Greqia akuzon refugjatët se po ia prishin turizmin - Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Greqia akuzon refugjatët se po ia prishin turizmin

    Insajderi
    31 July 2016 - 22:57
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ndërsa qeveria greke ka miratuar disa politika preferenciale për të tërhequr turistë në ishullin Lesvos, ekspertët mendojnë se ka probleme më të mëdha për të zgjidhur, si kriza e refugjatëve, taksat e larta dhe shqetësimet për situatën e sigurisë.

    Gati 600 mijë refugjatë kanë mbërritur në ishullin Lesvos që nga korriku i vitit të kaluar, duke pakësuar jo vetëm turizmin, por edhe zhvillimin e përgjithshëm të ishullit grek.

    Për të ringritur reputacionin e ishullit, qeveria greke miratoi një sërë iniciativash të reja për turizmin.

    Qeveria ofron 10 ditë qëndrimi në hotel pa pagesë për personat me të ardhura të ulëta ose të papunët. Udhëtarët gjithashtu kanë një ulje çmimi prej 30% nëse udhëtojnë me traget. Eksperti i transportit detar, Constantinos Antonopoulos, thotë se krahas këtyre politikave të reja, duhet edhe vendosmëri për të zgjidhur krizën e refugjatëve:

    “Evropa duhet të na ndihmojë duke i lëvizur njerëzit gradualisht drejt vendeve të tjera. Ndoshta duke i dërguar edhe në Evropë, në shtete të tjera, megjithëse do të duhet kohë dhe nuk mund të realizohet në një ditë.”

    Të tjerë besojnë se turizmi rrezikohet më shumë prej taksave të larta. Markos Kantzios thotë se niveli i lartë i taksave i ka shtrenjtuar shumë shërbimet për turistët:

    “Sigurisht që problem janë taksat e larta që përkthehen në shtrenjtim gradual të shërbimeve turistike. Ky është problemi më i madh, jo emigrantët. Emigrantët janë problemi i BE-së dhe grekët mbështesin zgjidhjen e tij.”

    Duke qenë se ishulli gjendet pranë bregdetit të Turqisë, shumë turistë marrin në konsideratë edhe situatën e tensionuar të atjeshme. Disa e konsiderojnë madje jo të sigurtë udhëtimin për këtë arsye.

    Megjithatë, zoti Antonopoulos thotë se siguria nuk është problem për Greqinë:

    “Për vetë Greqinë nuk mendoj se ka problem. Sigurisht që për disa ishuj që ndodhen pranë Turqisë ka një shqetësim, por mendoj se problemet do të mbeten brenda Turqisë dhe nuk do të shkaktojnë probleme për ishujt tanë.”

    Ishulli Lesvos ndodhet vetëm 5.5 km pranë bregdetit të Turqisë, i cili qarkon ishullin grek në pjesët veriore dhe lindore të tij./VOA


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark