Vitin e kaluar Google prezantoi një aplikacion të quajtur Motion Stills për përdoruesit e iOS të cilët mund të bënin më shumë me fotot live madje ti kthenin ato në format GIF.
Sot Google tha se do të sjellë Motion Stills edhe në Android shoqëruar nga disa ndryshime të vogla.
Sigurisht përdoruesit e Android nuk kanë nevojë për një aplikacion që editon Imazhet Live të iPhone. Live Photos, janë një format i prezantuar nga Apple në 2015-ën së bashku me modelin e ri të iPhone.
Dhe me debutimin e iOS 11, Apple do të sjellë mjete të reja të editimit të fotove live duke eleminuar nevojën për një aplikacion nga palët e treta.
Kompania thotë se aplikacioni Android përmban një eksperiencë të re regjistrimi ku çdo gjë që realizoni me kamerën e telefonit tuaj transformohet automatikisht në një klip.
Për ta përdorur mjafton klikimi i butonit të zakonshëm për kapjen e imazheve. Një veçori e re e këtij aplikacioni është “Fast Forward” i cili redukton kohëzgjatjen e klipeve të gjata.
Google thotë se aplikacioni është vendi ideal për të eksperimentuar me teknologjitë video duke lënë të kuptohet se veçoritë e reja mund të mbërrijnë në Google Photos në të ardhmen.
Motion Stills është i disponueshëm në Android dhe funksionon me versionin 5.1 dhe më lart. /PCWorld Albanian