Gruaja e ish-policit që po mbahet në burg në Serbi kërkon ndihmë: Shteti më ka kthyer shpinën - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Gruaja e ish-policit që po mbahet në burg në Serbi kërkon ndihmë: Shteti më ka kthyer shpinën

    Insajderi
    07 July 2025 - 14:09
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Arieta Spahiu, bashkëshortja e Arbnor Spahiut – ish-pjesëtar i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, i cili po mbahet në paraburgim në Serbi – ka reaguar publikisht përmes një letre drejtuar institucioneve të shtetit, duke kërkuar ndihmë dhe përkrahje për bashkëshortin e saj, që sipas saj po mbahet padrejtësisht.

    Në letrën e saj, Arieta Spahiu thotë se ndodhet në një gjendje të rëndë emocionale dhe shpirtërore, duke shprehur zhgënjimin e thellë ndaj heshtjes së institucioneve.

    “Kam dërguar letra, kërkesa, lutje – në Presidencë, në Kryeministri, në Ministri, në çdo institucion që ekziston. Por nuk kam marrë asnjë përgjigje. Jo një telefonatë. Jo një interesim. Heshtje totale. Si mund të jetë kjo mënyra se si një shtet i trajton njerëzit e tij?”, ka theksuar ajo.

    Ajo kërkon reagim urgjent nga autoritetet shqiptare dhe ndërkombëtare, duke thënë se po lufton e vetme për të mbrojtur të drejtën e një njeriu të pafajshëm.

    “Ku të shkoj më? Kujt t’i trokas në derë kur çdo derë mbyllet para meje? Sa e rëndë është kjo ndjesi kur nuk ndihesh më pjesë e një shteti që duhet të të mbrojë?”, thekson ajo në reagimin e saj.

    Ajo bën apel që zëri i saj të mos injorohet, duke e mbyllur letrën me fjalët: “Ju lutem, mos heshtni më. Ju lutem, dëgjoni zërin tim. Ju lutem, reagoni sa nuk është vonë.”

    Ish-polici, Arbnor Spahiu ndodhet në paraburgim në qytetin e Suboticës në Serbi tashmë qe një muaj nga arrestimi.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark