Melania Trump bashkëshortja e kandidatit për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump, është akuzuar se një pjesë të fjalimit, që e ka mbajtur në ditën e parë të Konventës Kombëtare Republikane, e ka vjedhur nga Michelle Obama gruaja e presidentit aktual amerikan.
CNN shkruan se është vrenjtur ngjashmëritë mes fjalimit të saj dhe fjalimit të Michelle Obamës gjatë Konventës së vitit 2008, transmeton Insajderi.
Fushata Trump lëshuan një deklaratë pasi u zbuluan ngjashmëritë e fjalimit, por në deklaratë nuk përmend akuza për plagjiaturë.
“Në fjalimin e saj të bukur, ekipi i shkrimtarëve të Melanias morën shënime nga frymëzimi i jetës së saj, dhe në disa raste kanë përfshirë fragmente që pasqyronin mendimet e saj. Përvoja si migrante e Melanias dhe dashuria për Amerikën shkëlqyen në fjalimin e saj, që e bëri të ketë një sukses të tillë”, tha Jason Miller, këshilltar për komunikim.
Në rrjetet sociale kanë shpërthyer kritika dhe ironi pas zbulimit të ngjajshmërve mes fjalimeve.
Gjatë këtij fjalimi të mbajtur në Cleveland më 18 korrik, Melania Trump ndër të tjera tha se bashkëshorti i saj ka pasur për qëllim që të zbusë të gjitha kritikat e ashpra me të cilat është përballur ai pas deklarimeve për myslimanët dhe imigrantët.
“Donald e ka për qëllim që të përfaqësojë të gjithë njerëzit, jo vetëm disa prej tyre”, i ka thënë ajo konventës pasi është prezantuar nga bashkëshorti i saj, i cili është paraqitur në skenë i përcjellur nga tingujt e këngës së grupit britanik, “Queen” – “We Are The Champions”. /Insajderi.com