Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar caktimin e masës ndaj të dyshuarit që goditi për vdekje një këmbësore në Ferizaj
Ai dyshohet për veprat penale “Rrezikimi i trafikut publik” dhe “Mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik”.
Sipas Prokurorisë “ekziston dyshimi i bazuar se më 07.08.2024, rreth orës 17:00, në rrugën “Driton Islami” në Ferizaj, duke drejtuar automjetin e tipit “Opel Corsa”, në drejtim të rrugës magjistrale, i cili duke lëvizur ne shiritin e djathtë të drejtimit lëvizës dhe kur arrin në afërsi të hyrjes për në lagjen “Iliria” i njëjti nga pakujdesia shkel ligjin për trafikun publik, duke mos i’a përshtatur shpejtësinë e lëvizjes kushteve dhe rrethanave në rrugë në vendbanim, në mënyrë që të ndalet me kohë para çdo pengese që mund të paraqitet, për pasojë derisa e ndjera Z.T.,- shtetase e Shqipërisë, ka qenë duke lëvizur – trupuar rrugën ne vendkalimin për këmbësor nga hyrja e lagjes”Iliria” për në anën tjetër te rrugës, me pjesën e përparme të anës se djathtë është goditur nga automjeti, si rezultat i së cilës fillimisht e ndjera dërgohet në Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe nga aty dërgohet në Qendrën Klinike Univeristarë të Kosovës (QKUK)-Prishtinë, ku edhe ka ndërruar jetë, me të cilën do të kryente veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik” nga neni 370 paragrafi 9 lidhur me paragrafin 6 dhe paragrafin 1 të KPRK-së”.
“Po ashtu, për të pandehurin ekziston dyshimi i bazuar se me datë, kohë dhe vend të njëjtë si në pikën I, si ngasës i automjetit – tani i pandehuri nuk i ofron ndihmë personit të lënduar- tashmë të ndjerës Z.T., duke ikur nga vendi i ngjarjes dhe duke e lënë të ndjerën pa i ofruar ndihmë si dhe nuk ka njoftuar numrat e emergjencës qe janë policia dhe ndihma e parë-ambulanta dhe për pasojë personi – tani i ndjerë – fillimisht ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe pastaj pas rreth dy ore ka ndërruar jetë në QKUK-në Prishtinë , me të cilën do te kryente veprën penale “Mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik” nga neni 374 paragrafi 3 i KPRK-së.”
I dyshuari gjendet në ndalim.
“I pandehuri, me vendim të Prokurorit të Shtetit, që nga data 07 Gusht 2024, gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh për veprat penale të lartëcekura.”