.
Gjatë kontrollit dhe bastisjeve të kryera në pronat e këtij grupi janë sekuestruar: dy armë të gjata, katër armë të shkurtra, 43 fishekë, pesë mijë euro, dy automjete, 4 telefona, mjete të forta.