
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, ka reaguar ndaj kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, i cili vazhdon të këmbëngulë në votim të fshehtë për kryetarin e Kuvendit.
Gruda tha se Dehari më në fund e ka pranuar një të vërtetë nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, që në seancën konstituive nuk lejohen mocione procedurale. Por, sipas tij, problemi është që nuk e ka lexuar deri në fund aktgjykimin.
“Kryesuesi i seancës konstituive, z. Avni Dehari, më në fund pranoi një të vërtetë nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese: në seancën konstituive nuk lejohen mocione procedurale. Por, për fat të keq, nuk pati guximin ta lexojë aktgjykimin deri në fund”.
“Paragrafi 187 i aktgjykimit thotë qartë: ‘(…) zhvillimi dhe përfundimi i Seancës Konstituive duhet të udhëhiqet në pajtim me përcaktimet kushtetuese për konstituimin e Kuvendit, Kreun IV (Konstituimi i Kuvendit) të Rregullores së Kuvendit dhe praktikat e deritanishme parlamentare për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës’.
Cila ka qenë ajo praktikë e deritanishme parlamentare? Votimi i hapur. Gjithmonë. Prandaj, Avni Dehari nuk ka të drejtë të hedhë në votim propozimin për Komision për votim të fshehtë, sepse kjo shkel drejtpërdrejt këtë paragraf të aktgjykimit kushtetues”, ka shkruar Gruda në Facebook.