Greqia nis largimin e migrantëve nga Idomeni - Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Greqia nis largimin e migrantëve nga Idomeni

    Insajderi
    24 May 2016 - 09:01
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Greqia ka nisur të evakuojë mijëra migrantë të bllokuar në kampin e improvizuar në Idomeni, në kufi me Maqedoninë.

    Operacioni, për t’i transportuar njerëzit në objekte të organizuara më mirë, ka filluar qysh në agim.

    Trupat speciale janë në gjendje gatishmërie, por zyrtarët kanë thënë se nuk do të përdoret forca.

    Kampi është ngritur në muajin shkurt, pasi mbyllja e kufirit në Maqedoni ka bërë që mbi 8,000 njerëz të mbeten të bllokuar atje.

    Migrantët, shumica të ikur nga zonat e konfliktit në Siri, Irak dhe Afganistan, kanë refuzuar të lëvizin, edhe pse kanë fjetur në tenda dhe në kushte shumë të vështira.

    Policia, sot, ka ndaluar gazetarët që t’i afrohen kampit. Por, njësitet policore janë parë duke i bartur migrantët me autobusë, ndërsa një helikopter ka monitoruar operacionin.

    Zëdhënësi i Qeverisë greke, Giorgos Kyritsis, ka thënë të hënën se të gjithë migrantët do të zhvendosen dhe se operacioni do të zgjasë rreth një javë.

    “Një gjë si Idomeni nuk mund të mbahet, sepse u shërben vetëm interesave të kontrabandistëve”, ka thënë ai.

    Kyritsis ka shtuar se shumica e migrantëve do të vendoset në kampe të reja pranë qytetit të Selanikut.

    Po ashtu të hënën, policia ka nisur të largojë rreth 2,000 njerëz që kanë bllokuar hekurudhën në kufi.

    Hekurudha ka qenë e bllokuar për më shumë se një muaj, duke i detyruar trenat të devijojnë rrugën përmes Bullgarisë.

    Vendimi i Maqedonisë për të ndaluar migrantët që të kalojnë kufirin nga Greqia ka pasuar një njoftim të Austrisë për forcimin e kontrolleve të saj kufitare.

    Qysh atëherë, edhe vendet e tjera të Ballkanit kanë mbyllur kufijtë e tyre.

    Që nga fillimi i vitit të kaluar, mbi një milion refugjatë dhe migrantë të tjerë, pa dokumente, kanë hyrë në Bashkimin Evropian, me anije nga Turqia për në Greqi, duke shkaktuar një krizë të paparë në bllokun 28-anëtarësh.

    Komisioni Evropian u ka thënë gazetarëve të hënën se mirëpret çdo nismë të Greqisë për të evakuuar migrantët dhe për t’i zhvendosur ata në objekte të organizuara të pritjes./rel


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark