
Në 23-vjetorin e rënies heroike të komandantit Ilaz Kodra, kryeministri Albin Kurti bëri homazhe dhe vendosi lule te Kompleksi Memorial i dëshmorëve në Marinë, të Skënderajt.
Menjëherë pas kësaj vizite ka reaguar deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, duke thënë se muaj më parë menaxhmenti i ri i Postës së Kosovës, i zgjedhur nga Qeveria Kurti largoi nga puna bashkëshorten e heroit Ilaz Kodra.
“Për nderimet e sotme, po ashtu, e falënderoj edhe kryeministrin Kurti. Megjithatë, e ndjej për obligim ta them edhe publikisht, që menaxhmenti i ri i Postës së Kosovës, i zgjedhur aty nga Qeveria Kurti, si vazhdimësi e largimeve politike nga puna në këtë institucion, para dy muajsh e ka larguar nga puna edhe bashkëshorten e Ilazit, Kimeten. Ajo tani është duke i kërkuar të drejtat e saj në rrugën ligjore”, ka shkruar deputetja Deliu.
“Por, mbi të, përveç dhimbjes që ndjen vazhdimisht për humbjen e njeriut më të dashur, sot rëndojnë edhe padrejtësitë e pushtetit të kryeministrit Kurti. E ndjeva për obligim ta them këtë, pasi që unë jam e vetmja anëtare e familjes së komandantit Ilaz Kodra, që jam pjesë aktive e politikës”, vazhdon shkrimi i saj, transmeton Gazeta Insajderi.
Pushteti i Kurtit s’e ka larguar nga puna vetëm gruan e heroit Kodra, por edhe Bahrije Hotin, motrën e dëshmori të Krushës së Madhe.
Kjo e fundit muajin e kaluar, ia zuri kryeministrit Albin Kurti rrugën derisa ai po bënte homazhe në 23 vjetorin e masakrës në Krushë të Madhe.
Derisa vizitonte varrezat e martirëve të lirisë në Krushë të Madhe, ai u përballë me motrën e dëshmorit, kushërirën e Ukshin Hotit. Në një video të publikuar në facebook, zonja në fjalë ka kërkuar nga shefi i ekzekutivit të dijë arsyet pse është shkarkuar si diplomate e Kosovës.
“Më vjen mirë që keni ardhur sot. Por, si është e mundur që unë para një jave jam pushuar nga puna si diplomate e Kosovës, duke dalë nga ky gjak, sakrifica e këtyre dëshmorëve më ka dërguar të shkollohem në Austri dhe unë sot me padrejtësinë më të madhe, para një jave shkarkohem nga puna si diplomate”, dëgjohej duke i thënë ajo, Kurtit, shkruan Gazeta Insajderi.
Kurti është përgjigjur shkurt duke i thënë se “nuk e di këtë gjë, duhet ta kuptosh”.
Ajo sërish ka insistuar duke i treguar Kurtit se ka pasur padrejtësi gjatë shkarkimit të diplomatëve.
“E kuptoj, por padrejtësitë po vazhdojnë me të thënë të drejtën. Unë jam betuar para varrit, para gjakut të këtyre dëshmorëve”, thoshte ajo.
Kurti është zotuar se do të interesohet për shkarkimin e saj nga vartësja e tij, shefja e diplomacisë, Donika Gërvalla.
“Do të interesohem për çka bëhet fjalë. Do ta shikojë për çka bëhet fjalë”, thoshte Kurti./Gazeta Insajderi/