Për shkak të prokurori Rasim Maloku ka kërkuar shtyrjen e seancës për arsye se do të ketë një udhëtim jashtë vendit dhe se e akuzuara Arbnora Sejdiu po ashtu kërkoi shtyrjen e seancës për arsye shëndetësore, është shtyrë të enjten në Gjykatën Themelore në Ferizaj, gjykimi ndaj katër zyrtarëve të Ferizajt dhe dy biznesmenëve.
Në këtë rast, Fehmi Reka, Arbërie Topalli, Arbnora Sejdiu, Hajrush Leka, në cilësinë e zyrtarëve të Komunës së Ferizajt si dhe Altin dhe Bahri Xhemajli, në cilësinë e biznesmenëve, po akuzohen për korrupsion dhe vepra tjera penale.
Kryetari i trupit gjykues, Ilir Bytyqi njoftoi se prokurori Maloku përmes parashtresës ka kërkuar nga gjykata që të shtyhet seanca e sotme për shkak se do të udhëtojë jashtë vendit.
Po ashtu, gjykatësi Bytyqi bëri të ditur se e akuzuara Arbnora Sejdiu për arsye shëndetësore ka kërkuar shtyrjen e seancës përmes parashtresës së datës 25 shtator 2024.
Nga këto rrethana seanca e sotme është shtyrë.
Ndryshe, sipas aktakuzës i akuzuari Fehmi Reka ngarkohet se më 4 tetor 2019, si menaxher i zyrës së prokurimit në Komunën e Ferizajt, ka keqpërdorur detyrën zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër.
Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Reka si përfaqësues i autoritetit kontraktues- Komunës së Ferizajt, në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik (LPP), kishte nënshkruar kontratë me operatorin ekonomik “Altinn” Sh.p.k, me seli në Ferizaj për furnizim me mjete të punës, edhe pse ky operator nuk i kishte plotësuar kushtet për pjesëmarrje në tender, pasi që ishte i regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve më 14 maj 2019, kurse kishte paraqitur referencë të falsifikuar për kryerjen e shërbimeve gjatë vitit 2017/2018, në vlerë prej 200 mijë euro.
Për këtë veprim, i njëjti akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, par.1 të Kodit Penal.
Pika e dytë e aktakuzës i ngarkon të pandehurit Arbërie Topalli, Arbnora Sjediu dhe Hajrush Leka se më 27 shtator 2019, në Ferizaj se si anëtarë të komisionit për vlerësimin e ofertave në ritenderin “Pjesëmarrja në ngritjen e zhvillimit të bizneseve” të Komunës së Ferizajt, në kundërshtim LPP-në, i kishin rekomanduar komisionit të lartcekur që të lidhë kontratë me operatorin ekonomik “Altinn” Sh.p.k, edhe pse i njëjti nuk i ka plotësuar kushtet për pjesëmarrje në tender, pasi që ka paraqitur referencë të falsifikuar.
Ata akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje” nga neni 414, par.1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.
Kurse, në pikën III të aktakuzës, thuhet se i akuzuari Altin Xhemajli, më 16 shtator 2019, në Ferizaj, kishe përdorur dokumentin e falsifikuar si original- si pronar i ndërmarrjes “Altinn” Sh.p.k, dhe me rastin e dorëzimit të ofertës për tenderin e shpallur nga Komuna e Ferizajt, kishte dorëzuar referencën e falsifikuar, të lëshuar nga NSH “Besa”, me anë të së cilës referencë kompania referon se ndërmarrja “Altinn” Sh.p.k ka qenë e angazhuar në furnizimin e makinerive të ndryshme për kompaninë “Besa”, i cili është realizuar në vitin 2017/2018.
Me këtë veprim, ai ngarkohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” nga neni 390, par.1 të Kodit Penal.
I akuzuari Altin Xhemajli ngarkohet edhe me veprën penale “Mashtrim i blerësve” nga neni 293, par.1 të KPRK-së, pasi që në aktakuzë thuhet se i njëjti me qëllim të mashtrimit të blerësve kishte përdorur markën e cila nuk i përgjigjet llojit dhe prejardhjes së mallit.
Sipas pikës IV të aktakuzës, i pandehuri Bahri Xhemajli po akuzohet se në nëntor të vitit 2019 në Ferizaj kishte falsifikuar dokumentin me qëllim që të përdoret si origjinal, pasi që si pronar i NSH “Besa” kishte lëshuar referencë me përmbajtje të falsifikuar, me të cilën referon me përgjegjësi të plotë se kompania “Altinn” Sh.p.k, ka qenë e angazhuar me furnizimin e makinerive të ndryshme për kompaninë e tij, i cili është realizuar në vitin 2017 /2018 edhe pse e ka ditur se kompania “Altinn” Sh.p.k ishte regjistruar në vitin 2019.
Me këtë rast, i njëjti ngarkohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” nga neni 390, par.1 të Kodit Penal.
Po ashtu, dispozitivi i fundit i kësaj aktakuze i ngarkon të pandehurit Altin dhe Bahri Xhrmajli, se në muajin nëntor 2019, i akuzuari Altin Xhemalji si pronar i ndërmarrjes “Altini” sh.p.k, ndërsa Bahri Xhemajli si pronar i NSH “Besa”, me vetëdije kanë shkelur rregullat e prokurimit publik në kundërshtim me LPP-në, ngase gjatë aplikimit në tenderin “Pjesëmarrja në ngritjen zhvillimit të bizneseve” i shpallur nga Komuna e Ferizajt, kanë paraqitur dokument të rremë me qëllim të mashtrimit në procedurat e prokurimit publik.
Për këtë, ata akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik në bashkëkryerje” nga neni 415, par. 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.