Avokati Kadri Begolli, ka kërkuar ndërprerjen e seancës ku Behar Halili, Shpëtim Tahiri dhe Mentor Beqiri po akuzohen për tentim vrasjen e kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës në Mitrovicë, Nexhat Fazliut, pasi që gjatë seancës është informuar se ka rezultuar pozitiv me Covid-19.
Në këto rrethana, kryetarja e trupit gjykues, Naime Krasniqi-Jashanica në pamundësi për të vazhduar më tutje, ka ndërprerë shqyrtimin gjyqësor, pasi që i akuzuari Shpëtim Tahiri ka deklaruar se nuk mund të vazhdojë pa mbrojtësin e tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktakuzës të pandehurit Behar Halili dhe Shpetim Tahiri po ngarkohen me veprat penale “Vrasje e rëndë në tentativë” dhe “Asgjësim apo dëmtimi i pasurisë”.
Ndërsa i pandehuri Mentor Beqiri, po ngarkohet me veprën penale shtytja në “Vrasje të rëndë në tentativë në bashkëkryerje” dhe “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”.
Në këtë seancë ishte prezent edhe prokurorja Besa Limani, të akuzuarit Mentor Beqiri me avokatin Musa Damati dhe Behar Halili me avokaten Albulena Sheholli-Xhema, i dëmtuari Nexhat Fazliu me avokatin Emin Zariqi dhe dëshmitarët Sokol Muja dhe Safet Islami, kurse munguan dëshmitarët Ramadan Dervishi dhe Bajram Berisha.
Duke qenë se trupi gjykues në këtë rast është i përbërë edhe nga gjykatësja Medie Bytyqi dhe gjykatësi Agim Kuçi, gjatë kësaj seance i dëmtuari Fazliu ka deklaruar se gjykatësja Medie Bytyqi ka dhënë urdhrin për bastisje në shtëpinë e tij si gjykatëse e procedurës paraprake para disa ditësh në një lëndë tjetër dhe se sipas tij, pa dashur të paragjykojë paanësinë e saj, i njëjti thotë se ka dyshimet e tij.
Tutje, ai tha se ka dyshime që njëri nga të akuzuarit ka ndikim tek shefi i operativës së Policisë Shkëlzim Xhafa dhe se bastisjen për në shtëpinë e tij e kanë përgatitur bashkë pasi sipas tij, personi në fjalë ka ndikim në Polici duke vazhduar se ndoshta e kanë futur në lajthim edhe gjykatësen në fjalë.
Lidhur me këtë gjykatësja Krasniqi-Jashanica i ka thënë të dëmtuarit që çdo rast të dyshimit mund ta paraqitet në Polici, Prokurori apo edhe Inspektorat Policor, por lidhur me atë se gjykatësja Bytyqi ka lëshuar urdhërarrest, sipas saj, ajo është thjeshtë një kërkesë që vjen nga prokuroria dhe gjykata e shqyrton.
E njëjta e ka njoftuar Fazliun se mundet që në zyrën e saj të parashtrojë kërkesë me shkrim me arsyet e veta dhe se e njëjta kërkesë do shqyrtohet më pas.
Po ashtu, ndonëse mbrojtësi i të akuzuarit Beqiri, avokati Damati kërkoi fjalën që të kundërshtojë deklarimet e të dëmtuarit, gjykatësja nuk e lejoi që të deklarohet.
Seanca e radhës pritet të mbahet me 24 mars 2022.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 29 prill 2021, të pandehurit Behar Halili dhe Shpetim Tahiri po ngarkohen me veprat penale, Vrasje e rëndë në tentativë dhe Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë.
Ndërsa i pandehuri Mentor Beqiri, po ngarkohet me veprën penale shtytja në Vrasje të rëndë në tentativë në bashkëkryerje dhe Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë.
Në aktakuzë thuhet se më 29 prill 2020 në udhëkryqin e fshatit Godanc, Komuna e Gllogocit, të pandehurit Behar Halili dhe Shpëtim Tahiri, në bashkëkryerje pas marrëveshjes paraprake të nxitur nga i pandehuri Mentor Beqiri, në shenjë të hakmarrjes për detyrën zyrtare të të dëmtuarit-dëshmitarit Nexhat Fazliu, kryeinspektor i Inspektoratit të Punës në Mitrovicë, me dashje që ta privojnë nga jeta, derisa i dëmtuari Fazliu ishte me veturën zyrtare duke shkuar në vendin e punës, të pandehurit i kishin dal përpara të dëmtuarit me veturën e tipit “BMW” pronë e të pandehurit Halili.
Tutje në aktakuzë thuhet se, të pandehurit ishin shtirur se dëshirojnë ta pyesin diçka dhe posa i dëmtuari kishte hapur derën që t’iu përgjigjet, të pandehurit e kishin kapur për krahu dhe e kishin nxjerrë nga vetura, duke e goditur në kokë dhe gjithë trupin me shkopinj bejsbolli dhe mjete të forta.
Aktakuza thotë që i dëmtuari është munduar që të ikë duke vrapuar, mirëpo ata e kishin ndjekur me vrap rreth 100 metra dhe pasi që e kishin zënë të dëmtuarin, kishin vazhduar ta godasin me mjete të forta derisa është alivanosur dhe rrëzuar pa ndjenja me ç’rast kishte pësuar ndrydhje dhe plagë shqyese ndrydhëse në regjionin e kokës dhe mjekrës dhe ndrydhje të indeve të buta në regjionin e parakrahut të majtë të cilat ishin kualifikuar si lëndime të lehta trupore.
Po ashtu sipas aktit akuzues, me datën, kohën dhe vendin e njëjtë të pandehurit Halili dhe Tahiri kanë dëmtuar edhe pasurinë e të dëmtuarit Fazliu, duke përdorur mjetet e forta dhe shkopinjtë e bejzbollit me dashje kanë goditur dhe dëmtuar veturën zyrtare të tij e cila ishte pronë e të dëmtuar – Inspektoratit të Punës me seli në Prishtinë.
Për të gjitha këto veprime të pandehurit Behar Halili dhe Shpëtim Tahiri po ngarkohen me veprën penale Vrasje e rëndë në tentativë dhe Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë.
Ndërsa, i pandehuri Mentor Beqiri sipas aktakuzës, me dashje kishte shtytë të pandehurit Behar Halili dhe Shpëtim Tahiri të kryejnë vepër penale në shenjë hakmarrje për detyrën zyrtare të të dëmtuarit Nexhat Fazliu pasi i njëjti kishte gjobitur kompaninë “Mab SHPK”, me pronar të pandehurin Mentor Beqirin me gjobë në shumë prej 10,000.00 (dhjetëmijë euro)./Betimi për Drejtësi