
Gruaja dhe fëmija, të cilët mbetën të lënduar sot nga skelet e një lokali në qytetin e Gjilanit janë liruar nga Spitali për në shtëpi. Fëmija është liruar menjëherë pas trajtimit derisa gruaja ka refuzuar hospitalizimin përkundër rekomandimit nga mjekët.
Lirimin e tyre nga Spitali i Gjilanit për Insajderin e ka konfirmuar drejtori i Spitalit, Arsim Emini.
Drejtori ka treguar se gruas i është propozuar qëndrimi në spital për shkak të lëndimeve të marra. Ajo ka të lënduara disa pjesë të trupit.
“Gjendja e tyre shëndetësore është e mirë. Fëmija është lëshuar menjëherë në shtëpi teksa gruas i janë bërë ekzaminimet e nevojshme kontrollet radiologjike dhe janë konstatuar vetëm shtypje, në nivel të kokës, së trupit, të ekstremiteteve, këmba e djathtë është fut në gips. I është preferu me u hospitalizu për ta përcjell gjendjen e saj, mirëpo ajo ka refuzuar shkaku i fëmijës së vogël që e ka dhe është kthyer në shtëpi, nëse ka diçka probleme ajo me u lajmëru“, ka thënë Emini për Insajderin.