Kryetari i Federatës Sindikale të Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka njoftuar se greva e punëtorëve teknikë të Kuvendit të Kosovës ka hyrë në muajin e tretë, shkruan Insajderi.
Përmes një postimi në Facebook, Azemi ka theksuar se vetëm plotësimi i kërkesave mund t’i kthejë ata në punë.
Ai përmendi edhe nënkryetaren e kuvendit për veprim ndaj grevisteve.
“Sot po hyjmë në muajin e tretë të grevës në Kuvendin e Kosovës, greva më e gjatë që ka njohur historia. Të dy palët nuk po lëvizin, grevistët as që po lëvizin. Vetëm plotësimi i kërkesave do t’i kthejë ata në punë. Një gjest për t’u respektuar është ai i Saranda Bogujevci, nënkryetares së Kuvendit, e cila nuk i la të merdhihen në këto temperatura të ftohta, por i akomodoi grevistët në ambientet e brendshme të Kuvendit. Faleminderit, Sarandë! Për të tjerat, shohim dhe vazhdojmë,” ka shkruar Azemi.
Punëtorët teknikë të Kuvendit të Kosovës janë në grevë për kërkesa për rritje pagash.