David Randall
Ja parashikimi im: pas pesë apo dhjetë vjetësh, do të bjerë në mënyrë drastike pushteti arrogant i Google, Facebook dhe Amazon, dhe ekonomia online do të transformohet, deri të na bëhet e panjohur. Dhe unë mendoj se do të zhduket interneti, si e kemi njohur deri më sot: i egër dhe kryesisht i parregulluar, ku kompanitë gjigande si ato të përmendura më lart, gëzojnë imunitet ligjor që shkon prapa në një epokë më të thjeshtë, ose mund t’i lejojnë vetes të shfrytëzojnë pa u ndëshkuar, të drejtat e autorit të njerëzve të tjerë.
Përfytyroj që një parashikim i tillë mund të duket i pagjasë. Në fund të fundit, sot Google mbledh 81 për qind të të gjithë motorëve kërkues në mbarë botën, Facebook 77 për qind të trafikut të rrjeteve sociale, ndërsa Amazon shet rreth 70 për qind të librave elektronikë në qarkullim, dhe përqendron 51 për qind të të gjitha shitjeve të tjera në internet. Përveç kësaj, nëse mblidhni vlerën e tyre të tregut, që është më shumë se 1 500 miliardë dollarë, të treja kanë një GDP më të madh se pothuajse çdo vend i botës (vetëm dhjetë shtete kanë një GDP më të lartë).
Botues nën mburojën digjitale
Këto kompani duken të pamposhtura. Kush ose çfarë mund t’i vërë ndonjëherë në vështirësi? Për shembull, një ish studente për të cilën kurrë nuk keni dëgjuar dhe e cila sot është senatore e Shteteve të Bashkuara, dhe bën pjesë në një grup interesant politikanësh amerikanë, të cilët po fillojnë të kërcënojnë seriozisht këto monopole në dukje të pakundërshtueshme, si dhe atyre që i bëjnë të ruajnë dominimin e tyre në rrjet. Me pak fjalë, përçmimi ndaj të drejtës së autorit dhe pretendimi se nuk janë botues.
Sot, redaktori i një gazete apo reviste është përgjegjësi ligjor për përmbajtjen e saj. Nëse përmbajtja është shpifëse ose e ndëshkueshme penalisht, botuesi mund të akuzohet ose të detyrohet të mbyllet. Megjithatë, kjo nuk vlen për Google dhe bashkëpunëtorët e tij, të cilët pretendojnë të jenë jo botues, por thjesht kanale të shpërndarjes në internet të përmbajtjes së krijuar nga të tjerët. Njëzet vjet më parë, në vitin 1996, ky pretendim u sanksionua dhe u kthye në ligj në Shtetet e Bashkuara: Akti i të drejtës së autorit për mediat është i atij viti. Në atë kohë, interneti ishte ende në fillimet e veta dhe Google dhe Co. ende nuk ekzistonin, dhe ligji ka vendosur që ofruesit e shërbimeve online nuk janë përgjegjës, në qoftë se ata heqin apo bllokojnë përmbajtje, sapo marrin mesazhin se këto janë të mbuluara nga e drejta e autorit.
Monopolet e mëdha në internet i kanë përdorur këto përfitime për të krijuar aktivitete gjigande biznesi, që funksionojnë si kartele. Në fakt, ata publikojnë lajme dhe përmbajtje që nuk paguajnë, por nga të cilat marrin fitime nga reklamat.
Të ardhurat nga reklamat për Google janë mbi tetëdhjetë miliardë dollarë, më shumë se sa fitojnë nga reklamat të gjitha gazetat, revistat dhe radiostacionet në botë (as Google, as Facebook nuk punësojë qoftë edhe një gazetar të vetëm, ndërkohë që gazetat, të cilat e bëjnë, humbasin të ardhurat, zvogëlohen ose mbyllen).
YouTube (që është në pronësi të Google) ju lejon të shkarkoni muzikë nga e cila nxjerr fitime, ndërsa muzikantët marrin pak ose aspak. Shkrimtari amerikan Jonathan Taplin, autor i një libri frymëzues të quajtur “Lëvz shpejt dhe thyej gjëra: si Facebook, Google dhe Amazon vunë pas qoshes kulturën dhe dëmtuan demokracinë”, thotë se nëse një këngë shkarkohet një milion herë në iTunes, autori fiton $ 900,000, por nëse e bën atë në YouTube, ai merr vetëm 900.
Kapitalizmi i survejimit
Këto kompani paguajnë shumë pak taksa për fitime të mëdha dhe kanë qenë shumë të ngadalta në heqjen e përmbajtjes ilegale, duke përfshirë disa që jepnin këshilla të dobishme se si të kryesh veprime terroriste. Është e vërtetë se ato ofrojnë argëtim, dhe, në rastin e Amazon, çmime të ulëta. Por, në këmbim, ato gjithashtu ndjekin qëllimin e tyre të madh: të marrin informacione personale rreth përdoruesve, ndërsa këta lundrojnë, blejnë dhe kërkojnë. Fitimet e tyre, siç e ka shkruar Taplin duke përdorur një shprehje të paharrueshme, rrjedhin nga një “kapitalizëm i survejimit”. Janë si një vëlla i madh i cili dëshiron të jetë miku ynë, në mënyrë që të mund të shohë brenda në portofolin tonë dhe të marrë shënime për përmbajtjen e tij.
Europa është përpjekur të frenojë këto monopole, por Shtetet e Bashkuara i kanë lënë të patrazuar, në emër të lirisë të shprehjes, parave dhe supremacisë amerikane. Megjithatë, sot përvijohet një ndryshim. Disa propozime për projekt-ligjin që po diskutohet aktualisht në kongres synojnë t’i konsiderojnë botuesit si “ofrues interaktivë të IT” që bartin përmbajtje në lidhje me shfrytëzimin seksual, duke i bërë ata ligjërisht përgjegjës.
Duket një gjë që asnjë person me bonsens nuk mund ta kundërshtojë, por Google, Facebook dhe shokët e tyre po e bëjnë. Ata pohojnë se imuniteti i tyre aktual është vendimtar që ekonomia online të funksionojë dhe të përparojë. Shqetësimi i tyre është që, pasi të konsiderohen botues në kontekstin e kufizuar të trafikimit seksual, ky parim mund të shtrihet në materiale të tjera që ata përcjellin. / Internazionale – Bota.al