×
  • Hulumtime/Analiza
  • Analiza

    Gjysmëshekulli burg nga Specialja deri më tani – vendimet komentohen si të padrejta

    Insajderi
    17 July 2024 - 14:27
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gjysmëshekulli burg janë shpallur për ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, të akuzuar për krime lufte. “Në emër të Popullit të Kosovës”, Specialja ka dënuar dy ish-komandantë të UÇK e dy ish-pjesëtarë të OVL-UÇK-së. Nasim Haradinaj e Hysni Gucati, fillimisht u dënuan me nga 4 vjet e gjysmë burg. Dy ish-komandantët, Salih Mustafa u dënua me 26 vjet burgim, e Pjetër Shala me 18 vjet burgim. Ndërkohë, po vazhdon gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve. Vendimet e Speciales po vlerësohen si të pa drejta.

    Ish-komandanti, Pjetër Shala i njohur me nofkën “Ujku”, u dënua të martën me 18 vjet burgim për krime luftë nga trupi gjykues i Speciales.

    “Ujku”, u shpallë fajtor për ndalim arbitrar, torturë kundër së paku 18 personave dhe për një vrasje të kryer kinse në qershorin e 1999-ës, në Kukës.

    Sipas kësaj gjykate, viktimat kanë qenë kryesisht shqiptarë të Kosovës, të cilët kanë pësuar dëme nga shqiptarë të tjerë në Kosovë.

    “Dëshmitë e tyre kanë të gjalla, të hollësishme dhe bindëse”, është thënë në vendim.

    Prokuroria ndërkaq kishtë kërkuar dënim prej 28 vjetësh për Shalën.

    Pjetër Shala ishte deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat.

    AI ishte arrestuar më 16 mars të 2021 në Belgjikë dhe vëtëm pastaj ishte transferuar në objektin e Gjykata Speciale në Hagë, më 15 prill të 2021-ës.

    Gjykimi ndaj ish-komandantit kishte nisur në shkurt të 2023-ës.

    Dënimi i komandant “Calit”

    Ish-komandati i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa u dënua në dhejtor të vitit 2022 me 26 vjet burgim nën akuzën se ka kryer krime lufte.

    Vetëm pastaj, Apeli ia zbuti dënimin, nga 26 vjet në 22.

    Komandant “Cali” u dënua me 10 vjet burgim për ndalim arbitrar, për torturë dhe vrasje të paligjshme.

    “Trupi gjykues ju dënon me vendim të njësuar me 26 vjet burgim, ku do të llogaritet koha e kaluar në paraburgim”, deklaronte kryegjykatësja Mappie Veldt-Foglia, duke shtuar se krimet janë kryer ndaj shqiptarëve.

    Ai është shpallur i pafajshëm për trajtim mizor.

    Vetë ai ishte deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat.

    Mustafa ndodhej në qendrën e paraburgimit në Hagë prej shtatorit të vitit 2020.

    Fitore për drejtësinë” e kishte quajtur prokurorja e specializuar, Kimberly West, aktgjykimin e Apelit në rastin ndaj Salih Mustafës.

    Me sloganin “Jo në emrin tim”, në Prishtinë u protestua kundër Gjykatës Speciale pas dënimit me 26 vjet burgim për krime lufte të ish-komandantit të UÇK, Salih Mustafa.

    Dënimi i ish-krerëve të OVL-UÇK-së

    Në maj të vitit 2022, Dhomat e Specializuara i shpallën fajtorë Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinjan për pengim të administrimit të drejtësisë, duke i dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim dhe një gjobë prej 100 eurosh.

    Në dënim llogaritje edhe koha e kalaur në paraburgim.

    Gucati e Haradinaj ndodheshin në paraburgim prej shtatorit të 2020-ës.

    Dyshja u shpallën të pafajshëm për akuzën e hakmarrjes.

    Më pas Apeli ua ulin dënimet për tre muaj.

    Që të dy u arrestuan më 5 shtator të vitit 2020 dhe që atëherë gjendeshin në mbajtje në Hagë.

    Vetëm pastaj, Dhomat e Specializuara modifikuan dënimin ndaj Gucatit. Në tetor të 2023-ës, ish-kreu i Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucatit iu mundësua lirimi, nën disa kushte.

    Dhomat e Specializuara thanë se nëse Gucati nuk përmbush cilindo prej këtyre kushteve, atëherë vendimi do të anulohet.

    Ndërkohë, kjo gjykatë konfirmonte se do ta shqyrtonte mundësinë që të modifikojë dënimin e Nasim Haradinajt dhe ta lironte sikurse Gucatin.

    “Sidoqoftë, Trendafilova theksoi se Haradinaj ka precedentë disiplinorë në njësinë e paraburgimit dhe megjithëse ai ka ndërmarrë disa hapa drejt rehabilitimit, ka ende vend për rehabilitim”, thuhej në njoftim.

    Dy muaj pas, në dhjetor të 2023-ës nga burgu u lirua edhe ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj.

    Për lirimin e tij vendosi presidentja e Dhomave të Specializuara, Ektarina Trendafilova.

    Sipas Speciales, Haradinaj ka “reflektuar” për veprimet e tij gjatë kohës sa ndodhej në paraburgim.

    Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Më 3 prill të 2023-ës ka nisur gjykimi edhe ndaj katër ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Ata janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime lufte.

    Ish-krerët akuzohen për krime të luftës: arrestim dhe ndalim i paligjshëm, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme. Ndërkaq, krimet kundër njerëzimit që ata akuzohen se kanë kryer janë: përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

    Krimet dyshohet se janë kryer nga marsi i vitit 1998 deri në shtator 1999, në disa lokacione të Kosovës, por edhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

    Aktakuza ndaj ish-krerëve të UÇK-së, lidhur me pretendimin për krime lufte, është konfirmuar më 26 tetor 2020.

    Në paraqitjet e tyre të para në Dhomat e Specializuara në Hagë ata janë deklaruar të pafajshëm. Ata po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

    Më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Thaçit dhe të tjerëve, ku pretendon se të akuzuarit kanë kryer krime lufte në Gjilan, Budakovë e Semetisht.

    Krerët e UÇK-së që nga arrestimi janë në paraburgim, dhe atyre u janë refuzuar të gjitha kërkesat për mbrojtje në liri.

    Prokuroria deklaronte se ka më shumë se 300 dëshmitarë, prej të cilëve do të kenë edhe ish-udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që do të flasin për strukturën dhe organizimin e UÇK-së.

    Edhe sot, 17 korrik, 2024 është duke vazhduar gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

    Theksojmë se Gjykata Speciale, me seli në Hagë, funksionon sipas ligjeve të Kosovës. Krimet e pretenduara, fillimisht janë përmendur në një raport të Këshillit të Evropës, që ishte hartuar nga senatori i atëhershëm zviceran, Dick Marty.

    Raporti i hapi rrugën themelimit të Speciales përmes votimit në Kuvendin e Kosovës më 2015. /Insajderi


    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark