Gjyqi kundër Mustafës- Kush është Armend Zeqiraj, biznesmeni që përfitoi në kurriz të Telekomit? - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Gjyqi kundër Mustafës- Kush është Armend Zeqiraj, biznesmeni që përfitoi në kurriz të Telekomit?

    Insajderi
    03 September 2023 - 12:52
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Në janar të vitit të ardhshëm, Agron Mustafa do të përballet me gjykatën. Mustafa akuzohet për dëmtim në vlerë përreth shtatë milionë euro të buxhetit të Telekomit pas nënshkrimit të kontratës me kompaninë “Paykos” që i solli përfitime milionëshe, pronar i së cilës është Armend Zeqiraj.

    Kompanisë së biznesmenit Armend Zeqirajt, “Paykos”, tetë vite më parë Mustafa ia kishte besuar një kontratë në vlerë milionëshe nga shitjet e mbushjeve të operatorit “Vala” e deri tek organizimi i lojërave shpërbylese.

    Biznesmeni Zeqiraj arriti ta fitojë kontratën vetëm katër muaj pasi që e kishte hapur “PayKos”-in. Sipas dokumenteve të ndryshme, kompania e biznesmenit Zeqiraj kishte fituar rreth 10 milionë euro për katër vite, nëse llogariten të hyrat nga shitjet që pati kompania, provizioni prej 9.7 për qind dhe zbritjet e bonuset që i shkonin “PayKos”-it.

    Nga viti i nënshkrimit, “PayKos” ka fituar rreth 7.5 milionë euro si komisione për shitje të mbushjeve, minimum rreth 1 milion euro bonuse për arritje të trageteve, si dhe minimum rreth 1 milion euro për blerjen e mbushjeve me çmime zbritjeje nga operatori. Kohëzgjatja ishte ndryshuar disa herë. Në tetor 2016, palët u pajtuan që marrëveshja të zgjasë deri në 2020 me mundësi vazhdimi edhe për 4 vjet të tjerë. Ndërsa në dhjetor të 2017-s u shtua një afat i ri 5- vjeçar, që fillonte më 1 janar 2018.

    Për përfitimet e majme të kompanisë së afaristit Armend Zeqiraj nga kontrata milionëshe me Telekomin gjatë kohës sa ishte në udhëheqësi të Agron Mustafës pati gjetje edhe nga Auditori i Përgjithshëm.

    Auditori i Përgjithshëm gjeti se Telekomi i rriti provizionet për të gjitha shërbimet që i kreu kompania “Pay-Kos gjatë vitit 2020, duke i mundësuar kompanisë private fitime qindra mijëra euro mbi kontratën bazë.

    “Ndryshimi i kushteve të kontratës, e rriti koston e provizioneve të shitjes me vlerë 366,630.52 euro”, u tha në raportin e ZKA-së për Telekomin për vitin 2020.

    Ndryshe nga kontrata bazë, që parashikonte provizion prej 9.7 për qind për kompaninë, në vitin 2020 biznesmeni Zeqiraj vendosi që ta rriste provizionin në 11.45 për qind.

    “Provizioni për shitjet mbi 0.5 milion nga 1% në 1.18%, provizionet për shitjet mbi 1 milion për tremujor nga 1% janë bërë 1.18%, provizionet për marketing nga 1.20% në 1.42% dhe provizioni vjetor mbi 5 milion në vit qarkullim nga 1% është bërë 1.18s%”, u tha ndër të tjera raportin e Auditorit.

    Në total, sipas Auditorit, ndryshimi i kushteve të kontratës, e rriti koston e provizioneve të shitjes në vlerë të 366,630.52 euro.

    Sikur të mos i mjaftonin përfitimet nga rritja e provizionit dhe aneks-kontratat, firma e Armend Zeqirajt e dërgoi Telekomin e Kosovës në Arbitrazh, duke i kërkuar 800 mijë euro dëmshpërblim.

    Krejt kjo, pasi që në qershor të vitit të kaluar Telekomi i Kosovës vendosi t’ia shkëpusë kontratën “Paykos”-it.

    Megjithatë, deri më tani nuk është mbajtur asnjë seancë në Arbitrazh.

    Prapa kontratës së dyshimtë, për të cilën Agron Mustafa do të përgjigjet në gjykatë në fillimvitin e ardhshëm, dyshohet se ekzistonte edhe një “dorë e dytë”. Gazeta Insajderi pati raportuar se prapa “Paykos”-it qëndron firma “Gekos”, me pronar Alban Maliqin.

    Firma e Maliqit pati përfituar në Kosovë miliona euro nga projekti i dështuar arkave fiskale, i cili është përcjellë më shumë dyshime nga komuniteti i biznesit.

    Kontrata e Telekomit të Kosovës me kompaninë “Paykos”, është përmendur disa herë nga deputetët që ishin pjesë e komisionit parlamentar për hetimin e dëmtimeve milionëshe që i janë bërë kësaj ndërmarrjeje publike.

    Procesi gjyqësor ndaj ish-kryeshefit të Telekomit, Agron Mustafa pritet të fillojë në janar të vitit 2024 në Gjykatën Themelore në Prishtinë, lidhur me akuzën për rastin “PAYKOS”, e që dëmi i pretenduar ndaj Telekomit pretendohet të jetë afër 7 milionë euro.

    Që nga viti 2020 kontrata milionëshe që iu dha biznesmenit Armend Zeqiraj është duke u hetuar nga organet e hetuesisë. /Insajderi.org/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark