Në seancën e rigjykimit ndaj të akuzuarit Shaban Hasanaj, i cili akuzohet se ka tentuar ta vrasë tani të dëmtuarin Mirsad Gegollaj, ky i fundit deklaroi se e gjithë ngjarja ka qenë e organizuar që ai të vritet.
“Këtë e them se fillimisht para orës kritike, një orë përpara, pa ardhë i akuzuari dhe më ka përcjellë gjithë kohën. Ka dalë i akuzuari, ka ardhë tek lokali, ku gjithashtu ka qenë e organizuar, se natën kritike në stacion policor ka qenë vëllai i tij me gjithë mikun e tij dhe çdo gjë ka qenë e organzuar”, tha i dëmtuari Gegollaj.
Këto deklarime, i dëmtuari Mirsad Gegollaj i bëri të premten në rishqyrtimin gjyqësor pranë Gjykatës Themelore në Pejë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ai mohoi se i është bërë presion familjes Hasanaj, por sipas tij, sikur të kishte ndodhur një gjë e tillë, do ta kishte pritur të akuzuarin tek shtëpia e të Hasanajt e jo në shtëpinë e tij.
I dëmtuari tha se nuk kanë marrëveshje të shkruar lidhur me lokalin, mirëpo dëshmitarë të asaj marrëveshje kishin qenë familjarët e tani të akuzuarit.
“Nuk kam diçka tjetër të shtoj, përpos që të merret një vendim i duhur. Siç po shihet konflitki do të përsëritet prapë, ngase i pandehuri nuk është penduar dhe nuk ka kërkuar falje. Istogu është i vogël, i njëjti prapë sillet kah lokali si kapadai dhe unë e shoh si një lloj kërcënimi”, tha i dëmtuari Gegollaj.
Në anën tjetër, bashkëshortja e të akuzuarit Hasanaj, L.H., në cilësinë e dëshmitares tha se për këtë rast kishte dhënë deklarata edhe më herët në Polici, Prokurori dhe para Gjykatës dhe se qëndron pranë tyre.
Lidhur me natën kritike, ajo tha se i dëmtuari Gegollaj kishte shkuar tek shtëpia e tyre, duke bërë me sirenë disa herë, duke krijuar kështu zhurma të cilët kanë ngitur shqetësim tek ta.
Ajo tha se bashkëshorti i saj kishte qenë në shtëpi, mirëpo nuk i kishte dëgjuar pasi që nuk e kishte pasur aparatin e dëgjimit. Tha se më pas ajo i ka treguar për ndodhitë, pasi që e ka parë se kishte qenë vetura e të dëmtuarit.
“Burri ka zbritë në sallon, e kemi këqyrë situatën se a po ka lëvizje ma, s’ka vonuar shumë dhe ka ardhur Policia. Policia ka thënë se çka ka ndodhë, ia kemi treguar ngjarjen dhe në atë interval kohor s’ka pas disa minuta që ka shkuar (i akuzuari) në drejtim të Istogut, ka ardhur menjëherë policia”, tha dëshmitarja.
Ajo thotë se nuk e kishte parë që bashkëshorti i saj të ketë marrë revolen me vete dhe shtoi se vajza e tyre kishte shkuar me tani të akuzuarin, për mos ta lënë vetëm.
Kurse, dëshmitarja F.H., vazja e të akuzuarit Shaban Hasanaj tha se ka dhënë dëshmi në Polici, Prokurori dhe para Gjykatës, dhe se mbetet pranë tyre.
Ajo tha se lokalin e tyre e vizojnë kohë pas kohe, kur është nevoja edhe në orët e vona dhe herët në mëngjes.
Natën kritike, ajo tha se kishte shkuar me babanë e saj në lokal për ta kontrolluar. Tha se kishin kaluar vetëm rrugës kryesore dhe se nuk i kujtohej se a janë kthyer rrugës nga shtëpia e të dëmturit.
F.H., mohoi të kishte parë armën e të akuzuarit më herët, por tha se vetëm i ka dëgjuar të shtënat dhe asgjë tjetër.
Seanca e radhës pritet të mbahet në muajin korrik.
Në gjykimin e parë, Hasanaj ishte dënuar nga gjykata e shkallës së parë me dënim unik prej dy vite e dy muaj burgim për veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Përdorim i armës”, pasi iu rikualifikua vepra në shpallje të aktgjykimit nga “Vrasja në tentativë”.
Por, Apeli e ka kthyer në rigjykim për shkak se ka gjetur shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, me rastin e rikualifikimit të veprës penale nga “Vrasje në tentativë” në “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Sipas aktakuzës të ngritur më 22 gusht 2020 nga Prokuroria Themelore në Pejë, Shaban Hasanaj akuzohet se ka kryer veprën penale të tentim vrasjes dhe atë të përdorimit të armës, pasi në rrugën “Zahir Pajaziti” në Istog, në gjendje të zvogëluar mendore ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin Mirsad Gegollaj, për shkak të një mosmarrëveshje të mëhershme lidhur me një pronë.
Shabanaj po ashtu akuzohet se kishte shkelur Ligjin për Armë, duke keqpërdorë armën e tipit pistoletë, për të cilën kishte leje vetëm për shenjëtari, e me të cilën kishte shtënë në drejtim të të dëmtuarit, duke e lënë të plagosur.