Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një bisedë telefonike të dielën me kryediplomatin arab, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan, të cilin e ka njoftuar lidhur me zhvillimet në veri të vendit.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti ka thënë se grupe fashiste që janë pjesë e listave të pagave në Serbi dhe të sanksionuarit nga SHBA dhe Britania e Madhe ishin ata që përshkallëzuan situatën në veri, shkruan Gazeta Insajderi.
“Në lidhje me situatën në tri komunat në veri të vendit, Kryeministri e njoftoi për procesin zgjedhor që solli deri tek zgjedhja e katër kryetarëve të ri, bojkotin e zgjedhjeve nga serbët e Kosovës me kërkesë dhe presion të Serbisë dhe pranimin e këtij procesi e rezultati zgjedhor nga komuniteti ndërkombëtar”, thuhet në njoftim.
“Tha se përshkallëzimi erdhi si rezultat i pengimit me forcë të hyrjes në vendet e tyre të punës të kryetarëve të ri dhe dhuna nga grupe fashiste që janë në listën e pagave të Serbisë dhe të kompanive private të personave të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe”, vijon njoftimi.
Sipas ZKM-së, Kurti gjatë bisedës ka thënë se arrestimi i “atyre që shkaktuan dhunë” dhe përfundimi i dhunës kundrejt forcave të rendit janë hapat e parë drejt de-përshkallëzimit të situatës në veri. /Insajderi.org/