Edhe filozofi i Lëvizjes Vetëvendosje, Elvis Hoxha është aktivizuar për shtypjen e grevistëve në Kosovë, shkruan Insajderi.
Ai e ka quajtur Rrahman Jasharajn e SBASHK-ut, anëtar të partisë serbe teksa thotë se gjithnjë ka pasur njerëz që korruptohen ose e ndihmojnë pushimin dhe korruptimin.
“Secili vijon me agjendat e veta. Por ai që më thotë mua se jam non gratta në Kosovë, sigurisht që sheh me dëshirë bashkëpunimin me serbët dhe krimin”, ka shkruar ai mes tjerash në Facebook.
Reagimi i plotë:
Sa herë, përgjatë këtyre viteve të aktivizmit në Kosovë, kam përmendur me emër Hashimin, Ramushin dhe Isën, kanë qenë të shumë ata që më kanë thënë se shqiptarët e Shqipërisë nuk kanë punë në Kosovë.
Një gjë dihet më siguri. Ndarja mes shqiptarëve vjen ose nga agjenturat, ose nga korrupsionit ose nga pushtimi. Të tre këta fenomene ne i kemi lejuar vetë. Kur nuk jemi të pushtuar, jemi të korruptuar. Gjithnjë kemi pasur mes nesh njerëz që korruptohen ose që ndihmojnë pushtimin dhe korruptimin. Dhe janë po të njëjtët që e duan bashkimin e shqiptarëve vetëm si bashkim bandash dhe krimi të organizuar.
Natyrisht që organizimi i bandave nis në veri të Kosovës. Nuk është aspak e çuditshme që Rahman Jashari përdor grevën e mësuesve pikërisht kur duhet të forcohet sovranitetit në veri. Ajo që është e dhimbshme, është pjesëmarrja e mësuesve në këtë grevë që ka për shef anëtarin e partisë serbe.
Secili vijon me agjendat e veta. Por ai që më thotë mua se jam non gratta në Kosovë, sigurisht që sheh me dëshirë bashkëpunimin me serbët dhe krimin.
Edhe Ballkani i Kapur është projekt turistik për serbët dhe izolues për shqiptarët.