Rreth aksidentit vdekjeprurës ajror në Korenë e Jugut po qarkullojnë versione të pa sigurta.
Ekspertët kanë ngritur dyshime mbi ndikimin që mund të ketë pasur një përplasja me shpendët në rrëzimin e fluturimit të Jeju Air, raporton Sky News, përcjell Insajderi.
Zyrtarët thanë se, brenda një periudhe të shkurtër, kulla e kontrollit lëshoi një paralajmërim për përplasjen me shpendët, pilotët shpallën rënie emergjente dhe më pas u përpoqën të realizonin ulje në pistë nga drejtimi i kundërt.
“Momentalisht, ka shumë më tepër pyetje sesa përgjigje. Pse avioni po fluturonte kaq shpejt? Pse krahët nuk ishin hapur? Pse pajisja e uljes nuk ishte hapur?”, tha Gregory Alegi, ekspert i aviacionit dhe ish-mësues në Akademinë e Forcës Ajrore të Italisë.
Christian Beckert, ekspert i sigurisë ajrore dhe pilot i Lufthansa, tha se pamjet sugjeronin që shumica e sistemeve të frenimit të avionit nuk ishin aktivizuar, duke krijuar një “problem të madh” gjatë uljes së shpejtë.
“Është shumë, shumë e rrallë dhe shumë e pazakontë që pajisja e uljes të mos hapet, pasi ekzistojnë sisteme të pavarura që mund ta bëjnë atë me anë të ndonjë sistemi alternativ”, tha ai.
Përplasja me shpendët nuk pritej të kishte dëmtuar pajisjen e uljes ndërkohë që ajo ishte ende e ngritur, dhe po të kishte ndodhur kur pajisja ishte e mbyllur, do të ishte e vështirë të ngrihej përsëri, shtoi ai.
Eksperti australian i sigurisë ajrore, Geoffrey Dell, tha se nëse grumbulli i shpendëve do të ishte “përpirë” në motor, motori nuk do të ishte ndaluar menjëherë, duke i dhënë pilotëve kohë për të reaguar.
“Sigurisht që mund të ketë pasur një përplasje me shpendët, por pasojat janë shumë të mëdha që ky të jetë shkaku direkt i aksidentit”, shtoi ai.
Vendimi për të ulur avionin në pistë nga drejtimi i kundërt ngriti edhe më shumë pyetje për hetuesit, tha Marco Chan, lektorues i lartë në operacionet e aviacionit në Universitetin e Buckinghamshire dhe ish-pilot.
“Ndryshimi i drejtimit të uljes u bë mjaft vonë, duke shtuar kështu ngarkesën e punës”, tha ai.
“Tani jemi në fazën e hamendësimeve”. /Insajderi.org/