Gjykata pranon pjesërisht kërkesën e ZPS-së, ndalon disa vizitorë për Thaçin - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Gjykata pranon pjesërisht kërkesën e ZPS-së, ndalon disa vizitorë për Thaçin

    Insajderi
    19 August 2025 - 11:10
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendimi për të vendosur kufizime në vizitat e Hashim Thaçit për 11 persona, në kuadër të çështjes ndaj tij për pengim të administrimit të drejtësisë.

    Ndonëse Prokuroria kërkoi që të ndaloheshin edhe vizitat për tre vëllezërit e Thaçit, kjo kërkesë u refuzua, ndërsa u miratua për 11 persona të tjerë. Konkretisht, ndalesa u vendos për Artan Behramin, Blerim Shalën, Ismail Sylën, Vllaznim Kryeziun, Milaim Ahmetajn, Milaim Cakiqin, Avni Kastratin si dhe katër persona të tjerë, emrat e të cilëve janë të redaktuar, ngjashëm si në rastin e vëllezërve të Thaçit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Gjykatësi i Procedurës Paraprake thekson se kufizimet e miratuara në këtë vendim kufizohen vetëm në vizitat jo të privilegjuara të z. Thaçi në Objektin e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara nga: Artan Behrami, Blerim Shala, Ismail Syla, Vllaznim Kryeziu, [REDAKTUAR], [REDAKTUAR], Milaim Ahmetaj, Milaim Cakiqi, Avni Kastrati, [REDAKTUAR] dhe [REDAKTUAR]. Këto kufizime do të hyjnë në fuqi menjëherë pas njoftimit të këtij vendimi për z. Thaçi”, thuhet në vendim.

    Ky vendim është marrë më 18 gusht 2025 nga gjyqtarja e procedurës paraprake, Marjorie Masselot.

    Prokuroria e justifikoi kërkesën e saj me pretendimin se këta persona, gjatë vizitave të mëparshme, kanë folur me zë të ulët me Thaçin dhe se ky i fundit iu ka dhënë udhëzime për t’i përcjellë te dëshmitarët. Sipas Prokurorisë, ka arsye legjitime për t’u ndaluar vizitat e tyre. Po ashtu, në lidhje me kërkesën për ndalim të vizitave për tre vëllezërit e Thaçit, Prokuroria argumentoi se edhe nëse këta ndalohen, Thaçi ka dy vëllezër të tjerë që mund ta vizitojnë.

    Nga ana tjetër, mbrojtja e Thaçit, e udhëhequr nga avokatja Sophie Menegon, kundërshtoi kërkesën e Prokurorisë, duke argumentuar se kufizimet e propozuara janë të panevojshme dhe cënojnë të drejtat themelore të Thaçit për jetë private dhe familjare. Po ashtu, Prokuroria kërkoi që gjatë vizitave të ndalohet diskutimi për çështjen për krime lufte apo për atë kundër administrimit të drejtësisë, ndërsa mbrojtja kundërshtoi, duke theksuar se Thaçi nuk duhet të ndalohet të diskutojë çështje që janë tashmë të disponueshme publikisht.

    Gjyqtarja e procedurës paraprake konstatoi se kufizimet e kërkuara janë të nevojshme për të zbutur rrezikun e zbulimit të informacioneve konfidenciale që lidhen me dëshmitarët e mbrojtur të Prokurorisë. Ajo vlerësoi se këto kufizime vlejnë vetëm për individët për të cilët ka tregues të besueshëm se kanë qenë pjesë e vizitave jo të privilegjuara, ku Thaçi ka zbuluar informacione konfidenciale.

    Në një rast konkret, për një nga personat me emër të redaktuar, gjyqtarja thekson se ai është emëruar konsulent në ekipin mbrojtës të Thaçit në çështjen për krime lufte, në bazë të një letre konfidenciale të dorëzuar nga mbrojtja. Sipas vendimit, ky person më 1 korrik 2023 ishte pjesë e një vizite te Thaçi, në të cilën ai, bashkë me Artan Behramin dhe Avni Kastratin, kishin diskutuar në lidhje me dëshminë e një dëshmitari të mbrojtur. Gjyqtarja vlerësoi se kjo përbën një indikacion të besueshëm që ai mund të jetë përfshirë në sjellje të papranueshme për integritetin e procedurës.

    “Duke marrë në konsideratë të gjitha rrethanat dhe faktorët e përmendur më sipër si një tërësi, Gjykatësi i Procedurës Paraprake e konsideron të nevojshme të ndalohet [REDAKTUAR] nga mbajtja e vizitave jo të privilegjuara me z. Thaçi në praninë e palëve të treta”, thuhet në vendim.

    Lidhur me tre vëllezërit e Thaçit, Masselot thekson se më 12 gusht dhe 1 tetor ata, së bashku me Thaçin dhe persona të tjerë, kishin diskutuar për dëshmitarë të mbrojtur dhe për mënyrën si duhet të dëshmojë një dëshmitar. Po ashtu, u tha se u diskutua edhe për dëshminë e një dëshmitari viktimë në një seancë private. Masselot thotë se këto përbëjnë indikacione të besueshme se tre vëllezërit e Thaçit kanë marrë pjesë në vizita në të cilat janë zbuluar informacione konfidenciale nga i akuzuari.

    Megjithatë, ajo vlerëson se në një mjedis paraburgimi, e drejta për respektimin e jetës familjare është thelbësore për të paraburgosurin, përfshirë kontaktin me vëllezërit. Gjyqtarja Masselot mori parasysh edhe parashtrimet e mbrojtjes se vëllezërit e Thaçit i ofrojnë atij mbështetje morale gjatë këtij procesi dhe se babai i tij kishte ndërruar jetë së fundmi. Ajo pranoi se në rrethana të tilla, ruajtja e kontaktit me anëtarët e familjes, përfshirë edhe vëllezërit, është thelbësore. Si rrjedhojë, kërkesa e Prokurorisë për të ndaluar vizitat e tyre u refuzua.

    Ndërkohë, për kërkesën për vendosjen e kufizimeve lidhur me bisedat për çështjet e krimeve të luftës dhe ato të administrimit të drejtësisë, gjyqtarja Masselot vendosi se kjo nuk është e nevojshme.

    “Në dritën e sa më sipër, Gjykatësi i Procedurës Paraprake konstaton se kufizimet e kërkuara mbi bisedat për çështjet e z. Thaçi, për aq sa ato kanë të bëjnë me informacionin publikisht të disponueshëm, nuk janë as të nevojshme dhe as proporcionale, dhe rrjedhimisht refuzohen”, thuhet në vendim. Po ashtu, theksohet se këto kufizime do të rishikohen çdo tre muaj.

    Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai po gjykohet për krime lufte dhe, vitin e kaluar, ndaj tij është ngritur edhe një aktakuzë për pengim të administrimit të drejtësisë.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar më 30 shtator 2022 dorëzoi aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Aktakuza përbëhet nga dhjetë pika, duke i ngarkuar ata me përgjegjësi për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Më 29 prill 2022, kjo Zyrë kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ku thuhej se të katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë dhe Semetishtë.

    Më 9 nëntor 2020, në paraqitjen e tyre të parë, Jakup Krasniqi dhe Hashim Thaçi u deklaruan të pafajshëm. Po ashtu, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi u deklaruan të pafajshëm në paraqitjet e tyre përkatëse më 10 dhe 11 nëntor. Aktakuza kundër tyre është konfirmuar më 26 tetor 2020.

    Në lidhje me rastin për pengim të administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK më 6 dhjetor 2024, në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga. Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë po më 5 dhjetor 2024, sipas njoftimit të DhSK-së. Ndërsa Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur në seancën e parë, që u mbajt më 9 dhjetor.

    Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe në bashkëpunim me grupet: Grupi Fazliu (Fadil dhe Fahri Fazliu), Grupi Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) dhe Grupi Kilaj (Isni Kilaj dhe Vllaznim Kryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar zyrtarët në përmbushjen e detyrave zyrtare.

    Thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objekte paraburgimi, ndërkohë që ndodhej në paraburgim lidhur me çështjen e krimeve të luftës dhe kundër njerëzimit. Anëtarët e grupeve përkatëse janë koordinuar për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të privilegjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.

    Si pasojë, Thaçit i rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës. Ndërsa Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë për pengim të zyrtarëve dhe mosbindje ndaj gjykatës. Hajredin Kuçi përballet me dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    27 September 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark