
Gjyqtarja Merita Baloku është denoncuar se ka gënjyer në dëm të një pale që po e gjykon në Pejë, por Kryetari i Gjykatës Armend Berisha e ka hedhur poshtë këtë denoncim. I doli në krahë koleges, ani pse pala që po ankohet ka deponuar edhe dokumente ku pretendon që e ka kapur Balokun duke “rrejt”, siç thuhet në ankesë.
Insajderi
Ka shumë vite që qytetari Hasan Huskaj shpenzon shumë kohë nëpër gjykata. Ish-gruaja e tij e ka paditur për divorc, ani pse ai thotë që një divorc me të veçse e ka pasur mbi një dekadë më parë në Norvegji. Por, Gjykata në Pejë ende po vazhdon ta procedojë një proces divorci.
Derisa procesi po vazhdon, një zhvillim i ri ka ndodhur. Vet gjykatësja që po e gjykon këtë rast, Merita Baloku nga ana e përfaqësueses së tij, avokates Aurora Mulhaxha ka denoncuar gjykatësen Baloku për dy gjëra: që ka gënjyer dhe që po i hakmerret atij.
Avokatja Mulhaxha njofton se me 25 janar të këtij viti është autorizuar nga nga i padituri Hasan Huskaj për përfaqësim në lëndë dhe sipas saj në momentin që marrjes së rastit ka vërejtur pakënaqësi të klientit të saj ndaj gjyqtares, të cilat veçse i kishte shprehur edhe publikisht.
Pas kësaj ajo thotë se ishte munduar ta bind për të kundërtën por pastaj edhe vet ka filluar t’i sheh shkeljet nga gjyqtarja, Merita Baloku. Derisa tregon për rastin konkret kur ajo ka gënjyer.
“Me dt.13.04.2022, kam kërkuar shtyrje të seancës e cila ka që për datën 24.04.2022. Pasi djalin e kam pasur me lëndime të mëdha të dorës së majt, dhe pasi jam nënë vetushqyes kam kërkuar shtyrje”, ka thënë ajo.
Pavarësisht arsyetimin, Mulhaxha thotë se gjyqtarja e ka mbajtë seancën.
“Në faqen 02 të procesverbalit të datës 14.04.2022, thotë se seanca e datës 14. 03.2022, nuk është mbajtë se palët janë njoftuar për grevë. Ky është deklarim i rrejshëm, pasi që unë dhe i padituri kemi qenë në seancë, dhe se seanca është shty pasi paditësja pa provë, ditën e seancës ka thëne që është e sëmur”, sqaron ajo.
Tutje sipas palës mbrojtës i gjithë ky veprim po bëhet me qëllim të hakmarrjes ndaj klientit të saj.
“…Ai ka shpreh pakënaqësi ndaj saj. 2 shkeljet qe reflektojnë pa anshmëri: seanca e datës 14.03.2022 është shtyrë pa parashtresa, ndërsa parashtresën me kohë timen nuk e ka vlersu dhe deklarimi i rrejshëm i cili vërtetohet nga procesverbalet, ku në procesin e datës 14.03.2022 përshkruan se shtyrja është bërë nga gjendja pa prova e paditëses, ndërsa në seancën e 14 prillit thotë se ajo seancë është shty me lajmërim për grevë”, thuhet në ankesën e avokates.
Rastin e trajtoi kryetari i Gjykatës në Pejë, Armend Berisha. Ai i doli në krah koleges Baloku.
Kryetari i Gjykatës duke vlerësuar ankesën e avokates Aurora Mulhaxha të parashtruar ndaj gjyqtares Merita Baloku, së bashku me deklaratën e gjyqtares, ka gjetur se ankesa disiplinore nuk është e bazuar.
“Pretendimet e parashtrueses së ankesës se gjyqtarja Merita Baloku me qëllim të hakmarrjes ndaj klientit të saj, ka mbajtë seancën e datës 14.04.2022 duke mos marrë parasysh kërkesën e saj për shtyrje të seancës për shkak se djali i saj e ka lënduar dorën me arsyetimin se nuk ka bashkëngjitë provë ndërsa, seancën e datës 14.03.2022 e ka shtyrë pasi i autorizuari i paditëses e ka njoftuar gjyqtaren se paditësja nuk mund të vie nga Norvegjia, pa bashkëngjitë asnjë provë, nuk qëndrojnë si të tilla”.
“…meqë, nga shkresat e lëndës C.nr.657/20, rezulton se në procesverbalin e shqyrtimit kryesor të mbajtur me datë 14.03.2022, në prezencën e këtu parashtrueses së ankesës në cilësinë e të autorizuarës së palës së paditur, gjykata ka konstatuar se në seancë nuk është prezent i autorizuari i paditësit, i cili me kohë e ka njoftuar gjykatën se në seancën e datës 14.03.2022 nuk mund të marrë pjesë paditësja Z.H, e cila në atë seancë është dashtë të dëgjohej në cilësi të palës dhe se i njëjti me kohë ka kërkuar shtyrjen e seancës gjë të cilën nuk e ka kundërshtuar e autorizuara e të paditurit, rrethanën e mos mbajtjes së kësaj seance gjyqtarja e ka plotësuar edhe me konstatimin e saj në procesverbalin e datës 14.04.2022 ku ka theksuar se për shkak të paralajmërimit të grevës së administratës së gjyqësorit ka qenë e pasigurt se a do të mund të mbahet seanca e datës 14.03.2022”.
Gjyqtarja Maloku ka deklaruar se ankesën e avokates Mullhaxha e konsideron si të pa bazë dhe nuk ka arsye për një ankesë të tillë disiplinore sepse nuk ka kurrfarë hakmarrje ndaj të paditurit Hasan Huskaj.
Maloku potencon se palët në këtë procedurë Hasan Huskaj dhe Z.Huskaj nuk i ka njohur më herët.
“Në rrethana të tilla, e në mungesë të provave, autoriteti kompetent, e pati të pamundur të vërtetojë dyshimet e paraqitura nga e autorizuara e të paditurit se veprimet e gjyqtares janë bërë me qëllim hakmarrje ndaj palës së paditur andaj gjeti se ankesa disiplinore duhet të refuzohet si e pabazuar”, thuhet në vendimin e lëshuar nga kryetari i Gjykatës, Armend Berisha.
Por si kishin filluar problemit mes çifti Huskaj?
Një shtëpi e trashëguar në Lubeniq të Pejës, është bërë “mollë sherri” tash e shtatë vite, në disa procese gjyqësore në mes të Hasan Huskaj dhe ish-bashkëshortes së tij, Zyrafete Huskaj, të ndarë në vitin 2002 sipas ligjeve të shtetit të Norvegjisë, pasi që edhe janë shtetas të Norvegjisë.
Gjykata në Pejë në vitin 2017 mori vendimin që t’i njohë Zyrafete Huskajt, pronësinë në gjysmën e shtëpisë dhe objekteve përcjellëse në Lubeniq të Pejës, prona këto më parë të ish-burrit të saj të trashëguara nga familja.
“Vërtetohet se paditësja Zyrafete Huskaj është pronare në bazë të kontributit nga bashkësia martesore e një të dytës-pjesës ideale të shtëpisë së ndërtuar e tipit P+1K +NK,si dhe një të dytës pjesë ideale të objektit përcjellës ndihmës garazh dhe shup të ndërtuara afër kësaj shtëpie në anën veriore në ngastrën kadastrave 283/0 ZK Lubeniq,” thuhet në aktgjykimin e nxjerrë nga Gjykata Themelore e Pejës.
Po ashtu sipas aktgjykimit Hasan Huskaj detyrohet t’i paguajë ish- gruas së tij shpenzimet procedurale në shumën prej 1826 eurove.
Ky vendim u kundërshtua nga Hasan Huskaj pasi që sipas tij ish bashkëshortja e tij nuk ka kontribuar në ndërtimin e kësaj shtëpie, madje Huskaj hedh akuza se ish-bashkëshortja e tij ka lidhje familjare me gjykatësen e rastit Merita Baloku, si dhe ish-zëvendëskomandantin e Policisë së Kosovës për Rajonin e Pejës, T.S.
“Kjo bie në kundërshtim me atë se çka ka thënë në Norvegji. Sepse këtu thotë që ka bashkëjetua ton kohën. Ato që i thotë se ka investua duhet me i deklarua diku, tonë këto investime pse si ka deklarua në shtet pra. Ajo thotë se janë investua 160 mijë euro, ku 150 mijë prej tyre në shtëpi, 7 mijë euro në garazh, dhe 3 mijë euro në kocka”, deklaroi Hasan Huskaj.
“Këtu vjen në Kosovë m ’qet në gjyqe, thotë se kom bashkëjetua ton kohën. Gjyqtarja as që i ka marr parasysh asnjë dokument që i kam ofrua. Gjyqtarja ka marr për bazë dokumentet që unë kam marr pjesë në varrim të babës së ish-bashkëshortes, në bazë të asaj e argumenton që kemi bashkëjetua. Normal gjyqtarja duhet me u bazua në fakte, në dokumente”, vijon rrëfimin e tij.
Sipas ligjit çështja e dhuratave të trashëguara nuk trajtohet në kuadër të pasurisë së përbashkët.
Arita Rrezniqi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, për arbresh.info tha se çdo herë kur bëhet ndarja e pasurisë së përbashkët pas shkurorëzimit gjithmonë merren parasysh të gjitha rrethanat dhe analizohet e gjitha pasuria që do ti nënshtrohet ndarjes.
“Në rastet e tilla, d.m.th çdo herë kur bëhet ndarja e pasurisë së përbashkët pas shkurorëzimit gjithmonë merren parasysh të gjitha rrethanat dhe analizohet e gjithë ajo pasuri e cila do ti nënshtrohet ndarjes në këto raste. Nëse flasim për dhuratat në çdo rast dhuratat përjashtohen nga pasuria e përbashkët e bashkëshortëve, dhuratat trajtohen si pasuri e veçantë në bazë të ligjit dhe në këto raste në momentin që definohen pasuri e veçantë i bie që nuk trajtohen në kuadër të pasurisë së përbashkët dhe rrjedhimisht ajo çështje e caktume ajo gjë që është bërë dhuratë përjashtohet dhe nuk trajtohet në kuadër të pasurisë së përbashkët por vetëm pjesa tjetër që mbetet dmth të trajtohet nga ajo që bashkëshortët e kanë krijuar gjatë martesës, e ku pastaj i nënshtrohet ndarjes së pasurisë së përbashkët”, tha Rrezniqi.
Problematike në këtë rast dalin të jenë edhe lidhjet familjare, por mohohen nga vetë paditësja Zyrafete Huskaj, duke thënë se nuk ka lidhje familjare me gjykatësen siç pretendon ish-bashkëshorti, dhe as me ish-komandantin e policisë në Pejë.
”Asnjëherë në jetën teme as nuk e kam njoft, as nuk e kam pa, as nuk kam asnjë dëshmi që kom pas me shku, e as nuk e kam familje, e as kurrgjë, këta të garantoj. Unë pos në gjykatë, ata tjetër kund nuk e kam parë”, u shpreh Zyrafete Huskaj.
Një gjë të tillë e ka mohuar edhe avokati mbrojtës i Zyrafete Huskaj, Faruk Binakaj.
”Unë nuk i di lidhjet familjare por një e di që tash prej juve po e marr këtë informacion, sepse nuk e di që ajo ka lidhje familjare. Merita Baloku edhe Zyrafete Huskaj, nuk e di që kanë lidhje familjare”, tha Binakaj.
Për këtë arbresh.info i është drejtuar Inspektoratit Policorë të Kosovës me datë 27.08.2021, e ku në përgjigjeje e tyre thuhet se ankesa është pranuar dhe më pas është dërguar në Drejtorinë për Hetime të Brendshme dhe Verifikim të së Kaluarës në Policinë e Kosovës, për hetim të mëtutjeshëm disiplinor, ani pse është marr vendim në vitin 2016, 2017 dhe në 2020.
“Ju informojmë se IPK ka trajtuar ankesën e Hasan Huskaj nga fshati Lybeniq, ku pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore të nevojshme në këtë ankesë, në konsultim me Prokurorin e Shtetit, rasti është proceduar në Drejtorin për Hetime të Brendshme dhe Verifikim të së Kaluarës në Policinë e Kosovës, për hetim të mëtutjeshëm disiplinor”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Arbresh.info i është drejtuar prapë Policisë së Kosovës, se a ka përfunduar kjo çështje në aspektin disiplinor dhe cili është vendimi por që nuk kemi marr përgjigjeje akoma.
Huskaj për këtë ka dërguar ankesa ndaj Komandantit N.N, ish-Zëvendëskomandantit, T.S, si dhe ndaj një zyrtari tjetër policorë A.Sh, të gjithë nga Stacioni Rajonal i Pejës, në EULEX, tek Zyra e Prokurorit të Shtetit, në Komisionin për Ankesa dhe Shpërblime në Inspektoratin e Policisë së Kosovës, në Komisionin e Brendshëm Disiplinorë etj.
“Shkova në Pejë me dhanë deklaratën hina unë atu, tu e marr hetuesi deklaratën temë me shefin e operativit, unë i kisha krejt dokumentet. Shefi operativit i bojke kopje tana dëshmitë që shpija është e imja, se e kam trashëgua prej babës, kur pa prit mu ka shfaqë një polic para ftyre, më tha ‘kush je ti që i ndal ata me shkua në shtëpi’. I thash është shtëpia ime unë vendosi konë me e lanë, tha ‘jo ti s’ki drejt’, edhe meniher ja ka ba hetuesit ndërperja mos ja merr deklaratën. Hetuesi i tha le se gati e kreva, polici i tha “jo, jo ndërprerja se so tu thanë kurrgjë, aj vazhdojë. Edhe po i tregoj krejt tha ‘këtu o Kosovë, nuk është Norvegji’. Edhe ai tonë kohën lëvizke para meje, e unë nuk e disha kush është. Edhe ju drejtua këtij hetuesit që ish tu shkru, ‘komandanti um murr në telefon, thotë se pala tjetër që është atu jashtë, kish gjet një intervenc të fortë e kish intervenua tek komandanti, dhe komandanti murr mu në telefon që me mos me hap rast’, kur ata dolën prej policisë krejt komplet, njani polic më tha që ata krejt janë tezak mes vete vazhdon…”, tha ai.
Pas shqyrtimeve, në vendimet e Inspektoratit Policorë të Kosovës, Komisionit për ankesa në Policinë e Kosovës, si dhe në Komisionin e Brendshëm Disiplinor të PK-së, si shkak i mungesës së argumenteve janë hedhur poshtë të gjitha pretendimet e Hasan Huskaj, si të pabazuara dhe nuk ka fakte për to.
Por në dokument shihet se zyrtari policor i cili e ka pranuar shkresën dhe e ka nënshkruar atë është vetë ish-Komandanti në fjalë dhe nënshkrimi i tij përkrah Kryesuesit të Panelit Disiplinor.
E ku pas një ankese të bërë nga Huskaj, është ndërruar, përmbajtja e njëjtë vetëm nënshkrimi tjetër.
Pas vendimit për ndarjen e pasurisë pala paditëse i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, me datë 20.02.2017, me kërkesën që të ndryshojnë vendimin e gjykatës së shkallës së parë. Pas vlerësimit të kësaj Gjykata e Apelit, ka kthyer në rigjykim çështjen.
“Sipas vendimit të Gjykatës së Apelit, udhëzohet Gjykata e shkallës së parë, që në ri-procedurë të veprojë sipas vërejtjeve të Gjykatës së shkallës së dytë, ti eliminojë shkeljet e sipër theksuara, në atë mënyrë që të administrojë të gjitha provat e ofruara, e përmes provave konkrete materiale të dorëzuara nga palët ndërgjyqëse fillimisht të evidentojë, përkatësisht të vërtetojë pasurinë e krijuar gjatë ekzistimit të bashkësisë jashtëmartesore dhe asaj martesore, e varësisht prej të provuarit, në lidhje me atë se nga çka përbëhet pasuria e përbashkët e ish bashkëshortëve-palëve ndërgjyqëse, në çka konsiston ajo pasuri, koha kur është krijuar, mënyra se si është krijuar, si dhe kontributi i palëve në shtimin-fitimin e kësaj pasurie, në mënyrë që pastaj të kërkojë ekspertizën financiare, që të saktësojë dhe llogarisë kontributin e bashkëshortëve në krijimin e pasurisë së përbashkët apo sipas nevojës të caktojë ndonjë ekspertizë tjetër”
Në fund po ashtu Gjykata e e Apelit kërkon nga Gjykata e shkallës së parë që të ketë për bazë Ligjin për Familjen që në fund të vendos për kërkesëpadinë.
“Në fund udhëzohet gjykata e shkallës së parë që me rastin e përpilimit të aktgjykimit t’i ketë parasysh kërkesat ligjore që rrjedhin nga dispozitat e nenit 160 të LPK-së, ashtu që pas administrimit të provave të propozuara nga palët ndërgjyqëse, të vërtetojë gjendjen faktike, bazën juridike të kërkesëpadisë, duke zbatuar me saktësi të drejtën materiale që rrjedhë nga Ligji për Familjen dhe në fund të vendosë për kërkesëpadinë e paditëses në bazë të ligjit, përfshirë këtu edhe shpenzimet e procedurës”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës së Apelit.
Faruk Binakaj, avokat i Zyrafete Huskaj e quan skandaloz vendimin dhe gjyqtarët i cilëson si “të paditur”, në lidhje me vendimin që e kanë marrë në Apel.
“Farkuk Binakaj-video “Vendimi i Gjykatës së Apelit për mu është skandaloz, për mua ata gjyqtarë, ta them kushtimesh nuk kanë qenë të përgatitur sa duhet me lëndën edhe nuk e kanë luhatur lëndën, sepse ligji është shumë i qartë, në momentin që familjari nën betim Gjykata e paralajmëron që duhet të folët vetëm për të vërteten, ligji është shumë i qartë që ata familjarë e kanë dhënë dëshminë e tyre atë se çfarë dinë lidhur me kontestin në fjalë prandaj Gjykata e Apelit për mu si Faruk si avokat i palës paditëse nuk ka vepruar drejt mirëpo duhet bindur vendimi i Gjykatës së shkallës së dytë është vendim që duhet me e respektua. Kam bërë përgjigjeje në ankesë, ankesë jo se ose gjykata në atë kohë e ka aprovu Apeli e ka rxu”
Me 15 tetor 2020, rikthehet në Gjykatën Themelore në Pejë, lënda e kontestit pronësor pas vendimit të Apelit, ku janë zhvilluar dy seanca, dhe e katërta në vitin 2021, ku më 10 tetor të këtij viti me kërkesë të avokatit Granit Vokshi, avokat i Hasan Huskaj, është kërkuar që të ndërprehet seanca si shkak i përfshirjes së gjykatëses në pyetjet e tij drejtuar dëshmitarëve, në këtë rast fëmijëve të Huskaj, duke kërkuar që gjyqtarja Baloku të largohet nga çështja.
“Ata bojshin pyetje qysh dojshin kur m’vike puna mu me ba pyetje unë ose avokati jem, na ndërprejshin si gjyqtarja, sikur avokati, d.m.th. prej fillimi unë e kam marr vesh se gjyqtarja ka qenë e njëanshme, edhe tash vonë kur e lypëm shkarkimin e saj, e cek avokati në padi se tana herët gjykatësja ka qenë e njëanshme. Po unë kam informata që kanë lidhje familjare. Qika e dajës të fejumit të qikes tem, është kunat me qiken e gjyqtares, një shpi banojnë bashk. Dyshoj edhe diku tjetër po s’po du me e përmend… vazhdon…”, deklaron Hasan Huskaj.
Arbresh.info i është drejtuar Gjykatës Themelore në Pejë, për të mësuar vendimin në lidhje me largimin apo jo të Gjyqtares nga rasti, në përgjigjen e tyre thuhet se është refuzuar kërkesa e avokatit Vokshi, për përjashtimin e gjykatëses Merita Baloku nga çështja.
“Lidhur me pyetjen e parashtruar nga ana juaj, ju njoftojmë se Kryetari i Gjykatës e ka refuzuar kërkesën e avokatit Granit Vokshi për përjashtim të gjyqtares Merita Baloku nga gjykimi dhe vendosja në çështjen juridiko – civile kontestimore ku i paditur është autorizuesi i avokatit Vokshi”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Duke parë se këtij rasti nuk po i vie fundi Huskaj kishte kërkuar ndihmë edhe nga ish-kryeministri i atëhershëm Ramush Hradinaj, ish-kryeparlamentari, Kadri Veseli, ish-ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, si dhe ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, por që nuk kishte marr asnjëherë përgjigje.
“Po jam ankuar te krejt institucionet prej Kryeministrit në atë kohë edhe tjerët me ren por nuk kam marr përgjigjeje…”, tha Huskaj.
Ligji për familjen e ka rregullua çështjen e ndarjes së pasurisë së përbashkët të bashkëshortëve dhe për këtë çështje është parapa që duhet të ekzistojë kontributi i këtyre bashkëshortëve.
“Kontributi si i tillë nuk nënkupton veç kontributin në aspektin monetarë pra të ardhurat personale por edhe kontributin në të gjitha lloj format e tjera që mund të bëhet si nga njëri bashkëshort apo nga bashkëshorti tjetër coftë për përkujdesjeje për shtëpinë për fëmijët për mirëmbajtjen e pasurisë së përbashkët të tyre dhe e gjitha kjo në formë të përcaktuar siç është paraparë me dispozitat e ligjit”, tha Rrezniqi.
Shënim: Ankesa ndaj gjyqtares është pranuar direkt nga Hasan Huskaj dhe jo avokatja e tij, Aurora Mullhaxha.
/GazetaInsajderi