Greqia nis kthimin e migrantëve në Turqi - Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Greqia nis kthimin e migrantëve në Turqi

    Insajderi
    04 April 2016 - 08:49
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

     

    Policia në ishullin grek të Lesbosit ka nisur vendosjen e migrantëve dhe refugjatëve nëpër anije, për t’i kthyer ata në Turqi.

    Këto janë grupet e para të njerëzve që deportohen në Turqi, bazuar në marrëveshjen ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Turqisë, për të kufizuar numrin e migrantëve në Evropë.

    Sipas kësaj marrëveshjeje, Ankaraja do të pranojë të gjithë migrantët dhe refugjatët, përfshirë ata sirianë, të cilët kanë hyrë në Greqi ilegalisht, në këmbim të BE-së që merr me mijëra refugjatë sirianë direkt nga Turqia, pastaj dhënies së më shumë parave për Turqinë, udhëtim më të shpejtë pa viza për qytetarët e saj, si dhe progres në negociatat për anëtarësim në BE.

    Nën masa të rrepta të sigurisë, 131 migrantët e parë janë shoqëruar në dy anije të vogla, mëngjesin e së hënës, nga zyrtarë të Agjencisë për mbrojtjen e kufijve të BE-së, Frontex, deri në portet e afërta të bregdetit turk, bazuar në planin që po kritikohet fuqishëm nga grupet për të drejtat e njeriut.

    Shumica e të kthyerve janë nga Pakistani dhe Bangladeshi, u ka thënë gazetarëve Ewa Moncure, një zëdhënëse e kësaj agjencie evropiane.

    “Procedura ka qenë shumë e qetë dhe gjithçka ka shkuar sipas planit”, ka sqaruar ajo.

    Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme i Turqisë, Efkan Ala ka thënë se vendi i tij është i gatshëm t’i pranojë të hënën 500 njerëz, ndërsa autoritetet greke kanë dhënë 400 emra, edhe pse këto shifra mund të ndryshojnë.

    Ndërkohë, në ishullin e afërt të Chios, policia u përplas me banorët lokalë para disa orëve, gjatë një proteste kundër deportimeve të planifikuara atje.

    “Kjo është dita e parë e një kohe shumë të vështirë për të drejtat e refugjatëve. Pavarësisht boshllëqeve serioze ligjore dhe mungesës së mbrojtjes adekuate në Turqi, BE-ja po vazhdon përpara me një marrëveshje të rrezikshme”, i ka thënë agjencisë së lajmeve Associated Press, Giorgos Kosmopoulos, kryetar i Amnesty International në Greqi.

    Ai ka shtuar se Turqia nuk është një vend i tretë i sigurt për refugjatët dhe se autoritetet e BE-së dhe Greqisë e dinë këtë gjë dhe ato nuk arsyetohen.

    Ndërsa Boris Cheshikov, një zëdhënës i organizatës së Kombeve të Bashkuara për Refugjatë, i ka thënë agjencisë së lajmeve AFP se janë më shumë se 2000 njerëz që kanë theksuar se duan të kërkojnë azil. Cheshikov ka kërkuar nga autoritetet greke, që i kryejnë shërbimet e azilit, të ofrojnë një proces të besueshëm për ata që duan t’i shprehin brengat e veta.

    Agjencia shtetërore e lajmeve ANA ka raportuar se rreth 250 migrantë nga Bangladeshi, Pakistani, Shri Lanka dhe shtetet afrikane do të dërgohen prapa në Turqi, në baza ditore, nga e hëna deri të mërkurën.

    Deportimi planifikohej të fillonte me migrantët që nuk kishim aplikuar për azil, apo aplikacionet e të cilëve ishin shpallur të papranueshme.

    Rreth 50 mijë migrantë dhe refugjatë po qëndrojnë në Greqi, pas mbylljes së kufijve në Ballkan dhe Bashkimin Evropian.

    Bashkimi Evropian ka nënshkruar një marrëveshje me Turqinë në muajin mars, në përpjekje për ta shpërndarë krizën më të keqe me migrantë në këtë kontinent që nga Lufta e Dytë Botërore, me më shumë se 1 milion njerëz që kanë ardhur në BE nga Lindja e Mesme, si dhe vende të tjera, vitin e kaluar.

    Sipas marrëveshjes, e cila është dizajnuar për ta ndalur fluksin e migrantëve, që vjen kryesisht nga Turqia, të gjithë “migrantët e parregullt”, që kanë arritur nga 20 marsi, do të dërgohen prapa në Turqi, edhe pse marrëveshja bën thirrje që çdo rast të trajtohet individualisht.

    Për çdo refugjat sirian të kthyer, një tjetër do të zhvendoset nga Turqia në BE, me një shifër që mund të arrijë deri në 72 mijë refugjatë./rel


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark