Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur t’ia vazhdojë paraburgimin edhe për dy muaj Milun Milenkoviq, të njohur si “Lune”, serbit të arrestuar përpara një muaji nga Policia e Kosovës në veri të Mitrovicës.
Një gjë të tillë për Gazetën Insajderi e bëri të ditur zëdhënësja e Gjykatës së shkallës së parë në Prishtinë, Mirlinda Gashi, një ditë përpara se t’i përfundonte afati për paraburgim të dyshuarit.
“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special në çështjen penale kundër të pandehuri M.M, pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ka vendosur lidhur me masën e sigurisë. Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për vazhdimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit M.M, ashtu që masa e paraburgimit i është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy)muaj”, njofton Gashi.
për “Lune”-n thuhej se është njëri nga organizatorët kryesor të sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR’it gjatë trazirave të 29 majit në veri.
Sipas ministrit Sveçla, “Lune” është një nga udhëheqësit e formacionit kriminal “Mbrojtja Civile” dhe “bosi” i bandave kriminale ndër vite në veri.
Tutje, ministri tha se ai ka qenë organizator i sulmit ndaj forcave të KFOR’it.
“Policia e Kosovës sot ka arrestuar Milun Milenkovic- Llune, një nga udhëheqësit e formacionit kriminal “Mbrojtja Civile” dhe prijësin e bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë, kanë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës. I njejti ka qenë edhe organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan”, ka bërë të ditur Sveçla.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati thënë se arrestimi i “Lune” nga Njësia Speciale e Policisë së Kosovës çoi në hakmarrje nga ana e shtetit serb, kur kidnapoi Rifat Zekën, Beqir Sefajn dhe Shemsi Mustafën.
“Dyshojmë që ata janë rrëmbyer nga ushtria e Serbisë, qartazi si hakmarrje e Serbisë për arrestimin e djeshëm të kriminelit famëkeq Millun Millenkoviq – Lune, i cili paraqet një ndër krerët e krimit të organizuar dhe kontrabandës”, pati shkruar ai në ‘Facebook’. /Insajderi.org/