Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë, duke ua caktuar masën e paraburgimit Adem Sopës, Shefit të Departamentit të Prokurimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, B.B, një tjetër zyrtari në MPB dhe biznesmenëve Naim Selmani dhe Gëzim Hoti.
Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Policia e Kosovës të hënën ka arrestuar të apostrofuarit nën dyshimin për keqpërdorim me tenderë dhe përfshirje ryshfeti në MPB.
Gazeta Insajderi kishte raportuar shtatë muaj më parë për një tender afro dy milionë euro për ndërtimin objektit Agjencisë së Kosovës për Mbrojtje nga Rrezatimi, ku doli që kishte shkelje ligjore. I arrestuari Naim Selmani është pronari i operatorit ekonomik “ARBËRI-NS” SH.P.K. që u shpërblye me tenderin në fjalë.
Insajderi përpara shtatë muajsh raportonte se në fund të nëntorit të vitit të kaluar Ministria e Punëve të Brendshme e drejtuar nga Xhelal Sveçla kishte hapur një tender që parashikonte t’i shpenzonte me të më shumë se sa 5 milionë euro të kuletës së shtetit. Po planifikonin ndërtimin e objekteve për Shërbimin Gjeologjik të Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Mbrojtje nga Rrezatimi.
Për më shumë se një vit, ndodhën një sërë zhvillimesh në këtë tender të majmë, derisa në fund mbeti vetëm një lot.
Më 10 tetor të 2022-ës, MPB-ja bënte me dije se për tenderin: “Ndërtimi i objekteve Administrative – Agjencive për IRK” me afro 2 milionë euro shpërbleu kompaninë “Arbëri –NS” SH.P.K., pronë e biznesmenit Naim Selmani nga Malisheva.
Katër ditë më vonë, një nga kompanitë në garë i shkruante letër Zyrës së Kryeministrit, e në të cilën letër mbahej i informuar edhe ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi ku denoncoheshin shkeljet e ligjit të bëra nga dikasteri i Sveçlës për këtë tender.
Aty ngriteshin akuza që MPB e Organi Shqyrtues i Prokurimit po funksionojnë bashkë, siç thuhet për të kontrabandar 2 milionë euro të një kompani e papërgjegjshme.
“Neve kemi dorëzuar ofertën tonë dhe po mundohemi me rruge ligjore të arrijmë deri tek drejtësia për projektin “Ndërtimi i objekteve Administrative – Agjencive për IRK-LOT 3” pasi qe AK-MPB ka rekomanduar me shkelje ligjore OE të papërgjegjshëm pasi që AK ne bashkepunim me OSHP-në po mundohen ti kontrabandojnë kundërligjshëm rreth dy milionë euro, ju njoftojmë se ne nuk do të ndalemi dhe do te iniciojmë procedura penale ndaj grupit te organizuar së bashku OSHP e MPB”, thuhej në letrën e siguruar nga Insajderi.