×
  • Lajme
  • Lajme

    Gjykata Themelore edhe në rivendosje konfirmon aktakuzën ndaj “Kobrës” dhe të tjerëve

    Insajderi
    20 August 2024 - 11:01
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gjykata Themelore në Prishtinë edhe në rivendosje ka refuzuar si të pabazuara kërkesat për kundërshtim të provave dhe hudhje të aktakuzës të ushtruara nga mbrojtja e të akuzuarve Dibran Hoxhaj i njohur si “Kobra”, Jesmir Badallaj dhe Roland Susuri, duke konfirmuar kështu aktakuzën e Prokurorisë Speciale ndaj tyre.

    Kobra dhe të tjerët akuzohen për rastin e vrasjes së V.C më 3 janar 2023 në lokalin “Kobra City” në Prizren.

    “Refuzohen kërkesat për kundërshtimin e provave dhe hedhjen e aktakuzës… të paraqitura nga av. Florent Latifaj mbrojtës i të pandehurit Dibran Hoxha, av.Jeton Rekathati, mbrojtës i të pandehurit Jesmir Badallaj, av.Sahadete Gashi, mbrojtëse e të pandehurit Roland Susuri, si të pabazuara”, “Në këtë çështje penale do të vazhdohet me procedim sipas kësaj aktakuze pasi që ky aktvendim të bëhet i plotfuqishëm”, thuhet në aktvendimin e Themelores të marrë më 5 gusht të këtij viti.

    “Gjykata thekson se qëllimi i kundërshtimit të provave dhe kërkesës për hudhje të aktakuzës, të parashikuar nga KPP, është të eliminohen lëndët që vërtetë nuk kanë meritë dhe të mbrohen të pandehurit nga ekspozimi i pajustifikuar dhe potencialisht i gjatë në shqyrtimin giyqësor. Në kundërshtim me KPPK-në, sipas struktures ligjore te KPP-së, gykata nuk ka me të drejtë të vleresojë plotësisht aktakuzën dhe pranueshmërinë e provave duke vepruar sipas detyrës zyrtare“, thuhet në aktvendim të Gjykatës Themelore, të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”.

    Ndërkaq, mbrojtësi i Hoxhajt, avokati Florent Latifaj në ankesë kishte pretenduar se deklaratat e dëshmitarëve dhe të dëmtuarve janë marrë në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale dhe se aktakuza ndaj klientit të tij është bazuar në deklarimet e bashkë-të akuzuarve të marra në procedurë paraprake, që sipas mbrojtjes janë në kundërshtim me KPPRK-në. Andaj, Latifaj ka kërkuar hudhjen poshtë të aktakuzës dhe të provave.

    Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Badallaj, avokati Rekathati përmes ankesës ka pretenduar se dëshmitë e të dëmtuarve Rutgen dhe Arben nuk konsistojnë më njëra-tjetrën, duke pas kundërthënie, andaj i njëjti ka kërkuar nga Themelorja që të shpallën si të papranueshme dhe të veçohen nga shkresat e lëndës, duke kërkuar hudhjen poshtë të aktakuzës dhe të provave.

    Kurse, mbrojtësja e të akuzuarit Susuri, avokatja Sahadete Gashi ka pretenduar se aktakuza nuk i plotëson elementet e domosdoshme, siç janë provat në të cilat duhet të mbështetet si dhe kundërshtoi cilësimin e veprimit inkriminues për të mbrojturin e saj. Sipas saj, aktakuza u ngrit në bazë të deklarimeve të bashkë-të pandehurve, veprim ky në kundërshtim me KPPRK-në. Në fund, Gashi ka kërkuar hudhjen poshtë të aktakuzës dhe të provave.

    Kujtojmë se Gjykata Themelore e Prishtinës përmes aktvendimit të 29 prillit 2024, kishte refuzuar kërkesën e mbrojtjes, duke e konfirmuar kështu aktakuzën ndaj të lartcekurve.

    Por, duke mos u pajtuar me vendimin e Themelores mbrojtja ishte ankuar në Gjykatën e Apelit, ndërsa kjo e fundit rastin e kishte kthyer në rivendosje.

    Ndryshe, në seancën fillestare më 7 mars 2024 Dibran Hoxhaj i njohur si “Kobra”, Roland Susuri, Arben Vezaj, Burim Mazreku dhe Jesmir Badalli ishin deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzat për vrasjen e V.C më 3 janar 2023 në lokalin “Kobra City” në Prizren.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 20 shkurt 2024, ka ngritur aktakuzë kundër Dibran Hoxhajt i njohur si “Kobra” dhe Roland Susurit, Arben Vezajt, Burim Mazrekut dhe Jesmir Badallit, për vrasjen e shtetasit të Shqipërisë në Prizren një vit më parë.

    Në aktakuzë, “Kobra”, akuzohet se më 3 janar 2023, në ora 4:10, në afërsi të lokalit të tij “Kobra City”, në magjistralen Prizren-Zhur, me dashje ka privuar nga jeta V.C, duke vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarve R.T (Sh) dhe A.B.

    Deri të rasti, sipas aktakuzës së Prokurorisë kishte ardhur pasi të dëmtuarit nuk ishin pajtuar me faturën e lartë në lokal, duke filluar kështu një zënkë me punëtorët e lokalit.

    Pas zënkës, thuhet se viktima dhe të dëmtuarit, kishin hyrë në veturën “Mercedes”, me qëllim që të largoheshin nga lokali. Por, thuhet se tashmë i akuzuari Dibran Hoxhaj pasi ishte njoftuar për ngjarjen, në ato momente kishte arritur në lokal me veturën “Audi Q7”, pronë e dëshmitarit Enver Amrllahu. “Kobra”, thuhet se kishte hyrë në lokal, kishte marrë pistoletën dhe iu ka afruar veturës së të dëmtuarve.

    Sipas aktakuzës, nga motive të ulëta, demonstrimi i forcës së paskrupullt dhe kërcënim për të gjithë ata që e kundërshtojnë në çfarëdo mënyre, ka hapur derën e vozitësit tani të dëmtuarit R.T (Sh) dhe ka shkrepur me armë dhe ka plagosur në kofshë të djathë të dëmtuarin T (Sh).

    Ky i fundit, thuhet se kishte rritur shpejtësinë e veturës dhe kishte dalë në rrugë, por që i akuzuari “Kobra”, kishte shtënë me armë edhe katër herë tjera, duke goditur tashmë viktimën V.C në shpinë, pasi i njëjti ishte i ulur në ulëset e pasme të veturës.

    Viktima V.C, të cilit plumbi i kishte shkaktuar gjakderdhje të brendshme, nuk kishte arritur t’i përballonte plagët ku edhe kishte ndërruar jetë gjatë rrugës për në Spitalin e Kukësit.

    Më këtë, “Kobra”, akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, par.1, nënpar. 1.5 dhe 1.8 të KPRK-së.

    Ai po akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje nga neni 366, par.1 të KPRK-së, pasi thuhet se nga koha e pavërtetuar deri më 3 janar 2023, në lokalin e tij ka mbajtur në posedim një pistoletë gjysmë-automatike, me një karikator me kapacitet 13 fishekë, të cilin edhe e ka përdorur për të kryer veprën penale nga dispozitivi i parë si dhe një pistoletë tjetër me një karikator me 8 fishekë.

    Tutje në dispozitivin e dytë të aktakuzës thuhet se Roland Susuri dhe Burim Mazreku në lokalin “Kobra City” pas ngjarjeve të ndodhura i fshehin provat, ku fillimisht Mazreku me kërkesë të Dibran Hoxhës fsheh pistoletën si dhe armën tjetër. Aktakuza thotë se arma është gjetur nga ana e policisë në afërsi të lokalit “Kobra City”, kurse Susuri kishte fshehur DVR e kamerave të sigurisë së lokalit në vend të paidentifikuar.

    Me këto, veprime Susuri dhe Mazreku po ngarkohen për veprën penale “Manipulim me prova” nga neni 389, paragrafi 1 KPRK-së.

    Kurse në dispozitivin e tretë të aktakuzës, Roland Susuri, Jesmir Badalli dhe Arben Vezaj me qëllim të frikësimit të të dëmtuarve R.T dhe A.B dhe tani të ndjerit V.C., ku si të dëmtuar refuzonin të paguanin faturën prej 400 euro, gjatë rrahjes të pandehurit Susuri dhe Badalli me rrokin armën, kurse shkopin e bejsbollit Vezaj.

    Prandaj, për këto veprime Susuri, Badalli dhe Vezaj po ngarkohen për veprën penale “Pjesëmarrje në rrahje” nga neni 187, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 31 të KPRK-së.

    Në dispozitivin e katërt të aktakuzës Roland Susuri dhe Jesmir Badallaj po ngarkohen për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366, paragrafi 1 të KPRK-së.

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    22 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark