Gjykata Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se ka vendosur masën e paraburgimit për një muaj për dy shtetas të Serbisë, të cilët ishin arrestuar një ditë më parë në veri të Kosovës për “posedim të paautorizuar të armëve dhe narkotikëve”.
Më 31 maj, Policia e Kosovës bëri të ditur se kishte arrestuar dy serbë, pasi që u ishin gjetur “disa pajisje të kundërligjshme, përfshirë maska kamuflazhi, emblema me simbole nacionaliste, dokumentacione”.
Në mesin e gjësendeve që Policia raportoi se gjeti në veturën e tyre kishte edhe thika, flamur serb, si dhe disa lloje të dyshuara të substancave narkotike.
Ata akuzohen për “përgatitje të veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, dhe “pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”.
Një ditë më parë, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte caktuar masën e paraburgimit për dy muaj edhe për dy persona të tjera, të dyshuar për përfshirje në përleshjet në Zveçan më 29 maj.