Në dhjetor të vitit të kaluar në emisionin “Sop” është publikuar denoncimi dy vëllezërve Ilia dhe Marko Koka, të cilët kanë akuzuar kushëririn e tyre, Elidon Gjikoka.
Denoncimi u bë pasi Gjikoka akuzohet se u kishte marrë me qira pronën dhe disa objekte turistike buzë detit në Dhërmi me dokumente të falsifikuara dhe më pas iu grabiti pronën, duke u bërë nga qiramarrës në pronar me hipotekë.
Por problemet për dy vëllezërit u shtuan pasi disa ditë pas transmetimit të këtij rasti në emisionin “Stop”, njëri nga vëllezërit Koka, Markoja ndërroi jetë, pasi mësoi, se prona e tij ishte vjedhur nga kushëriri Elidon Gjikoka.
Ndërkohë që kur kanë kaluar më shumë se 3 muaj nga publikimi i këtij rasti mësohet se Prokuroria e Vlorës dhe ajo e Tiranës kanë nisur një hetim. Po ashtu është regjistrua procedimi penal për Elidon Gjikokën, i cili u shpall në kërkim ndërkombëtar dhe sipas informacioneve, ai ndodhet në Angli me familjen e tij.
Emisioni “Stop” ka pyetur prokurorin e çështjes, Ervin Karanxha, i cili tregon se hetimet janë drejt fundit.
“Është regjistruar procedimi për veprën penale të mashtrimit në bazë të Kodit Penal dhe për falsifikim të dokumenteve. Nga ana jonë janë kryer shumë hetime dhe inspektime në terren dhe shumë shpejt do të mbarojnë. Nga ne do të bëhet çdo procedurë ligjore dhe do të këtë hetime të plota dhe të gjithanshme”, u shpreh Karanxha.
Ndërkohë drejtuesi i emisionit “Stop” Saimir Kodra shprehet se mund të ketë arrestime dhe në pranga do të vihen zyrtarë të Kadastrës së Vlorës. Nga ana tjetër emisionin “Stop” ka mundur të sigurojë dhe disa të dhëna nga dy ekspertët, të cilët kanë konfirmuar shkeljet dhe falsifikimet në procedurën e ndjekur në Vlorë dhe Tiranë.
Në skemën e tjetërsimit të pronës dyshohet se janë përfshirë zyrtarë të Hipotekës së Vlorës dhe punonjës të tjerë./tvklan.al