Brajan Gruda nuk do të jetë në Kampionatin Evropian ‘Euro 2024’ me Gjermaninë, pasi ka pësuar një lëndim dhe është larguar nga kampi.
Megjithatë sulmuesi me prejardhje shqiptare mund ta bëj një hap të madh në karrierë gjatë afatit kalimtar të verës.
Skuadrat angleze si Liverpool, Aston Villa dhe Newcastle United kanë shprehur interesim për të, derisa Gruda po kërkohet edhe nga skuadrat gjermane si Borussia Dortmund, RB Leipzig dhe së fundmi Bayern Munich.
20-vjeçari që ka shkëlqyer me Mainzin në Bundesliga duket se dëshiron transferimin te Bayerni dhe për këtë ka folur nga kampi i Kombëtares.
“Sigurisht që ju mendoni për këtë, por për momentin fokusi im i plotë është te ekipi kombëtar. Agjenti im po rregullon gjithçka. Unë jam i hapur për gjithçka”, tha Gruda.
Talenti shqiptar ka thënë se në moshën e tij është e rëndësishme të luaj, derisa ka treguar se lojtari i tij i preferuar është Arjen Robben dhe Lionel Messi.
“Në moshën time, është e rëndësishme që të luaj shumë dhe të tregoj se çfarë jam i aftë. Nëse ulem në stol nga java në javë ose bëj vetëm disa paraqitje, mendoj se kjo i shkatërron lojtarët. Paratë vijnë në një moment kur je shumë, shumë i suksesshëm. Por gjëja e rëndësishme është të luani dhe të argëtoheni”.
“ArjenRobben është lojtari im i preferuar pranë Messit. Kam parë shumë ndeshje në Bundesligë të Bayernit. Robben priste brenda nga e djathta me këmbën e majtë, më pëlqeu mënyra se si luante”, deklaroi Gruda.
Kjo deklaratë e sulmuesit shqiptar ka bërë që mediat gjermane të aludojnë se Bayerni mund ta transferojë atë gjatë verës. /Telegrafi/