Në ditën kur kryeministri Albin Kurti e ministri Xhelal Sveçla, kanë bërë homazhe dhe ka vendosur buqetë me lule në vendin e rënies në detyrë të policit Enver Zymberi, gruaja e tij Drita Zymberi me lot në sy ka rrëfyer jetën e vështirë dhe problemet me të cilat ka hasur pas vdekjes së bashkëshortit. Në këtë rrëfim të dhimbshëm, ajo ka treguar se është detyruar të largohet nga shtëpia të cilën e kishte blerë me paratë që ishin mbledhur nga vullnetmirët për ta ndihmuar atë, pas problemeve që kishte me familjen e Enver Zymberit. Drita Zymberi thotë se po i mbanë katër fëmijët vetëm me pensionin që merr, pasi është e papunë. Ajo ka treguar se ka kërkuar punë nga ministri Xhelal Sveçla, i cili sipas saj i ka thënë se duhet të pres, por që është bindur se “nuk ka kurgja”
Drita Zymberi, gruaja e heroit Enver Zymberit ka rrëfyer për historinë e trishtë dhe problemet e mëdha me familjen e bashkëshorit të saj, pas rënies së tij në detyrë zyrtare, në ditën kur vendi shteti shënoi 23 vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës.
Ajo ka treguar gjatë një interviste në ATV, se si familja e Zymberit, sipas saj ia morën paratë dhe e lanë në rrugë, shkruan Gazeta Insajderi.
“Më kanë qitë prej shpisë. Tash jam për momentin në banesë me katër fmijët”, thotë ajo gjatë intervistës, derisa nuk arrinë të përmbahet nga emocionet.
Drita Zymberi, thotë se problemet për të kanë nisur pas dy jave që e kishte humbur bashkëshortin. Paratë që ishin mbledhur nga qytetarë për t`i dal sado pak në ndihmë asaj dhe fëmijëve, thotë se iu morën nga familjarët e tij.
Ajo siç rrëfen në këtë intervistë, në gjendje të pavetëdijshme, pasi thotë se ka qenë në ndikim të barnave, i ka tërhequr 32 mijë euro nga llogaria, për të paguar një shtëpi që e kishin blerë në Vushtrri.
“Kemi pas probleme [me familjen e Enver Zymberit]. Dy javë pasi ka rënë bashkëshorti im e kanë ble shpinë këtu në Vushtrri edhe më kanë qu mu me i tërhjek 32 mijë euro. Jam kanë e pavetëdijshme, jam kanë nën ndikimin e barnave. Edhe u ardhë mixha i burrit u kanë në kerr të policisë me gjithë vjehrrin, edhe e kanë ba pagesën e shpisë”, tha Drita Zymberi në këtë intervistë.
Ajo ka treguar se në fondin për ndihmë të tyre, ishin mbledhu 52 mijë euro por që përveç blerjes së shtëpisë, disa i shpenzoi edhe për mobilim të shtëpisë, ndërsa të tjerat sipas saj ia kanë marrë familjarët e bashëshortit.
“Pas vdekjes së bashkëshortit afër 52 mijë euro i kam pasë edhe ato mu ka deshtë me I tërhjekë për me ble shpinë, me mobilue. Shumicën e pareve i kanë marrë ata. Shtëpinë e kam ble unë me ato pare, por është në emër të kunatit të madh. Ai u dal bashkë me familjen e tij në një banesë që e ka ble, për momentin është vetëm kunati i vogël në shtëpi”, tha ajo.
Gruaja e heroit Zymberi, thotë se pavarësisht se ajo e kishte paguar shtëpinë e blerë në Vushtrri, është detyruar të largohet, shkruan Insajderi.
“Qato pare që i pata u deshtë me i tërhjekë, unë i shihsha do sene, që po i marrin paret tinza meje deri në një moment që i kam thanë vjehrrit ner sy, ai e ka pranu edhe atëherë jena largu”.
“Për momentin jam në banesë, jam largu nuk jam më me ta [familjen e Enverit], se më kanë qitë prej shpisë tash jam në banesë për momentin me katër fëmijë”, tha ajo.
Prej kur ishte larguar nga shtëpia, për dy vite kishte jetuar të babi i saj, derisa ia kanë falur banesën ku tash jeton.
“Për dy vite kam jetuar te babi derisa jam vendosë në banesë. Se kur e kanë kuptu qysh me ka ndodhë ma kanë falë banesën [Ahmet Zariqi]“, tha ajo.
Gruaja e heroit që humbi jetën në krye të detyrës, thotë se po i mbanë fëmijët vetëm me pensionin që i takon dhe me ndihmën e familjes së saj.
“Banesa nuk është shumë e madhe, është dikund 50 metra katrorë. Me pension të burrit jetoj vetë e pesta, edhe familja që me ndihmon nuk mundemi me ja dal”.
Ajo është e papunë, po thotë se ka kërkuar nga ministri Xhelal Sveçla që të punësohet.
‘Nuk jam e punësuar kërkun edhe pse kam shku jam anku te Sveçla, me kanë thanë prit një kohë po e kam pa që ska kurgja”, tha Drita Zymberi në rrëfimin e saj.
Drita tregon se nuk ka raporte të mira me familjen e Enver Zymberit, prej kur është larguar prej shtëpisë, përveç djalit të saj, që shkon i viziton, shkruan Insajderi.
“Vetëm djali shkon, endet me familjen e bashkëshortit, unë e vajzat jo”, tha ajo.
Lidhur me këto probleme me familjen e bashkëshorit të saj, Drita thotë se ka bërë padi por se nuk është ftuar asnjë herë për intervistim për rastin.
“E kemi pa se neve na e kenë ba të padrejtën për atë arsye edhe i ka paditë djali. Landa është në Mitrovicë por ende nuk na kanë thirrë. Edhe pse ata të burrit po thonë që e kanë tërhjekë atë landë, po nuk besoj se pa më thirrë mu nuk e tërhjekun”, tha ajo.
Kurti e Sveçla lavdet e buqeta lulesh tek vendi ku u vra Zymberi, por nuk takuan bashkëshorten e fëmijët
Në ditën kur shteti shënoi 23 vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, në vendin ku ra hero polici i Njësisë Speciale, Enver Zymberi, Kryeministri Albin Kurtid he Ministri Xhelal Svecla bënë nderime dhe vendosën lule.
Sveçla edhe në muajin korrik në përvjetorin e vrasjes së Enver Zymberit, gjatë përleshjes së armatosur me serbët në veri, të cilët kishin vendosur barrikada në atë pjesë, kishte publikua një video gjatë vizitës së vendit ku është vrarë polici.
Por as Kurti, as Sveçla nuk raportohet se i kanë vizituar bashkëshorten dhe fëmijët e Zymberit, shkruan Insajderi.
Një vit më heret kryeministri, Kurti pati takuar babin e Enver Zymberit, gjatë përvjetorit të rënies.
“Në vizitë te familja Zymberi në Dubovc të komunës së Vushtrrisë, kryeministri Kurti me babain e Enverit, Muharrem Zymberi, rikujtuan ngjarjet e korrikut 2011, dhe bisedat e fundit të Enverit me familjen”, thuhej në komunikatën e qeverisë të dates 26 korrik 2021.
Të njëjtin e kishte pritur edhe në zyre, kur ky i fundit i kishte shkuar për urim te Kurti me 30 maj 2021.
Por, kur bashëkëshortja Drita Zymberi u pyet nga gazetari nesë ka ndonjë kërkesë për insitucionet dhe se si i sheh përkujtimet, ajo nuk mundi t`i përballonte emocionet.
Tha shkurt “ Mire është që kujtohet se…”, por nuk mundi të thotë më asnjë fjalë. /Gazeta Insajderi