Deputeti Artan Grubi ka njoftuar se kryetari i ri parlamentit, Talat Xhaferi, do ta thërretseancën parlamentare sapo të krijohen kushtet.
“Sot bashkë me kryetarin e ri të Kuvendit, Talat Xhaferin, kemi ardhur në orën 8 e 30 minutapër të kryer punët tona ditore administrative. Me këtë rast kryetari i ri i nënshkroi të gjitha udhëzimet administrative për shërbimet në Kuvend për t’ia mundësuar punën në kabinetin e tij në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë. Ato janë dërguar tek sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, janë të arkivuar me numër të arkivit dhe protokolluar në përputhje me rregulloren dhe ligjet”, ka thënë ai.
“Jemi në pritje të realizimit të asaj urdhërese të kryetarit të ri të Kuvendit, për të mundësuar punën normale dhe funksionimin normal të Kuvendit”, ka bërë të ditur deputeti Artan Grubi.
Ai nënvizoi se sekretari i përgjithshëm i parlamentit do të veprojë në respektim të kryetarit të ri të parlamentit Talat Xhaferi, pasi vendimi për zgjedhjen ekryetarit të ri të Kuvendit, të shpallet në Gazetën Zyrtare.
Deputeti Grubi duke komentuar uzurpimin e zyrës së kryetarit të parlamentit të Maqedonisë, nga ana e deputetëve të VMRO DPMNE –së tha se “Talat Xhaferi është institucion në vete, sepse kryetari i parlamentit është institucioni, nuk është zyra”
Ndërkohë që pritet të fillojnë protestat në organizim të iniciativës qyetare “për Maqedoni të përbashkët” kundër zgjedhjes së Talat Xhaferit për kryetar të parlamentit në orën 17.00, forca të theksuara të njësive speciale kanë siguruar institucionet shtetërore.
Njësite të blinduara janë stacionuar në Parlamentin e Maqedonisë në të cilin institucion, të enjten e kaluar, një grup protestuesish u futën me dhunë dhe sulmuan deputetët e shumicës parlamentare./rel