Një shtetase kineze është arrestuar, pasi akuzohet si tutore e një rrjeti prostitucioni që ushtronte veprimtarinë në Tiranë.
Në pranga ra 38-vjeçarja kineze, e cila ishte shpallur në kërkim gjatë operacionit të koduar “Red Light 2”, ku më herët u arrestua edhe mikesha e saj kineze, e përfshirë në rrjetin e prostitucionit.
38-vjeçarja kineze u kap në Rinas teksa tentonte të largohej nga Shqipëria. Ajo së bashku me mikeshën e saj Yhong Yang, 52 vjeçe, e arrestuar më parë gjatë operacionit, dyshohet se rekrutonin shtetase kineze dhe filipineze të cilat më pas i shfrytëzonin për prostitucion.
Në momentin që vajzat e rekrutuara kërkonin të tërhiqeshin nga ky aktivitet kriminal, dy shtetaset e arrestuara, me anë të fotove të publikuara në faqen “Escort Tirana”, ushtronin dhunë ndaj tyre dhe presion ndaj familjarëve të vajzave të rekturuara.
Çmimi për shërbimet nga vajzat varionte nga 150 deri në 300 euro dhe prostitucioni ushtrohej nëpër apartamente “Airbnb”, në zona të ndryshme të Tiranës.
Ajo ishte shpallur në kërkim për veprat penale “Shfrytëzimi prostiucionit”, “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”, “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, dhe “Dëmtime te tjera me dashje”./RTSH