Në mungesë të të akuzuarit Shukri Buja, ka dështuar të mbahet seanca e rigjykimit të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin e njohur si “Veteranët”. Ndaj tij, do të lëshohet urdhëresë për shoqërim.
Në këtë rast për keqpërdorim të detyrës zyrtare akuzohen ish-kryeministri Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.
Lidhur me mungesën e Bujës, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Gazmend Bahtiri bëri të ditur se i njëjti ka qenë i ftuar në mënyrë të rregullt, por që mungesën e tij nuk e ka arsyetuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndërkaq, mbrojtësi i tij i angazhuar sipas detyrës zyrtare, avokati Fadil Jashari tha se i mbrojturi i tij nuk ka qasje në telefon.
Në këto rrethana, gjykatësi Bahtiri tha se për Bujën do të lëshohet urdhëresë për shoqërim, kurse seanca e radhës u caktua të mbahet më 31 tetor 2023.
“Ndërsa, për të pandehurin Shukri Bujën, do të lëshohet urdhëresë për shoqërim, për këtë datë”, tha gjykatësi Bahtiri.
Po ashtu, i njëjti ka obliguar mbrojtësit sipas detyrës zyrtare që të pajisen me shkresa të lëndës nga të pandehurit, e në rast se ata nuk i posedojnë atëherë të paraqiten në Prokurori në mënyrë që seancat e radhës të mos shtyhen.
Ndryshe, seanca e 16 dhjetorit 2022 kishte dështuar në mungesë të të akuzuarve Fazliu dhe Elezaj, ndërsa ajo e 15 marsit 2023, ishte anuluar me kërkesë të prokurorit Valdet Gashi.
Seanca e 15 qershorit 2023, kishte dështuar për shkak se të akuzuarit Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Xhavit Jashari, nuk kishin angazhuar avokatë. Kurse, seanca e 18 shtatorit 2023 është anuluar për shkak se prokurori Valdet Gashi ishte në udhëtim zyrtar.