Në rastin ku Ekrem Bajroviq po akuzohet për krime lufte, dëshmitari Shefqet Berisha, i propozuar nga Prokuroria ka rrëfyer për përjetimet e tij gjatë vitit 1999.
Një deklarim të tillë, dëshmitari Berisha e bëri gjatë dëgjimit të tij, duke treguar për përjetimet e tij gjatë vitit 1999 në Staradran, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Fillimisht, dëshmitari Berisha deklaroi rreth asaj që kishte ndodhur më 7 maj të atij viti.
“Ka ndodh, një nuk muj as me përshkru çfarë tmerri ka ndodh atë ditë. Edhe muj me thanë që përmi se 50 mijë refugjatë kanë qenë atë ditë, asnjë ushtar i UÇK-së aty nuk u kanë. Këta e kanë nda kolonën, ky (i akuzuari Bajroviq) u kanë prezent me policët e Gurakocit edhe me paramilitar që kanë qenë me maska”, tha ai.
Tutje, ai tha se të akuzuarin Bajroviq e kishte njohur që nga vitet e 90-ta, ku tha se i njëjti ia kishte bastisur shtëpinë, pasi kishe refuzuar që të shkoj për shërbim ushtarak të Jugosllavisë.
“Kta e kom njoftë në vitet e 90-ta, ka ardhë ftesa me shku me për shërbim ushtarak në Jugosllavi, që unë kom refuzu, ky ka ardhë e ka bastisë shpinë teme dhe unë kom ikë … unë 4 vite nuk kom guxu me nejt në shtëpinë time”, shtoi dëshmitari Berisha.
Gjithashtu, ai deklaroi se e kishte parë të akuzuarin Bajroviq më 7 maj, në kodër të Staradranit duke e ndarë kolonën, për të cilin tha se kishte pasur uniformën e policisë dhe me kallash, duke shtuar se nuk ka qenë i maskuar.
Ndërsa, tha se pasi i kanë ndarë kolonat, këta i kanë dërguar tek një shkollë, ku kishin qëndruar deri të nesërmen më 8 maj, ku tha se aty e kishte parë përsëri të akuzuarin Bajroviq.
Në po të njëjtën ditë, në Zallcë, dëshmitari Berisha tha se njëri prej personave që kanë qenë duke i ndarë meshkujt nga familjet ka qenë edhe i akuzuari Bajroviq.
“Ky (Bajroviq) më kujtohet, Banjaci, Stojkovici ai u kanë i ulun, tu na prit, se këta e kishin bo ceremoninë me na llomitë. U kanë një shitore, aty kanë qenë mbi 300 njerëz”, tha dëshmitari Berisha.
Tutje, i njëjti deklaroi se si i kishin dërguar tek një lokal në Zallcë, pasi i kanë ndarë nga kolona, ku sipas tij aty edhe i kishin rrahur, pasi i kanë mbështetur për muri.
Ai tha se mendon se aty ka qenë i akuzuari Bajroviq, mirëpo se nuk ka mundur ta shoh, për shkak se kanë qenë të mbështetur për muri.
Ndërkaq, dëshmitari Berisha tregonte se si i kanë ngarkuar në një kamion më shumë se 100 persona, për t’i dërguar pastaj në Burgun e Gurakocit, ku tha se aty e kishte qenë edhe i akuzuari Bajroviq.
“Na kanë çu në Burg të Gjurakocit, aty u kanë edhe ky (Bajroviq). Aty na kanë shti nifar bodrumi të burgut, ka qenë dhoma 4 me 4, e kanë pru nifar kazani të madh, e kanë qit në mes për me i kry nevojat”, shtoi tutje ai.
Më pas dëshmitari Berisha tha se policia e kanë marrë burgun në dorë, ku sipas tij kishte ndodhur një rrahje.
I njëjti tha se aty në ora 10 të natës kishin filluar t’i merrnin në pyetje, duke shtuar që edhe i kanë rrahur dhe se i kanë kërkuar të pranojnë gjithçka që ata i thonë.
Kurse, për të nesërmen më 9 maj, dëshmitari Berisha tha se i kishin dërguar me autobus në Burgun e Pejës, ku sipas tij i kanë rrahur përsëri, dhe se kishin qëndruar aty deri më 10 apo 11 qershor.
Ndërsa, shtoi se më 10 apo 11 qershor, në ora 2 të natës i kishin larguar nga burgu, pasi kishin dëgjuar tek festohej falimentimi i Serbisë.
“Na kanë qit prej burgut, në 2 sahati të natës, çfarë tmerri, se e panë që e hupën Kosovën dhe u çfrynë në të burgosun”, tha dëshmitari Berisha.
E më pas, nga Burgu i Pejës, ai tha se i kishin dërguar me më shumë se 10 autobusë në Burg të Gurakocit për t’u furnizuar me derivate.
Kurse, më pas tha se i kishin dërguar në fshatin Leskoc, ku sipas tij në ata autobusë ishin futur njerëz të komunitetit rom dhe i kanë rrahur para syve të serbëve, nga të cilët sipas tij edhe kishin marrë urdhër për këtë gjë.
Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit Bajroviq, avokati Ljubomir Pantoviç e ka ballafaquar dëshmitarin Berisha me deklaratën e tij të dhënë në Stacionin Policor në Istog në vitin e kaluar, për të cilën ky i fundit deklaroi se qëndron pranë saj.
Sipas avokatit Pantoviç, dëshmitari Berisha në atë deklaratë nuk e kishte përmend të akuzuarin Bajroviq në asnjë rast.
Mirëpo, në lidhje me këtë, dëshmitari Berisha për disa prej rasteve tha se ndoshta ka harruar që t’i përmend aty, kurse tha se sot iu kanë kujtuar pasi e ka treguar të tërë ngjarjen.
Por për deklaratën e dhënë sot, ai tha se janë të vërteta ato që i ka thënë.
“Unë e jepa deklaratën tem, ça thash janë të vërteta”, tha dëshmitari Berisha.
Sipas aktakuzës së PSRK, të ngritur me 15 shtator 2023, Ekrem Bajrovic po akuzohet gjatë viteve 1998-1999 ka kryer krime lufte kundër popullsisë civile, në Komunën e Istogut dhe fshatrat përreth.
Në këtë aktakuzë, thuhet se i njëjti si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë, ka marrë pjesë dhe ka kontribuar në aplikimin e masave represive të vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturë, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, mbajtjes në kushte skllavërie, dëbimit dhe depërtimit të popullsisë civile, plaçkitjes, djegies dhe shkatërrimit të shtëpive të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar.
Sipas kësaj aktakuze, me 8 maj 1999, në fshatin Staradran, derisa kolona e popullsisë civile e nacionalitetit shqiptar ishte duke shkuar në drejtim të Shqipërisë, u ndal nga forcat policore dhe ushtarake serbe ku bënte pjesë edhe i akuzuari Bajrovic.
Tutje, thuhet se meshkujt janë ndarë nga pjesa tjetër e grupit, fillimisht ua marrin paratë dhe gjësendet e tjera me vlerë, e më pastaj të gjithë i vendosin në oborrin e shtëpisë së D.Z. duke i renditur në radhë një nga një, e me duar të ngritura lartë dhe me fytyrë nga muri i oborrit.
Më tej thuhet se të njëjtin janë rrahur me mjete të ndryshme dhe duke u shkaktuar lëndime të rënda trupore, si dhe duke ju thënë “ku e keni NATO-në, ku e keni UÇK-në”.
Po ashtu, aktakuza thotë se më pas i kanë dërguar një nga një në shtëpinë e Z.S. dhe i kanë pushkatuar të paktën 16 civilë të nacionalitetit shqiptar, me ç’rast mbijeton i dëmtuari/dëshmitari Naim Elshani, i cili kishte mbetur i plagosur, kurse 15 të vrarë.
Tutje, aktakuza thotë se me 7 maj 1999 në fshatin Staradran, ka marrë pjesë në arrestimin, kidnapimin dhe keqtrajtimin e 84 civilëve të nacionalitetit shqiptar.
Ashtu që fillimisht të dëmtuarit i ndajnë nga kolona e civilëve, u marrin të gjitha paratë dhe sendet e tjera me vlerë, e pastaj që të gjithë i dërgojnë në Gurakoc në lokalin e Shaban Sylës ku i kishin maltretuar dhe torturuar në mënyrë çnjerëzore.
Kurse, aktakuza thotë se me 8 maj 1999 i kishin transferuar në stacionin policor në Gurakoc, ku kolonës i printe i akuzuari Bajrovic dhe i njëjti e kishte goditur me pjesën e pasme të automatikut të dëmtuarin Azem Tuzi në anën e djathtë nën brinjë.
Ndërkaq, në fund aktakuza thotë se pas vendosjes në stacionin policor në Gurakoc kanë filluar duke i torturuar në mënyrë çnjerëzore duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, dhunë psikike, traumë dhe pasoja në shëndet dhe duke i kanosur seriozisht me jetë.
Andaj, sipas aktakuzës ekziston dyshimi i bazuar mirë se i njëjti në bashkëkryerje e ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile, e paraparë dhe sanksionuar me nenin 22 të Ligjit penal të ish RSFJ”.