Gjyshja britanike të cilën Shteti Islamik tentoi, dhe dështoi ta rekrutojë – Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Botë

    Gjyshja britanike të cilën Shteti Islamik tentoi, dhe dështoi ta rekrutojë

    Insajderi
    17 June 2017 - 23:36
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kur Shteti Islamik mori kontrollin e Mosulit, Nour Abdullah – emri i lindjes Ellise Campbell – kishte arsye të frikësohej për jetën e saj.

    Gjyshja 64-vjeçare britanike nga Skotlanda, ishte e sigurt që do të vritej sapo të zbulohej. Por në vend të kësaj ajo e gjeti veten në atë pozitë ku xhihadistët i viheshin rrotull.

    Shteti Islamik i Irakut dhe Levantit (ISIL) i kishte kërkuar asaj shumë herë të bënte aleancë me liderin e grupit, Abu Bakr al-Baghdadi, por në secilin rast ajo e kishte refuzuar.

    “Nuk do ta mendoje këtë, por të jesh britanike dhe në moshën time, më ka sjellë respekt nga ISIL. Ata mendonin se isha muhaxhire – njëra nga ato gra të cilat ishin shpërngulur në Mosul për të jetuar nën kalifatin e tyre, që kjo nuk ishte e vërtetë, por më lejoi mua të kem pak më shumë liri se gratë e tjera”, thotë ajo.

    Tani në siguri në qytetin e Duhok të Kudristanit pasi lagja e saj është liruar nga forcat irakiane muajin e kaluar, ajo për The Telegraph thotë se ka jetuar për tri vite nën sundimin e grupit më brutal të terrorit në histori.

    Abdullah kishte pasur një kurs të anglishtes, për të cilin ISIL vetëm kishte insistuar që t’ia ndërronte emrin duke e bërë një arab, por për çudi e lanë që të jepte mësim.

    Ajo thotë se çdo ditë anëtarët apo liderët e ISIL-it do t’i bënin nga një vizitë në kurs vetëm për të parë nëse djemtë dhe vajzat po mësonin në dhoma të ndara. Por përveç kësaj, nuk i thoshin gjë tjetër.

    Ata edhe kishin provuar ta rekrutonin atë që ti ndihmonte në mësimin e anglishtes luftëtarëve të ISIL-it.

    “Ata mu afruan një herë dhe thanë se do të sillnin 20-30 komandantë të rangut të lartë për mësime të natës në qendër”, thotë ajo, duke shtuar se duhet të jesh e kujdesshme në atë se çfarë thua pasi nuk mund t’u thuash jo atyre.

    “U thash që jam shumë e vjetër për të punuar natën vonë, dhe ata pranuan”, shpjegon Abdullah.

    Ajo tregon se liderët arabë e kanë trajtuar mirë por ata çeçenët i thoshin se e fliste gjuhën e të pafave.

    “Unë vetëm u thosha ‘a nuk është gjuha ruse gjithashtu gjuhë e kuffarëve (jo-besimtarëve)?’ për të cilën ata nuk kishin përgjigje. Vetëm thoshin ‘a nuk e di se me kë po flet ti ?’”, thotë ajo.

    Banorët e Mosulit janë vrarë për shumë më pak gjatë sundimit brutal të ISIL-it, por ajo kishte arritur të formonte një mirëkuptim të çuditshëm me grupin.

    “Mendoj që me moshën vjen edhe fuqia. Ndodha nuk do të kisha kurajën të ua ktheja fjalën në moshën 34 vjeçe, por me 64 nuk kam fare frikë”, shprehet Abdullah.

    Ajo ka jetuar në atë qytet për më shumë se një dekadë.

    Abdullah është martuar me burrin e saj irakian dhe kurd, Kamil, të cilin e kishte takuar në Angli. Pasi ishte martuar, tri vite më vonë është konvertuar në islam.

    “Nuk kishte presion, vetëm se ndihesha mirë pasi kisha studiuar religjionin dhe ai ishte përshtatur me mua”, thotë ajo.

    Ajo që nga ajo kohë ka marrë edhe emër mysliman edhe mbiemrin e burrit të saj, por për shkaqe sigurie ka kërkuar që identiteti i saj të mbetet i fshehur, dhe të përdoret pseudonimi Nour Abdullah.

    Jeta e saj ka qenë mjaft e vështirë prej se ka jetuar në Irak. Një herë prej diktatorit irakian Saddam Hussein, dhe kjo kishte vazhduar me vite të tëra.

    Për terroristët e ISIS-it ajo thotë se duhet të jetosh me ta për të parë se sa të frikshëm janë.

    “Kam jetuar në partinë e Baath, luftën Iran-Irak, saksionet brutale, luftën me Kuwaitin, por asgjë nuk krahasohej me atë që erdhi më pas”, thotë ajo.

    Familja e Abdullah një herë kishin ikur nga Mosuli për në Duhok, por kishin vendosur të ktheheshin në mënyrë që të vazhdonte dhënien e mësimeve, dhe bijtë e saj të vazhdonin studimet.

    Ajo thotë se kishte hulumtuar për ISIL-in online në mënyrë që të kuptonte rregullat e reja të qytetit.

    “Ata kishin një makinë propaganduese tërheqëse. Në të vërtetë, ishte shumë magnetike”, thotë Abdullah.

    Në vitin e parë nën ISIL nuk ishte dhe aq keq. Por me kohë ata filluan të përdornin gjithmonë e më shumë dhunën ekstreme dhe interpretimet perverse dhe të pavërteta të Islamit.

    “Gjërat që ndodhnin në qytet më tronditnin deri në asht. ISIS ishin mjeshtër në artin e vdekjes, gjithmonë duke menduar mënyra të reja se si të vrisnin. Ata prisnin koka, varrosnin për së gjalli, i fusnin njerëzit në tanke acidi, i shkelnin me buldozerë. Islami që unë studioja nuk ishte islami i ISIS-it”, shprehet ajo.

    Tani ajo është e lumtur që kanë shpëtuar dhe kanë dalë nga kthetrat e ISIL-it.

    Pasi shtëpia e saj në Mosul është e pabanueshme, ajo jeton me njërin prej bijve të saj në Duhok. Zemra i thotë të kthehet në Mosul, të cilin vend e konsideron shtëpi shpirtërore; koka i thotë të qëndrojë në Duhok.

    “Kur pranon Allahun, ai të udhëzon në kohë të mira dhe të këqija. Por këtu kam pasur më shumë kohë të këqija”, thotë ajo duke qeshur.

    “Por, unë jam një e mbijetuar”, përfundon ajo. /Insajderi.com


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark