×
  • Lajme
  • Lajme

    Gjyshja 82-vjeçe me kullë 50 kate në Tiranë aplikon për investitore strategjike, pas saj dyshohet se fshihen Ilir Meta me shoferin e tij

    Insajderi
    20 October 2024 - 10:13
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Në emër të Sofije Merkajt, Ilir Meta, kur ishte në pushtet ka kaluar edhe pasuri të tjera publike dhe ka firmosur koncensione për llogari të saj, përmes ministrave të LSI.

    Në letra mund të konsiderohet gjyshja më e pasur në Shqipëri. Ka marrë leje për të ndërtuar një kullë 50 kate në Tiranë, është kandidate për investitore strategjike për të ndërtuar një kompleks vilash në Himarë, ndërsa është pronare hidrocentralesh dhe galerish minerare, si dhe me ‘pensionin’ ka blerë një kompani 2.4 milionë euro. Bëhet fjalë për 82-vjeçaren Sofije Merkaj, pas të cilës qëndron një histori pastrimi parash, zhvatje të pasurive publike dhe korrupsioni, fijet e të cilit të çojnë tek Ilir Meta, nën hetim nga SPAK për korrupsion, pastrim parash, falsifikime, fshehje pasuri etj.

    Sofije Merkaj është nëna e Fatmir Merkajt, ish shofer i Ilir Metës, njeri i besuar i tij për punë të zeza. Merkaj doli në pah edhe videon e korrupsionit të Ilir Metës, i cili u paraqit me bllok në dorë në zyrën e Dritan Priftit, duke bërë pazare me pasuritë publike. Ka dyshime të forta se Ilir Meta ka kamufluar pasuri me vlerë miliona euro në emrin e shoferit të tij, ndërsa ky i fundit i ka kaluar bizneset e dyshimta në emrin e nënës së tij, Sofije Merkaj.

    Fakte për SPAK-un, kulla 50 kate

    Në mbledhjen e fundit të zhvilluar këtë fillim korriku (2 korrik 2024), KKT me në krye Edi Rama, përpos të tjerave, ka miratuar lejen për ndërtimin e një kulle me 50 kate në Rrugën “Teodor Keko”, Tiranë”.

    Kulla do ndërtohet nga “Xh & M” sh.p.k (ish Merkaj), “Alfazed” sh.p.k dhe “Smart Construction Invest” sh.p.k.

    Pronare në letra e kompanisë “Xh & M” sh.p.k është gjyshja Sofije Merkaj, 82-vjeçe, lindur më 1942 në Gllavë të Skraparit. Sofije Merkaj është nëna e Fatmir Merkajt, ish shoferi i Ilir Metës, i lakuar si mbulesa e pasurive të paligjshme të Metës.

    Fatmir Merkaj, i lakuar si pjesë e aferave korruptive të Ilir Metës, disa nga të cilat po hetohen nga SPAK, e ka themeluar kompaninë në vitin 1995, me objekt parësor tregtimin e artikujve ushqimore, industrial, elektroshtepiake, duhan-cigare, fruta-perime, materiale ndërtimi, nafte e nenprodukte të saj.

    Në vitet 2008 dhe 2010, Fatmir Merkaj zmadhon kapitalin e kompanisë.

    Në vitin 2011, Fatmir Merkaj i shet kompaninë shtetasit Islam Begaj për rreth 400 mijë euro. Nuk dihet se cili është burimi i parave i Begajt për të blerë një kompani 400 mijë euro.

    Ka dyshime të forta se shitja ka qenë fiktive.

    Me 30 qershor 2018, kapitali i shoqërisë bëhet 240.000.000 lekë ose rreth 2.4 milionë euro.

    Në 24 gusht të vitit 2018, Farmir Merkaj ia blen sërish kompaninë Islam Begajt, për 2.4 milionë euro, duke futur në lojë mamanë Sofije Merkaj.

    Gjyshja investitore strategjike

    Në emrin e Sofija Merkajt 82-vjeçe nuk është vetëm kompania që do ngrejë kullën 50 kate në Tiranë. Gjyshja 82-vjeçare po bën gati letrat për kulla të tjera si dhe po kopsiten letrat për një resort në Dhërmi, Delta Bay, si investitore strategjike.

    Ky dokument konfirmon se Merkaj ka aplikuar për të marrë statusin e investitores strategjike, për ndërtimin e një kompleksi vilash dhe hoteli në plazhin e Dhraleos në Himarë. Në dokument kërkohet që zonja Merkaj të paraqesë garanci shtesë financiare për realizimin e projektin.

    Koncensione në emrin e Sofije Merkajt

    Në emër të Sofije Merkajt, Ilir Meta, kur ishte në pushtet ka kaluar edhe pasuri të tjera publike dhe ka firmosur koncensione për llogari të saj, përmes ministrave të LSI.

    Ish shoferi i Ilir Metës, Fatmir Meraj, në emrin e mamasë së tij Sofije Merkaj, ka kaluar edhe kompaninë (PRESTIGE Acqua Oligominerale (Ish BLUE EYE ONE), themeluar në vitin 2011, me objekt veprimtarie ‘Import eksport, tregtim të të gjithë llojeve të artikujve ushqimore me shumicë dhe pakicë, etj.”

    Në prill 2013, Sali Berisha vendosi t’i japë bonusin prej 8.5 pikëve kompanisë (PRESTIGE Acqua Oligominerale (Ish BLUE EYE ONE), për marrjen me koncension të ujit Sasaj.

    Vendndodhja e burimit ndodhet në fshatin Bunec, komuna Lukovë, Sarandë. Burimi “Sasaj” ndodhet në zonën Shkallnevic.

    Finalizimi i këtij koncensioni të paracaktua u bë në 2014 kur Ilir Meta u bashkua në pushtet me Edi Ramën, duke shkaktuar një krim mjedisor.

    Ish shoferi i Ilir Metës, Fatmir Meraj, në emrin e mamasë së tij Sofije Merkaj, ka kaluar edhe kompani të tjera, të cilat kanë marrë leje për shfrytëzimin e pasurive publike me ndërhyrjen e Ilir Metës, duke ngritur dyshimet të forta se këto biznese mund të jetë të Ilir Metës.

    Biznes minerar me Luan Muçën

    Gjyshja Sofije Merkaj shfaqet në ortakëri edhe me biznesmenin Luan Muça, në kompaninë MALBERG, me objekt aktiviteti në fushën e kërkimit dhe shfrytëzimit të minierave dhe ndërtimeve.

    Këto janë vetë disa nga bizneset dhe interesat që mbulon Sofije Merkaj 82-vjeçe, duke mbuluar të birin. Për momentin mister mbetet se ku do të gjenden paratë për kullën 50 kate.

    Kush është Fatmir Merkaj

    Fatmir Merkaj është lakuar si një linjë e vjetër korrupsioni dhe pastrimi parash i Ilir Metës. Merkaj ka shërbyer si shofer i Ilir Metës.

    Në vitin 2011, Dritan Prifti deklaronte: “Fatmir Merkaj, mbulesë e Ilir Metës në biznese me 20 për qind në hidrocentrale dhe pallate e vila në Tiranë dhe Gji të Lalëzit. Berisha synon që Meta të bëhet kreu i opozitës?

    Edhe Agim Rrapaj ka dëshmuar në prokurori për Fatmir Merkajn: “Unë mbaj mend, që në muajin korrik të vitit 2009, unë së bashku me Fatmir Merkajn, jemi takuar në Dhërmi në plazh, në hotelin e Fatmir Merkajt me Ilir Metën. Ata njiheshin që më parë vetë dhe nuk janë prezantuar prej meje. Nuk i di rrethanat e njohjes së tyre dhe nuk ka rënë ndonjëherë muhabeti për këtë“.

    Fatmir Merkaj, administratori i “Merkaj shpk”, kompani e cila u bë pjesë e bashkimit të shoqërive “Vëllezërit Tola”, për të ndërtuar hidrocentralin mbi lumin Shushicë, për të cilin Meta i ndërhyri Priftit pasi do të merrte 700 mijë euro./ Prapaskena

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark