
Futbollisti i Oldham Athletic, Kian Harratt, është përfshirë në një incident të bujshëm gjatë pushimeve në Ibiza, pasi një video e shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale e tregon atë duke hedhur një karrige, e cila përfundon duke goditur një grua në fytyrë.
Ngjarja ndodhi pranë një pishine, ku Harratt dhe një grup miqsh të tij përfunduan në përleshje fizike me pushues të tjerë britanikë. Sipas dëshmitarëve, grupi i futbollistit po sillte provokime ndaj grave dhe kalimtarëve duke hedhur topa dhe duke i ngacmuar verbalist.
“Grupi i tij ishte shumë provokues. E nisën ata gjithë përplasjen,” tha një dëshmitar për mediat britanike.
Vetë Harratt, i cili ka qenë i përfshirë në polemika edhe më parë, ka dhënë një reagim për tabloidin The Sun, ku mohon se kishte qëllim të dëmtonte ndonjë grua.
“Një burrë iu afrua mikut tim dhe deshi ta godiste. Ndërhyra, dhe një karrige u hodh në drejtimin tonë. E mora dhe e hodha mbrapsht – nuk kisha ndërmend ta godisja gruan,” tha ai, duke shtuar se personi në fjalë ishte “një ngacmues trupmadh dhe agresiv”.
Dëshmitarë të tjerë, megjithatë, e përshkruan sjelljen e grupit të Harratt si të papjekur dhe provokuese, duke fajësuar ata për përshkallëzimin e konfliktit.