×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    “Grafitet” godet luftën e pas luftës

    Insajderi
    14 April 2016 - 22:39
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Është dhënë premiera e shfaqjes “Grafitet” me regji të Fadil Hysajt, bazuar në dramën e Mehmet Krajës, e dhënë në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

    Shfaqja me dramën e cila është shkruar nga Kraja në vitin 2005, e që portetezion Prishtinën e pasluftës dhe ngufatjen e entuziazmit të lirisë nga frika që sjellin profiterë e matrapazë të luftës dhe politikës, është sjellë në skenë nga regjisori Hysaj.

    Shfaqja është goxha politike edhe pse sipas autorit të dramës, Mehmet Krajës, shfaqja i ka ikur retorikës dhe pamfletit politik. Megjithatë Hysaj, ndoshta për shkak të historisë së tij në politikë, pasi për shumë vite ka qenë këshilltar i Hashim Thaçit, sa ka qenë kryeministër i Kosovës, ka arritur të përçojë nëpërmjet kësaj shfaqje edhe motive goxha të forta politike.

    Shfaqja është e ndërtuar në një kat të një ndërtesë në periudhën e pas luftës në Kosovë. Mbi derën e banesës në të cilën jeton një grua e çmendur shkruan grafiti “Unë jam aktore”, ndërsa në një tjetër banesë ku jeton një femër pas së cilës vrapojnë të gjithë për shkak të bukurisë shkruan “Kurvë”.

    Por banesa kryesore është ajo mbi të cilën grafitet ndërrojnë varësisht nga kohët. Rolin kryesor e luan aktori Çun Lajçi i cili para se të fillonte lufta në derën e ka të shkruar “Kosova është Serbi” por që pas përfundimit të luftës, pas kërcënimeve nga krahu i luftës detyrohet ta shkruaj “UÇK” e më pas edhe “LDK”.

    Por kulmi i shfaqjes është kur kuptohet se të gjitha kërcënimet për ndërrimin e grafiteve mund të kenë qenë gënjeshtra dhe liria e shpresa kallen e digjen si revoltë ndaj jetesës nën kërcënim.

    E gjithçka përfundon kur personazhi kryesor (Çun Lajçi) vritet nga krahu i luftës, raporton Insajderi.

    Sipas Mehmet Krajës, regjisori Hysaj i ka bërë një lexim të mirë tekstit të tij dhe se metafora e vrasjes apo e djegies së lirisë, është një metaforë të cilën ai nuk mund ta deshifrojë.

    “Interpretimi dhe metafora, janë deshifrim që secili duhet ta lexojë në mënyrën e vet”, ka thënë Kraja, për Insajderin.

    Shfaqja “Grafitet” sipas Krajës, ka një komponentë politike por ka arritur ta tejkalojë pamfletin politik.

    “Ky komunikim me realitetin nuk më duket negative, dhe mendoj që disa transformime që i ka bërë regjisori brenda shfaqjes i ka ndihmuar tekstit”, ka thënë Kraja, pas premierës.

    Shfaqja “Grafitet” do të vazhdojë të jepet në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës./Insajderi.com

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark