“Gllabërohet nga inatet personale”, “pa aftësi për eliminim klanesh”. Këto janë vetëm disa nga kritikat e përpiluara ndaj kryeshefit ekzekutiv të ndërmarrjes publike “Hidrodrini”, Dri Cena, nga bordi i kësaj ndërmarrjeje në një raport vlerësues që e ka siguruar Insajderi. Ky raport i vlerësimit të përformancës është dërguar në fund të nëntorit të 2023-ës drejt ekzekutivit, mirëpo Qeveria ende s’ka vepruar asgjë kundër tij. Për veprime kokë më vete të Cenës Insajderi raportoi më herët, lidhur me kontratën e fshehtë të tij me ‘IPKO’ pa procedura tenderimi, për çka Prokuroria në Pejë filloi hetimet.
Në një raport vlerësimi që ka siguruar Gazeta Insajderi, Cena vlerësohet si i pa aftë dhe me mungesë të menaxhimit. Aty përmenden shpërfilljet ndaj rekomandimeve të bordit, mos-marrja e masave disiplinore ndaj disa zyrtarëve të lartë për shkelje dhe mos-menaxhim për humbjet që ka ndërmarrja.
Në raport thuhet se disa konkurse të anuluara nga kryeshefi aktual i ‘Hidrodrini’ pa u këshilluar me zyrën ligjore dhe “fajësim të të tjerëve”.
Një nga pikat më skandaloze të veprimeve të tij që përmendet në vlerësimin e përformancës është edhe refuzimi që zyrtari kryesor financiar të ketë qasje në llogari bankare të ndërmarrjes, duke shkelur rëndë ligjin.
Bordi drejtues adreson edhe shqetësimin për rënie në vlerë prej afro 350 mijë euro të parasë së gatshme të ndërmarrjes publike përbrenda dy muajve si pasojë e politikave të kryeshefit ekzekutiv.
“Kontroll i dobët i financave dhe mos arsyetim i rënies enorme të kategorisë: paraja e gatshme në bankë dhe në arkë. Paraja e gatshme në muajin gusht raportohet të jetë 3,222,676.92€, gjersa në muajin tetor është: 2,881,418.34€. Shpenzimi prej 341,258.58€ për dy muajt e fundit nuk është justifikuar. Njëherit, ky fakt është shgetësues dhe sfidon besimin e BD (bordit drejtues)”, thuhet ndër të tjera në raport vlerësues.
Në raportin e vlerësimit të përformancës për vitin që shkoi përmenden edhe “klane që veprojnë në dëm të interesave të ndërmarrjes” që po gjejnë përkrahjen e Cenës. Mirëpo, bordi drejtues s’përmend emra askund.
Aty thuhet se Cena tutje s’ka aftësi personale që t’i menaxhojë as konfliktet me staf.
Përveç tjerash, bordi ngre shqetësimin se kryshefi ekezkutiv thotë se për disa punësime është arsyetuar duke thënë se ka pasur ndërhyrje nga “autoritetet e larta qeveritare”.
“Komunikimi formal me BD (bordin drejtues) demonstron mos respekt për moshën, pozitën dhe gjininë. Arsyetohet tek bordi për kaosin e shkaktuar në punësime duke deklaruar për ndërhyrje nga autoritetet e larta qeveritare dhe nga anëtarët e BD’së”, vijon raporti vlerësues.
Një nga zotimet që ka përmendur Cena është edhe menaxhimi i humbjeve të shkaktuara si pasojë e mos-pagesave ndaj ndërmarrjes, sipas bordit drejtues. Në pjesën e menaxhimit të objektivave, thuhet se kryeshefi aktual i ‘Hidrodrini’ s’ka arritur të zvogëlojë borxhet.
Gazeta Insajderi iu është drejtuar për koment ndërmarrjes publike, mirëpo nga bordi drejtues kanë thënë se “këto janë çështje interne të ndërmarrjes”.
“Ju lutemi vleresimi eshte qeshtje interne e te punesuarve prandaj nuk bene asesi te publikohet do te kerkohet pergjegjesi per kete”, është thënë në përgjigjen e kryesuesit të bordit, Jusuf Nikçit.
Denoncimet e mëhershme ndaj Cenës, hezitimi i Kurtit për shkarkim
Më 14 shkurt 2014 Kryeministri Albin Kurti mund të ishte duke festuar ose ditën e të dashuruarve, ose edhe fitoren e madhe të vitit 2021 kur mori mbi 51 % të votave për tu bërë kryeministër. Por, këtë ditë në e-mailin e tij zyrtar ka shkuar edhe një denoncim nga një ish-punonjës i ndërmarrjes publike “HidroDrini” në Pejë që ka denoncuar Kryeshefin e kësaj ndërmarrjeje, Dri Cena.
Në këtë denoncim, një kopje të së cilit e ka siguruar Gazeta Insajderi, ish-zyrtari ligjor i ndërmarrjes në fjalë, Fisnik Ferati ka renditur një sërë pretendimesh që sipas tij janë shkelje ligjore, punësime partiake e edhe dëmtim i buxhetit të ndërmarrjes me veprime anti-ligjore të Cenës.
“I nderuar Kryeministër z.Albin Kurti. Me lejoni që të përmes kësaj shkresë të ju drejtohem në lidhje me disa shqetësimet të mija si Zyrtar Ligjor në KRU “Hidrodrini“Sh.A., ku në këtë pozite jam tani e 16 vite. Pas përfundimit të pushimit pa pagës prej gjashtë muajsh kthehem në punë me datën 09.01.2024, të njëjtën ditë dhe datë e kam pasur një incident me Kryeshefin Ekzekutiv z.Dri Cena i cili me dhunë me ka larguar nga zyra duke me tërhequr zvarrë për krahu dhe duke me fyer me fjalët “pis dhe idiot”, vetëm pse kam kërkuar që të mbetem në vendin e njëjtë aty ku isha tani e 16 vite”, e nis kështu ai letrën e tij dërguar Kryeministrit Kurti.
Duke kërkuar mbrojnë e të drejtave të mija si qytetar i Republikës se Kosovës, thotë ai në institucionet e rendit e kam lajmëruar rastin menjëherë.
“Për rastin në fjale kam informuar edhe Bordin e Drejtorëve si dhe Ministren Rizvanolli, asnjëra palë nuk me janë përgjigj asnjëherë në emalin e adresuar tek të njëjtit si organi me i lartë në kompani”, i tregon Ferati Kryeministrit Kurti për faktin që edhe vartësja e tij, Artane Rizvanolli ishte në dijeni me zhvillimet.
Ai thotë se hapja e rastit si shënim i veçantë në Polici për dyshimin për sulm nga Kryeshefi Dri Ceni, nuk e ka pasur për qëllim me dëmtuar Cenën, “por vetëm me parandaluar qasjen jo të mirë të tij ndaj meje. Lënda ka mbet vetëm shënim zyrtar në polici e prokurori. Kryeshefi prapë nuk ndalët dhe vazhdon sulmin ndaj meje. Ai i bën kërkesë me email Sekretares së kompanisë të hap Komision Disiplinor ndaj meje me arsyen që unë i kam tregu Ministres, Bordit dhe e kam denoncuar në polici. Pas refuzimit të sekretares për inicimin e rastit duke mos ju prezantuar kërkesë për inicimin e rastit disiplinor e as prova nga KRYESHEFI, KE – inicion procedurën disiplinore vet”, thuhet tutje në denoncim.
Ish-zyrtari ligjor i “HidroDrinit” e ka njoftuar Kryeministrin Kurti, por jo vetëm atë, edhe me një sërë veprimesh që ai pretendon se janë të kundërligjshme nga Kryeshefi i kësaj kompanie, Dri Cena.
“I lartcekuri që nga ardhja në këtë pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv që 7 muaj në vazhdimësi bën shkelje ligjore si ato vendime për anulim të konkursit për zyrtar ligjor (konkursi 1 dhe 2 edhe pse më tepër se 3 kandidatë kishin plotësuar kushtet)”, thuhet në këtë letër…
Për 7 muaj që ka ardhur në detyre, “KE ka punësuar mbi 40 punëtore duke u thirr në VV dhe Qeverinë ( gjë që nuk është e vërtetë, të punësuarit janë në parti tjera shumica), punësimet janë bere me plot shkelje ligjore. Si rezultate e shkeljeve ligjore në procedurat e rekrutimit dhe ndërprerjen e kundërligjshme të marrëdhënies së punës kompania pëson dëme financiare, po ju cek vetëm dy vendimet e fundit si me poshtë: Vendim nr.03/V/039/24/21/1275, gjoba nga IP vlera 1,500€ dt.30.01.2024 ( shkelje e procedurave të rekrutimit). Aktgjykimi nr. C.nr.2302/23 për ndërprerjen e marrëdhënies se punës kundërligjshme shuma ne vlerën 8,000€ e datës 06.02.2024”, thuhet në këtë letër.
Kontrata e dyshimtë e Cenës me IPKO-n, hetimet nga Prokuroria
Në fund të muajit shkurt të këtij viti, Bordi i Ndërmarrjes Publike “Hidrodrini” ishte mbledhur për të mbikëqyrur punën e menaxhmentit që në krye e ka Kryeshefin Ekzekutiv, Dri Cena.
Ndër shumë diskutime që u bën atë ditë, një moment kishte ngritur më shumë pikëpyetje se që u dhanë përgjigje, ani pse në mbledhje ishte ftuar edhe zyrtari i prokurimeve i ndërmarrjes.
Ishte marrëveshja mes IPKO-s e “Hidrodrinit”, vlera e së cilës nuk përmendët në transkripitin e mbledjes që e ka siguruar Gazeta Insajderi.
Insajderi merr vesh që kjo shumë është 60 mijë euro për tri vitet e ardhshme, një shumë kjo që nuk është mohuar as nga IPKO- kur e komentoi vet marrëveshjen, e as nga Bordi i “Hidrodrinit” e Dri Cena kur u kontaktua nga Insajderi.
Dri Cena del që nuk ishte prezent në njërën nga pikat ku u diskuatua një kontratë ku “Hidrodrini” hyri në obligime financiare me kompaninë private IPKO, por Bordi i kësaj Ndërmarrjes Publike megjithatë e kishte diskutuar edhe pa të.
Nga diskutimi del që Bordi madje nuk ishte në dijeni, kjo pasi që ata kërkojnë nga Zyra Ligjore që të bëjë një interpretim për ta se me çfarë baze u bë kjo kontratë.
Gazeta Insajderi ka siguruar nga Bordi një transkript se çka diskutuan ata në mbledhjen e 29 shkurtit të këtij viti.
“Raport me shkrim nga zyrtari i prokurimit pse nuk është përfshirë marrëveshja me IPKO në raportin operativ / financiar mujor. Të raportohet nëse marrëveshja është në harmoni me ligjin e prokurimit publik, ligjin e konkurrencës dhe ligjin për menaxhimin e financave publike”, kjo ishte pikë diskutimi e një mbledhje që kishte zgjatur shumë.
Jusuf Nikçi, Kryesues i Bordit të Drejtorëve të “Hidrodrinit”, sipas dokumentit që e posedon Insajderi, kishte thirrur madje ne mbledhje edhe zyrtarin e prokurimeve.
“…sipas ligjit prokurimit publik dhe atij të financave si do të duhej të veprohet, a do të duhej të bëhet marrëveshja me IPKO, dhe cilat proceduar do të duhet të respektohen?”, e kishte pyetur Nikçi zyrtarin e tenderëve në “Hidrodrini”.
I zënë në befasi, ky zyrtari kishte treguar se kjo zyrë as që ishte në dijeni cka po bëhej.
“…ne si zyre e prokurimit nuk kemi pranuar asnjë kërkesë nga njësia kërkuar e as që ka qene në plan të prokurimit marrëveshja me IPKON. Ligji i prokurimit thotë: në bane të kërkesave të njësive kërkuese përpilohet plani i prokurimit për vitin vijues”, kishte deklaruar ai para Bordit.
Kryesuesi Nikçi kishte pyetir tutje se “marrëveshja e tillë e nënshkruar me IPKO-n për shërbime të IPKO-së a do të duhet të hapet tender dhe kjo marrëveshje të kaloj me proceduar tenderuese?”.
Përsëri, zyrtari i tenderëve në “Hidrodrini” kishte dhënë mendimin e tij profesional që si përgjigje ngrit dyshime për këtë kontratë.
“Secili shpenzim duhet të kaloj përmes procedurave të prokurimit përveç pagave të punëtoreve që nuk kalojën në procedure të prokurimit publik. Zyra e prokurimit nuk e ka parë marrëveshje si të tille e as që jam i informuar për këtë”, kishte thënë ai para Bordit, në dokumentin që e posedon Insajderi.
Driton Sylqa, pjsesë e Bordit të “Hidrodrinit” tutje kishte kërkuara që “në lidhje me ligjshmërinë e kësaj kontrate të jepet një opinion ligjor nga zyra ligjore në afat një jave”.
Gzeta Insajderi ka dërguar pyetje që nga 11 marsi i këtij viti në “Hidtrodrini”, ku në disa prej kërkesave e ka mbajtur të informuar edhe Ministren e Zhvillimit Ekonomik, Artane Rizvanolli.
Deri tash nuk ka pranuar asnjë përgjigje nga ta për kontratën me IPKO-n.
Insajderi ka kontaktuar edhe Kryeshefin Ekzekutiv, Dri Cena, por as ai nuk ka pranuar që të komentoj për këtë marrëveshje.
IPKO në anën tjetër nuk e ka komentuar faktin që marrëveshja me “Hidrodrini” u bë pa shpallur tender kjo e fundit.
“Në mes të IPKO Telecommunications LLC dhe KRU Hidrodrini Sh.A, ekzistojnë marrëdhënie bashkëpunimi në fuqi që nga viti 2012, me ripërtërije të kontratës në vitin 2017, në vitin 2019, në 2021, dhe përsëri në vitin 2023”, thuhet në përgjigjen e dhënë ëpr Insajderin nga ana e IPKO-s.
Sipas tyre, “IPKO u përgjigjet kërkesave për oferta të personave juridik, si atyre publik ashtu edhe atyre privat, bazuar në rregulloret e brendshme të kompanisë. IPKO respekton standardet me te larta etike dhe afariste në ndërveprimet gjate ushtrimit te veprimtarisë se saj”.
Derisa as Bordi, as menaxhmenti i “Hidrodrinit” nuk ka komentuar për pyetjet e dërguara nga Insajderi, në Prokurorinë Themelore në Pejë ka konfirmuar hapjen e rastit, pasi që Gazeta Insajderi e kishte informuar me të gjeturat e hulumtimit të Gazetës, duke u ofruar edhe dokumentet.
“Prokuroria Themelore në Pejë, pasi ka pranuar informatat, ka hapur rast për këtë çështje dhe aktualisht jane duke u ndermarre veprimet nevojshme”, ika thënë Insajderit Shkodran Nikçi, Zëdhënës i Prokurorisë.
Gazeta Insajderi ditë më parë ka publikuar një seri artikujsh, dhe një intervistë ekskluzive dhënë nga një kandidat që e humbi garën për të u punësuar në “Hidrodrini”, e që në përgjithësi ngrisin dyshime për veprime të dyshimta nga njeriu kryesor në menaxhmentin e kësaj ndërmarrje, Dri Cena. /Insajderi.org/